Ndërlidhjet

Byrnes: Rreziku nga ndarja de-jure e veriut


Shaun Byrnes
Shaun Byrnes

“Mendoj se është rrezik i madh që ndarja de-facto në veri gradualisht do të mund të shndërrohet në një ndarje de-jure”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish diplomati amerikan, Shaun Byrnes.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Byrnes, gjashtë muaj që prej shpalljes së pavarësisë, shtetin e Kosovës deri më tash e kanë njohur 45 shtete. Si do ta vlerësonit ju këtë proces?

SHAUN BYRNES
Përgjithësisht, është një proces që po lëvizë, por megjithatë më ngadalë se që kanë pritur miqtë tuaj në Shtetet e Bashkuara apo edhe Qeveria e Kosovës. Do ta nënvizoja një çështje të rëndësishme që duhet të mbahet në mend gjithnjë, Kosova është e pavarur dhe kjo nuk bën të harrohet.

Është mirë të kesh njohje, por Kosova është e pavarur, po menaxhon gjithnjë e më shumë jetën e vet dhe nuk i nënshtrohet autoriteteve në Beograd. Kjo është gjëja më e rëndësishme mbi të gjitha dhe jo numri i ambasadave në Prishtinë për shembull.

Është fakt se vetëm 45 shtete e kanë njohur Kosovën dhe këtu ka ndikuar në mënyrë diplomacia jashëtzakonisht energjike dhe efektive e Rusisë dhe deri diku edhe ajo e Serbisë. Rusët e kanë shfrytëzuar ndikimin që kanë në vendet e botës së tretë në mënyrë shumë efektive, veçanërisht në Afrikë, Amerikën Latine dhe në Azi. Edhe serbët kanë bërë njësoj, por janë rusët ata që kanë pasur rol udhëheqës.

Së dyti, mendoj se ndikimi amerikan dhe aftësitë e amerikanëve për të trimëruar dhe për të bindur miqtë në vendet e botës së tretë për të njohur Kosovën janë kufizuar nga humbja e prestigjit të administratës së presidentit Bush për shkak të qasjes unilaterale në çështjen e Irakut.

Dhe në fund, më duhet të them fatkeqësisht se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë gjithë atë që ka mundur të bëjë për të lobuar pikërisht tek këto vendet e botës së tretë dhe vendet muslimane. Duket se, sikurse edhe në pesë-gjashtë vitet e fundit, edhe tash ka tendencë për të ndejtur duarkryq në pritje që miqtë e Kosovës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara për ta bërë punën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Byrnes, situata në veri të Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë duket e “ngrirë”. A shihni ndonjë rrugëdalje?

SHAUN BYRNES
Për fat të keq jo. E kam fjalën për një afat të shkurtër ose të mesëm kohor. Nuk shoh ndonjë ndryshim përderisa nuk ka ndonjë lëvizje radikale në Beograd.

Mendoj se është rrezik i madh që ndarja de-facto gradualisht mund të shndërrohet në një ndarje de-jure.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a nuk do ta hapte një gjë e këtillë “Kutinë e Pandoras”?

SHAUN BYRNES
Natyrisht, natyrisht. Prandaj, edhe mendoj se kjo çështje paraqet sfidën më të madhe për Qeverinë në Kosovë. Kosova është e pavarur, është njohur nga komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa dërmuese e Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën me kufijtë aktual të njohur ndërkombëtarisht dhe prania e NATO-s ofron garanca sigurie.

Por, mbi të gjitha këto realitete, Prishtina nuk arrin ta shtrijë autoritetin në veri të lumit Ibër. Dhe kjo situatë mbase do të zgjasë për një kohë shumë të gjatë, nëse ndërkohë nuk ndodhë ndonjë ndryshim rrënjësor në Beograd apo nëse nuk arrihet ndonjë formë e marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beograditr mbi ndarjen.

Më duhet të them fatkeqësisht se unë nuk shoh ndonjë gatishmëri politike nga ana e komunitetit ndërkombëtar për ta zgjidhur këtë çështje dhe mendoj se ka më shumë retorikë.

Shtetet e Bashkuara janë shumë të pakënaqura me situatën dhe jam shumë i bindur për këtë. Prandaj, situata do të mbetet e ngrirë dhe duke qenë e tillë, do të krijojë hapësirë për strukturat paralele serbë të lëshojnë rrënjë dhe do të shndërrohet në një sfidë gjithnjë e më e madhe për Qeverinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke folur për konfliktet e “ngrira”, si e shihni ju konfliktin në Gjeorgji?

SHAUN BYRNES
Në fund, mund të vlerësohet si një përpjekje për të shkrirë një konflikt tjetër të ngrirë dhe mendoj se pasi të jetë qetësuar paksa situata, do të ketë rikthim të konfliktit të ngrirë.

Në sipërfaqe, asgjë në fakt s’do të ndryshojë, nëse marrëveshja e presidentit Sarkozy funksionon. Në kuptimin strategjik, Gjeorgjia është poshtëruar në aspektin politik dhe padyshim në atë ushtarak.

Ndërkaq, Rusia ka dërguar një mesazh shumë të fuqishëm dhe në mënyrë të suksesshme në adresë të fqinjëve të saj se ka çmim që duhet paguar për ata që i kundërvihen Rusisë. Rusia e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë praninë e NATO-s në këto shtete dhe rajone.

Në fund e shoh ndikimin e Rusisë të rritet në Kaukaz, si rezultat i asaj që ka ndodhur në Gjeorgji.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë së fundi se “për shkak të insistimit të Rusisë, mbi parimin e sovranitetit dhe tërësisë territoriale në rastin e Kosovës, nuk i kanë mbetur shumë argumente kundër Gjeorgjisë që të rifitojë kontrollin e kufjve të saj ndërkombëtarë”. A mund të jepni më shumë hollësi?

SHAUN BYRNES
Po. Gjatë disa viteve të fundit, dhe jo vetëm që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Rusia ka insistuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar, në parimin e mbrojtjes së tërësisë territoriale. Prishtina dhe Shtetet e Bashkuara kanë insistuar në respektimin e së drejtës për vetëvendosje.

Në Kaukaz ndërkaq, rusët kanë mbështetur parimin e vetëvendosjes, duke mbrojtur synimet për shkëputje të abkhazëve dhe osetëve të jugut, një proces ky i cili ka filluar që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Po të shtyhej kjo çështje në formatin e Kombeve të Bashkuara, rusët do të dukeshin shumë qesharakë, ata do të mbronin të drejtën e vetëvendosjes në rastin e Gjeorgjisë dhe kjo do të dobësonte pozicionin e tyre mbi Kosovën.

Rusët janë të vetëdijshëm për këtë dhe në deklaratat e tyre ata thonë se “Kosova nuk ka qenë precedent, se në rastin e Gjeorgjisë nuk është fjala për mbrojtjen e të drejtës për vetëvendosjes, por ata mbrojnë qytetarët e tyre në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi kundër gjenocidit nga ana e Gjeorgjisë”…

E gjithë kjo natyrisht është absurde, është një retorikë qesharake, që për synim ka të maskojë dobësinë e tyre në mbrojtjen e parimit për të drejtën për vetëvendosje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG