Ndërlidhjet

Hooper: Figurat kyçe të administratës së re - Biden, Clinton, Holbrooke…


James Hooper
James Hooper

"Është nënpresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, që është mbështetës i madh i Kosovës dhe ai do ketë dorë e ndikim të fuqishëm në hartimin e politikës së jashtme", thotë në një intervistë për radion Evropa e Lirë, James Hooper, ish-diplomat amerikan.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hooper, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur Barack Obaman për president, një fitore kjo e cilësuar si historike. Çfarë mund të pritet nga administrata e ardhshme amerikane në raport me Kosovën dhe rajonin në përgjithësi?

JAMES HOOPER
Keni të drejtë, ishte fitore historike dhe një fitore transformimi në kuptimin e lidershipit në Shtetet e Bashkuara.

Lidhur me Kosovën dhe rajonin, mendoj se është e rëndësishme të mbahet në mend fillimisht se përqendrimi i presidentit të zgjedhur do të jetë më shumë në politikat e brendshme, posaçërisht në rrafshin ekonomik dhe më pak në politikën e jashtme.

Së dyti, unë nuk dua të hy në lojën e parashikimeve se kush do të emërohet sekretar shteti dhe kush në pozitat tjera. Megjithatë, në raport me politikën amerikane në Kosovë dhe Ballkan, unë nuk shoh asnjë ndryshim thelbësor.

Mbajeni në mend se janë tri figura kyçe. Është nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili është mbështetës i madh i Kosovës dhe ai do të ketë dorë të fuqishme dhe ndikim të fuqishëm në hartimin e politikës së jashtme. Dhe, ai nuk do të dojë të rihapë ndonjë çështje të mbyllur, sikur që është çështja e pavarësisë së Kosovës. Joe Biden nuk dëshiron ta shohë të rihapur këtë çështje.

Pastaj, aty është edhe Bill Clinton, një forcë e fuqishme në kuadër të Partisë Demokratike.

Richard Holbrooke gjithashtu e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe për të gjithashtu Kosova është çështje e mbyllur. Ai do të jetë një forcë e madhe dhe disa madje thonë se mund të jetë sekretar shteti, por sërish unë nuk dua ta paragjykoj këtë dhe unë nuk e di se kush do të jetë, por zoti Holbrooke do të ketë ndikim gjithashtu.

Së fundi, ai ka shkruar një artikull, duke tërhequr vërejtjen për mundësinë e tensionimit të situatës në Bosnjë dhe duke bërë thirrje që t’i kushtohet më shumë vëmendje kësaj çështjeje.

Këto janë tre personalitete shumë të fuqishme në Partinë Demokratike. Zoti Holbrooke do të ketë një rol në qeverisjen e ardhshme, presidenti Clinton natyrisht që nuk do të ketë rol, por do të ketë ndikim, dhe nënpresidenti Joe Biden do të ketë rol shumë të fuqishëm.
Që të tre nuk do të duan fare ta rihapin çështjen e Kosovës, por të vendosin një stabilitet të qëndrueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, a mundet Bashkimi Evropian të përballet me sfidat në Kosovë dhe në rajon pa një prani të fuqishme të Shteteve të Bashkuara?

JAMES HOOPER
E kam të vështirë ta besoj se Bashkimi Evropian mund të përballet me çështjen e Kosovës pa një prani të fuqishme të Shteteve të Bashkuara. Rreziku në raport me Bashkimin Evropian nuk ka të bëjë me rihapjen e njohjes së shtetit të Kosovës, por me mosgatishmërinë e BE-së që të kushtëzojë Serbinë.

Ai synon atë çka e sheh si stabilizim të situatës në Serbi, të ecë përpara drejt anëtarësimit evropian, por duke mos e kushtëzuar një proces të këtillë me njohjen e Kosovës.

Unë nuk mendoj se bëhet fjalë për rishqyrtimin e njohjeve që evropianët i kanë bërë Kosovës, por ata janë të prirur të jenë më të dobët në mënyrën se si i trajtojnë çështjet e vështira në raport me Serbinë, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë faktor në atë ekuacion.

Kemi parë edhe gjatë viteve të ’90-ta, gjatë kohës së luftërave, se evropianët nuk kanë qenë në gjendje të merren me Bosnjën, Kroacinë dhe Kosovën pa trysninë, lidershipin dhe vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara.

Unë nuk mendoj se Bashkimi Evropian do t’i bëjë trysni Serbisë për ta njohur Kosovën; mendoj se nuk do ta prekë fare këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke i marrë të gjitha këto parasysh, edhe situatën me veriun e Kosovës dhe gjendjen e brishtë në Bosnjë, a mund të pritet që administrata e re amerikane të luajë një rol më të fuqishëm ndikimi në rajon?

JAMES HOOPER
Po, mundet. Dhe, mendoj se administrata e re e Shteteve të Bashkuara do të dojë të vëzhgojë me kujdes situatën në rajon, për të siguruar se nuk do të destabilizohet.

Mendoj se përderisa administrata amerikane beson se situata në rajon është stabile, atëherë do të krijojë më shumë hapësirë që evropianë të marrin udhëheqësinë.

Por, në rast të ndonjë destabilizimi, atëherë mendoj se amerikanët menjëherë do të donin të ushtronin një lidership më të fuqishëm, thjesht për faktin se Shtetet e Bashkuara nuk duan të përfshihen në më shumë luftëra; ato nuk do të duan të kenë më shumë luftëra në Ballkan.

Prandaj, nëse Bashkimi Evropian arrin t’i stabilizojë gjërat, atëherë mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta lënë Evropën që të ketë më shumë ndikim.
Por, nëse evropianët tregojnë se nuk janë në gjendje të merren me veriun, me Kosovën, Serbinë, Bosnjën dhe vendet tjera të Evropës Juglindore, atëherë mendoj se amerikanët do të ndërhyjnë në fazat e mëhershme për të ushtruar më shumë lidership.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova aktualisht është duke u përballur me një presion për të pranuar planin gjashtëpikësh të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon, për të cilin zyrtarët në Prishtinë thonë se rrezikon tërësinë territoriale. Si e shihni ju këtë plan?

JAMES HOOPER
Sinqerisht, nuk mendoj se ka ndonjë gatishmëri për të sfiduar situatën në veri. Të gjithë e dinë se në veri të lumit Ibër, territori udhëhiqet nga Serbia, administrohet nga Beogradi dhe nuk i shoh ndërkombëtarët, qofshin ata nga Evropa, Kombet e Bashkuara apo Shtetet e Bashkuara, duke e sfiduar situatën e krijuar atje.

Do të doja sinqerisht të mos ishte kështu, por nuk e shoh mundësinë që kosovarët të vendosin autoritetin e tyre në veri; ndërkombëtarët thjesht nuk do ta mundësojnë një gjë të këtillë.

Mund të jetë ndryshe situata në jug të lumit Ibër natyrisht, por në veri nuk e shoh si mund të ndodhë shtrirja e autoritetit, nëse ndërkombëtarët nuk janë të gatshëm të përballen me situatën. Për fat të keq, duket sikur është pranuar fakti se Serbia do të vazhdojë ta kontrollojë veriun dhe unë jam i shqetësuar se veriu do të pranohet gjithnjë e më shumë, veçanërisht nga evropianët, si pjesë e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, si e shihni Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi pas 3 ose 4 vjetësh?

JAMES HOOPER

Pas 3 ose 4 vjetësh shpresoj të kenë dalë nga kriza ekonomike, por njëkohësisht mendoj se pas kësaj periudhe, në rastin më të mirë, do të nisë dalja nga kjo krizë ekonomike. Shpresoj që kjo krizë ekonomike t’i sjellë kosovarët edhe më afër njëri-tjetrit dhe liderët të ndihmojnë në përmbushjen e këtij qëllimi.

Kjo, padyshim, do të jetë një periudhë testimi për Kosovën, papunësia do të rritet, vendet e punës do të jenë më të pakta, por, në të njëjtën kohë, mendoj se pavarësia e Kosovës është ajo që do të jetë më e fuqishme.

Në këtë kuadër, me keqardhje e them, dhe do të dëshiroja të ishte ndryshe, se nuk e shoh Prishtinën duke rimarrë kontrollin mbi veriun. Ajo që do të mbetet e qartë, është pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës s’do të ndryshojë kurrë dhe këtë e them me besimin më të madh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG