Ndërlidhjet

Hooper: Shkalla e pavarësisë së Kosovës ende e zbehur


James Hooper
James Hooper

"Serbia dhe Rusia kanë punuar jashtëzakonisht shumë në rrafshin ndërkombëtar, për t'i bllokuar përpjekjet për njohjen e Kosovës", thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, James Hooper, ish-diplomat amerikan.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, konfuzion dhe pasiguri – kështu e keni përshkruar Kosovën pak kohë para fuqizimit të Kushtetutës së saj. Si e shihni Kosovën sot?

JAMES HOOPER
Mendoj se nuk ka dyshim se Kosova është një shtet i pavarur, megjithatë shkalla e pavarësisë së saj është e zbehur. Për vendet që e kanë njohur, më shumë se 45 prej tyre, është e qartë se Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e tillë. Por, ky numër është ngrirë.

Rusia dhe Serbia, veçanërisht Rusia, megjithatë, kanë punuar jashtëzakonisht shumë në rrafshin ndërkombëtar, për t’i bllokuar përpjekjet që numri i njohjeve të shkojë përtej 40 vendeve që e njohin Kosovën. Dhe, ky është një problem i vërtetë.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane që kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës, nuk kanë qenë aq aktive dhe të shkathta ashtu siç kanë premtuar se do të jenë në angazhimin e tyre ndërkombëtar për të prodhuar më shumë njohje.

Natyrisht, edhe kosovarët mund të bëjnë më shumë vetë, por përderisa Rusia dhe Serbia mëtojnë të krijojnë përshtypjen se Kosova është një çështje e hapur dhe jo e mbyllur në raport me pavarësinë e saj, atëherë ky është problem.

Ata kanë plan, Rusia dhe Serbia kanë plane për ta bllokuar këtë proces. Ata do të shkojnë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ata janë duke punuar mbi bazën e një plani serioz diplomatik dhe ligjor në këtë drejtim.

Prandaj, mendoj se Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kosova duhet të punojnë edhe më shumë dhe të kenë një plan serioz për të shtuar numrin e njohjeve sa më shpejt që të jetë e mundshme dhe të kapërcejnë Asamblenë e Përgjithshme pa ndonjë dëm serioz, që do ta çonte prapa procesin e pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët synimin e Serbisë që të kërkojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Çfarë mund të pritet në fakt nga një hap i këtillë?

JAMES HOOPER
Nëse ata arrijnë të mbledhin mjaft nënshkrime dhe nëse arrijnë të miratojnë rezolutën e tyre në këtë drejtim, për çka mendoj se ka gjasa serioze, mund të vini bast që Serbia do të angazhojë avokatët më të mirë që me para mund t’i blejë, do të ketë ekipin më të mirë të njerëzve që kanë ekspertizë në këtë kategori të ligjit për të sjellë në tavolinë një rast shumë të fortë në emër të Serbisë.

Prandaj, Kosova duhet të përgatitet për variantin më të keq dhe të ketë ekipin e vet të gatshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të përgjigjet Kosova?

JAMES HOOPER
Fillimisht, duhet ta ketë ekipin e vet, ta zgjedhë atë. Duhet të punojnë bashkërisht me ndërkombëtarët për të parandaluar grumbullimin e votave dhe nënshkrimeve që duhen në Asamblenë e Përgjithshme.

Dhe, nëse as kjo nuk ka sukses, nëse nuk funksionon, Kosova duhet të jetë e përgatitur të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo do të thotë se duhet të ketë një ekip ligjor, më të mirin që Kosova mund ta ketë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, zhvillimet e fundit kanë kushtëzuar një aranzhim të ri; EULEX-i tani pritet të punojë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. A mendoni se kjo është e mundshme?

JAMES HOOPER
Ombrella e Kombeve të Bashkuara nënkupton një vazhdimësi të rolit të këtij institucioni, sepse rusët kanë bërë trysni serioze mbi Ban Ki Moon-in. Po e përsëris, ata kanë një plan veprimi dhe ky plan, thënë kushtimisht, ka disa komponente, një prej të cilave është insistimi që Kombet e Bashkuara janë të ngarkuara me Kosovën.

Kjo sërish krijon përshtypjen në mesin e vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën se ky shtet i ri është çështje e hapur dhe jo e mbyllur. Qeveria e Kosovës është ajo që duhet të sigurojë fuqinë për të udhëhequr me vendin e vet.

Kosovarët duhet të vazhdojnë të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi vetëqeverisëse në duart e veta, në mënyrë që vendi i tyre të fillojë të duket gjithnjë e më shumë si një shtet. Në këtë mënyrë, ata do të jenë më afër përmbylljes së procesit të pavarësisë dhe do të shtojnë numrin e vendeve që e njohin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, ndërkohë, disa kanë tërhequr paralele midis asaj çfarë po ndodh në Gjeorgji aktualisht dhe Kosovës. Disa të tjerë kanë hedhur poshtë idetë e këtilla, duke thënë se Kosova është rast krejtësisht tjetër nga Gjeorgjia. Ju, çfarë mendimi keni?

JAMES HOOPER
Është interesante të thuhet se rusët e kanë shfrytëzuar këtë që prej fillimit; ata e kanë shfrytëzuar në formë eksplicite modelin e Kosovës si bazë për ndërhyrjen e tyre në Gjeorgji, duke e cilësuar si ndërhyrje humanitare – gjë të cilën NATO-ja e pati thënë në rastin e Kosovës.

Por, ajo që unë kam vërejtur është se Kosova është në fakt vendi i parë që e ka ndjerë realisht fuqinë e një Rusie të ringjallur.

Nëse ju kujtohet, në fund të luftës së udhëhequr nga NATO-ja, Rusia e pati zhvendosur batalionin e vet nga Bosnja për ta zbarkuar në aeroportin e Prishtinës, duke shkaktuar konfrontim midis komandatëve rusë, britanikë dhe amerikanë.

Pra, edhe nën pushtetin e Jelcinit, edhe me gjithë faktin se ishte akoma e dobët, Rusia atëherë ka dhënë shenja se ka preferenca të shfrytëzojë fuqinë ushtarake. Ne të gjithë e tejkaluam atë situatë me sukses, por Kosova, edhe para Gjeorgjisë, e para e ka ndjerë fuqinë e Rusisë, edhe pse ishte e dobët.

Gjeorgjia tani e ndjen fuqinë e Rusisë së fuqishme. Tani vetëm mund të them falë Zotit që Kosova nuk është në kufi në Rusinë, sepse tani situata do të ishte ndryshe nga ajo që e kemi sot. Gjeorgjianët janë në një situatë të rëndë dhe Moska ka shfrytëzuar padrejtësisht rastin e Kosovës për të arsyetuar ndërhyrjen e saj.

Nuk mendoj se Kosova e ka motivuar këtë intervenim, por është thjesht një racionalizim i përshtatshëm për rusët që të godasin Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar me argumentet që ne kemi shfrytëzuar. Natyrisht, ne e kemi bërë për arsye krejt tjera, por për rusët, shfrytëzimi i rastit të Kosovës është një terminologji e përdorshme për debat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG