RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, aktualisht gjendeni në Tbilisi të Gjeorgjisë. Si është atmosfera politike atje?
TIM JUDAH
Është një situatë shumë interesante. Zoti Saakashvilli, presidenti i Gjeorgjisë, në esencë ka pësuar një mposhtje poshtëruese dhe ka humbur luftën. Mbase, secili do të mendonte se tani do të ketë njerëz dhe politikanë që thonë se Saakashvilli është president dhe ai duhet të mbajë përgjegjësinë për çfarë ka ndodhur, duke dhënë dorëheqje.
Por, larg prej kësaj, po ndodh pikërisht e kundërta. Fakti se Rusia është eksplicite në synimet e saj për ndryshimin e regjimit në Gjeorgji – zoti Medvedev, presidenti i Rusisë ka thënë se Saakashvilli është 'kufomë politike' – nuk ka absolutisht asnjë politikan nga opozita në Gjeorgji që do të ftojë për dorëheqjen e tij.
Në anën gjeorgjiane, njerëzit dhe politikanët janë të frikësuar se në përpjekjet e tyre mund të përfaqësojnë interesat ruse dhe të cilësohen si pro-rusë. Prandaj, kundërshtarët e zotit Saakashvilli janë aktualisht të heshtur.
Gjithashtu, ata butësisht e pranojnë se zoti Saakashvilli duhet të përgjigjet në disa pyetje, por tani nuk është koha, tani është koha për një unitet kombëtar përballë agresionit rus. Pra, kjo është atmosfera politike këtu.
RADIO EVROPA E LIRË
Rusia duket e vendosur të mos tërhiqet nga politikat e saj. Cilat janë motivet kryesore të veprimeve të Moskës, posaçërisht pas njohjes që i ka bërë rajoneve separatiste të Gjeorgjisë?
TIM JUDAH
Unë mendoj se Rusia thjesht synon të rikthejë rolin dhe fuqinë e saj në hapësirën post-sovjetike. Me këtë mëton të dërgojë mesazhin se Rusia nuk ka qenë e fuqishme vetëm në periudhën sovjetike, por në pjesën më të madhe të këtij rajoni edhe disa qindra vjet përpara. Thjesht, synon ta kthejë atë rol dhe tani po shfrytëzon mundësinë që ka për ta bërë një gjë të këtillë.
RADIO EVROPA E LIRË
A ka lidhje edhe me parandalimin e zgjerimit të NATO-s, me vijat e gazit…?
TIM JUDAH
Po, mendoj se të gjitha këto qëndrojnë. Vijat e gazit, padyshim, luajnë një rol, edhe pse nuk dihet saktësisht se deri në ç'masë. Megjithatë, ato luajnë një rol në kuptimin që ato janë ndërtuar përmes territorit të Gjeorgjisë nga Azerbeixhani, për të ofruar alternativë në raport me rrugët që ka shfrytëzuar Rusia. Dhe, fakti se bombat binin në afërsi të vijave të gazit, flet për këtë teori.
Natyrisht, keni të drejtë kyr pyesni për zgjerimin e NATO-s. Rusët natyrisht kanë qenë shumë të zemëruar në vitet e fundit me zgjerimin e NATO-s në afërsi të territorit të saj, edhe pse kanë menduar se kanë marrë premtime të kundërta nga ajo që ka ndodhur në këtë drejtim gjatë viteve të '90-ta. Tani rusët janë të fuqishëm mjaft për ta ngrirë këtë proces.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë domethënieje kanë këto zhvillime për rendin politik botëror? A është kjo edhe një Luftë e Ftohtë, siç kanë tërhequr vërejtjen disa?
TIM JUDAH
Nuk mendoj se kemi të bëjmë edhe me një Luftë të Ftohtë. Por, padyshim, është një periudhë e jostabilitetit dhe paqartësive të mëdha. Në kuptimin e komponentave ideologjike, nuk e dimë se çfarë kahjeje do të marrë e gjithë kjo.
Rusia aktualisht është duke vepruar si një fuqi e shekullit të 19-të, në përpjekje për të rikthyer rolin e vet në botë. Në anën tjetër është Bashkimi Evropian, që vepron jo si një fuqi e shekullit të 19-të, por si e shekullit të 21-të. Në këtë kuadër, fuqia e bllokut evropian është e butë, kurse rusët duan të tregojnë se fuqia e tyre është vërtet e fortë.
Ndërkohë, ekzistojnë edhe fuqitë e rrezikshme në rritje, siç është Irani, Kina, etj. Prandaj, e gjithë kjo tingëllon si jostabilitet dhe nuk e dimë nga po shkojmë. Lufta e Ftohtë kishte korniza të qarta, fuqi të qartë dhe pothuajse rregulla të qarta. Tani nuk kemi një situatë të këtillë.
Mbase mund të them se pluhuri nga konflikti në Gjeorgji ende nuk është qetësuar dhe nuk mund të shohim përtej këtyre reve të pluhurit. Ndoshta 7 gushti, dita kur e gjithë kjo filloi, do të shënohet edhe në librat e historisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, disa kanë tërhequr paralele midis asaj çfarë ka ndodhur në Gjeorgji dhe Kosovës. Të tjerët kanë thënë se të dyja rastet janë tërësisht të kundërta. Ju, çfarë mendoni?
TIM JUDAH
Fakt është se ka disa ngjashmëri të pashmangshme, por njëkohësisht ka edhe shumë dallime. Më lejoni të jap një shembull të një ngjashmërie: na pëlqeu neve apo jo, Osetia e Jugut, Abkhazia dhe Kosova kanë qenë nënrepublika të ish-republikave komuniste, të cilat kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë pra.
Pra, qartësisht aty ka ngjashmëri, por pikërisht këtu ndalet çdo ngjashmëri tjetër. Para fillimit të konfliktit, popullata në Kosovë ka qenë 90% shqiptare. Në Abkhazi, ndërkaq, ka vetëm 17.8% abkhazë, kurse Osetia e Jugut është më e vogël.
Mendoj se Abkhazia dhe Osetia e Jugut do të vazhdojnë të ekzistojnë si entitete, sepse në këtë formë janë të dobishme për Rusinë për të destabilizuar Gjeorgjinë dhe për të mbajtur kontrollin mbi të. Ky është edhe një dallim tjetër.