Ndërlidhjet

Xhuda: Veriu – pak gjasa të kthehet nën qeverisjen e Kosovës


Tim Xhuda
Tim Xhuda

"Gjendja në veri tash 10 vjet është një konflikt i ngrirë me pak gjasa të integrimit të plotë në sistemin qeverisës të Kosovës", thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, analisti britanik, Tim Xhuda, për të shtuar se "bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë këmbim territoresh".

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhuda, ta fillojmë bisedën me disa ide që janë shfaqur së fundi për shkëmbim territoresh midis një pjese të veriut të Kosovës dhe jugut të Serbisë. Si e shihni ju këtë çështje?

TIM XHUDA
Mendoj se kjo ide qëndron prapa rastit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendoj se strategët në Serbi, të cilët e kanë zhvilluar idenë për ta çuar rastin e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, e kanë pasur pikërisht këtë ide në mendje, duke imagjinuar skenarin ku Serbia do ta fitonte rastin në Gjykatë dhe pastaj do të përpiqej ta riabsorbojë Kosovën.

Ideja e shkëmbimit territorial ka qenë prapa këtij procesi gjatë gjithë kohës. Ka pasur shumë njerëz në Serbi, të cilët mund të parashikonin që veriu të merrej, por kurdo që përmendej fakti se kjo do të ishte e papranueshme për Prishtinën dhe se vetëm nëse Prishtina e merr Preshevën marrëveshja do të ishte e pranueshme, ata gjithmonë përgjigjeshin prerazi, duke përmendur rrugët strategjike, hekurudhat etj.

Ajo që është interesante, është fakti se tani në Serbi ka njerëz, të rëndësishëm mund të them, të cilët janë të gatshëm të “zbaviten” me idenë e shkëmbimit dhe jo vetëm me marrjen e veriut. Dhe, kjo është ajo që është thelbësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, në rrafshin ndërkombëtar, a mendoni se kjo është e pranueshme?

TIM XHUDA
Jo, nuk mendoj se është e pranueshme, të paktën jo për një të ardhme të afërt. Dhe, jo për shkak të Kosovës. Po të ekzistonte Kosova dhe Serbia në një lloj vakuumi ose po të ishin të dyja në një ujdhesë, mbase do të ishte e mundshme. Problemi në këtë kuadër, siç e dinë të gjithë, nuk është Presheva dhe as veriu, problemi qëndron në Maqedoni dhe në Bosnjë.

Prandaj, deri në një të ardhme të afërt, nuk mendoj se kjo është e mundshme, por kush e di se ç’mund të ndodhë me kalimin e viteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe sërish vijmë tek çështja, e cila vazhdimisht është duke u ngritur – si të trajtohet veriu dhe status kuo-ja prej më shumë se dhjetë vjetësh atje?

TIM XHUDA
Unë nuk jam dhe aq optimist. Mendoj se gjërat në këtë pjesë do të vazhdojnë të zhvillohen pak a shumë ashtu siç janë tani. Mendoj se është mjaft e mundshme që të gjendet një formë më e mirë e “modus vivendit” pas një viti, veçanërisht nëse ka rënie të ndikimit të njerëzve siç është Marko Jakshiq.

Megjithatë, më duhet të them se nuk jam edhe aq optimist për integrimin e plotë të veriut në sistemin e qeverisjes së Kosovës. Kjo më duket se ka pak gjasë të ndodhë. Por, ka gjasë që të zhvillohet një formë më e mirë e “modus vivendit” për të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se kjo pjesë rrezikon të shndërrohet në një konflikt të ngrirë deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë?

TIM XHUDA
Nuk mendoj se është çështje e shndërrimit në një konflikt të ngrirë, sepse e tillë ka qenë tash e dhjetë vjet. Mendoj se situata atje do të mbetet pak a shumë në këtë formë që është sot.

Nuk besoj se veriu papritur do të bëhet pjesë që ndjen, frymon dhe jeton në Kosovë, ashtu siç bëjnë pjesët tjera. Kjo qartazi nuk do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të flasim për integrimin evropian të rajonit. Disa kanë kritikuar Bashkimin Evropian se ka hapur dyert gjerësisht për Serbinë, ndërkohë që i ka mbyllur për Kosovën. A e shihni edhe ku këtë çështje kështu?

TIM XHUDA
Deri në një pikë po. Është e vërtetë se ata duan të integrojnë tërë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, është fakt se Serbia ka bërë më shumë për të përmbushur kriteret, ashtu siç kanë bërë edhe Kroacia dhe Maqedonia, më shumë seç kanë bërë Bosnja dhe Kosova.

Për shkak të problemeve tjera të Kosovës, siç ishte përqendrimi në pavarësinë e saj, sovraniteti, Kosova ende nuk ka arritur aty ku duhet. Ajo gjendet ende në fillim. Prandaj, mendoj se është e padrejtë dhe e lehtë të fajësosh Bashkimin Evropian. BE-ja është organizatë shumë e madhe, bota është shumë e madhe dhe ajo aktualisht është goditur me një periudhë të rëndë ekonomike, të ngjashme me atë të viteve 1930.

Njëkohësisht, ka jashtëzakonisht shumë probleme në botë dhe Kosova, në rrafshin global, nuk është një prej tyre. Natyrisht, është frustruese dhe e vështirë për njerëzit që jetojnë në Kosovë, por, siç e thashë, bota është shumë e madhe dhe ka probleme tjera të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët më herët betejën ligjore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Disa thonë se kjo betejë ka ngadalësuar procesin e njohjeve të mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. A do të pajtoheshit?

TIM XHUDA
Nuk e ka ngadalësuar tërësisht, gjë për të cilën mendoj se ka qenë ideja që në fillim. Siç e kemi parë, ka pasur shtete që e kanë njohur, disa prej tyre të vogla, por disa prej tyre, si Arabia Saudite, shtete shumë të rëndësishme.

Pra, nuk e ka ndalur procesin e njohjes, por e ka penguar paksa, në kuptimin e ngadalësimit të konsiderueshëm. Kjo mendoj se ka qenë një përpjekje e suksesshme, jo aq e madhe sa do të kishte dashur Serbia të jetë, por nuk ka qenë edhe e dështuar, siç do të kishte dashur Kosova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG