Ndërlidhjet

Baran: Rusia kurrë s’do të jetë partner i Perëndimit


Zeyno Baran
Zeyno Baran

"Ka ekzistuar shumë shpresë dhe iluzion njëkohësisht në Perëndim, se Rusia po ndryshon drejt një kahjeje pozitive”, thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Zeyno Baran, analiste në Institutin Hudson.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Baran, edhe pse secila palë argumenton versionin e saj, është fakt se trupat ruse kanë hyrë në Gjeorgji. Si do ta vlerësonit ju këtë veprim të Moskës?

ZEYNO BARAN
Mendoj në fakt se e gjithë kjo nuk ka qenë e befasishme për ata që e kanë përcjellë atë që ka thënë lidershipi rus në raport me Gjeorgjinë. Natyrisht, askush nuk ka pritur sulme të këtilla masive në mbarë territorin.

Që prej samitit të NATO-s në muajin prill, kur Gjeorgjisë i është thënë që do të bëhet anëtare e aleancës, rusët kanë thënë në esencë se nuk do të lejojnë që një gjë e këtillë të ndodhë. Që prej atëherë, rusët kanë provokuar gjeorgjianët për të ndërmarrë veprime ushtarake qoftë në Abkhazi, apo në Osetinë Jugore.

Më duhet të them se gjeorgjianët megjithatë kanë treguar vetëpërmbajtje në masë të madhe, për shkak se amerikanët kanë qenë ata që i kanë tërhequr prapa sa herë që rusët kanë provokuar, duke u thënë "mos reagoni, sepse natyrisht nuk mund të krahasohen mundësitë ushtarake të Gjeorgjisë me ato të Rusisë".

Kjo që ka ndodhur tani ka qenë pothuajse e pamundshme për ta parandaluar, sepse pas të shtënave me armë dhe hyrjes së forcave ruse, besoj se gjeorgjianët nuk kishin zgjidhje tjetër pos të veprojnë si një shtet sovran dhe i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju po thoni se synimi i Moskës është që të pengojë hyrjen e Gjeorgjisë në NATO?

ZEYNO BARAN
Po, por ky është një synim më afatgjatë. Në afatin e shkurtër – edhe rusët po e thonë tani haptazi – synimi është të përmbysin qeverinë e Saakashvillit.

Ish-presidenti Putin, kryeministri aktual i Rusisë, ka një ndjenjë personale të hakmarrjes kundër Saakashvillit, sepse ky vend i vogël ka qenë vërtet simbol i demokracisë dhe ka dëshmuar se një ish-vend i Bashkimit Sovjetik mundet vërtet të zhvillohet në mënyrë pro-perëndimore dhe pro-demokratike.

Pra, synimi parësor dhe më i rëndësishëm për Rusinë është që të përmbysë Saakashvillin dhe qeverinë e tij. Synimi i dytë është të sigurojë se Osetia Jugore dhe Abkhazia të mos jenë më pjesë e Gjeorgjisë dhe së treti, për të parandaluar ndërtimin e çdo naftësjellësi apo gazsjellësi tjetër nga rajoni Kaspik për në Evropë.

Në këtë formë, Rusia do të mund ta ruajë monopolin mbi energjinë. Synimi i katërt do të thosha se ka të bëjë me thyerjen e shpirtit gjeorgjian, duke siguruar mosanëtarësimin e tyre në NATO. Mendoj se në çdo kuptim e kanë tepruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët vijat e gazit dhe të naftës. Është thënë se Rusia mund të ketë qenë e shqetësuar nga fakti se Gjeorgjia po çlirohet nga dominimi i gazsjellësve rusë dhe kjo mund të jetë një nga arsyet për veprimet e Rusisë. A do të pajtoheshit?

ZEYNO BARAN
Pajtohem, po - sepse Gjeorgjia gjithmonë ka qenë vend kyç në korridorin Lindje-Perëndim. Në vitet e vonshme të 90'ta, pas ndërtimit të naftësjellësit, rusët edhe atëherë e kanë kundërshtuar dhe donin ta ndalonin.

Por, atëherë, ata ishin shumë të dobët dhe të paorganizuar për të reaguar. Po të kishte qenë atëherë Rusia që është sot, mund ta kenë bombarduar naftësjellësin atëherë, mund ta kenë sulmuar me mjete ushtarake Gjeorgjinë gjithashtu. Sot, Rusia ndjehet e fuqishme dhe e palëkundshme për të përdorur fuqinë ushtarake.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Perëndimi është dashur të mbrojë apo mbështetë më fuqishëm tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Gjeorgjisë?

ZEYNO BARAN
Absolutisht po. Fjalët janë të rëndësishme, por po e shohim se kjo nuk mjafton. Veçanërisht pas pavarësisë së Kosovës, rusët ua kanë bërë të qartë amerikanëve se nëse e mbështesin pavarësinë e Kosovës, ata do ta shfrytëzojnë si precedent në rajonet separatiste – në Osetinë Jugore dhe Abkhazinë, por kanë dhënë shenja se do ta zbatojnë edhe në Krimea dhe mbase në vendet tjera.

Prandaj, duhet të ketë një përgjigje të palëkundshme, nga Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi, për ta bërë të qartë se Kosova është padyshim rast i veçantë.

Meqë amerikanët dhe evropianët kanë qenë të shpërqendruar për shkak të zhvillimeve në Irak dhe Iran, mendoj se shumëkush nuk e ka pritur që rusët e kanë pasur me gjithë mendje atë çfarë kanë thënë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Rusia është pjesë e zgjidhjes apo…?

ZEYNO BARAN
Para së gjithash, është pjesë e zgjidhjes, fillimisht për faktin se duhet ta ndalin luftën. Ky është minimumi që ata duhet të bëjnë. Pas kësaj, nuk mendoj se rusët do të mund të kenë ndonjë rol paqeruajtës; kjo është absolutisht e padiskutueshme.

Kjo për faktin sepse Rusia e ka shfrytëzuar mundësinë e paqeruajtjes për të mbështetur separatistët. Rusia tani e ka bërë të qartë se është palë në konflikt, pra nuk është një entitet neutral. Rusia nuk do të jetë 'lojtar' në cilëndo zgjidhje të konfliktit si palë neutrale.

Dhe, meqë Rusia natyrisht është anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe gëzon fuqinë e vetos, është e paqartë se si do të zhvillohet procesi në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, mendoj se veprimet e Rusisë kanë qartësuar se Rusia nuk është vendi të cilin udhëheqësit perëndimorë do të donin të jetë. Me anëtarësimin e Rusisë në G8, me pjesëmarrjen e saj në një sërë institucionesh ndërkombëtare dhe afrimin e Lojërave Olimpike në Sochi të Rusisë, mendoj se ka ekzistuar shumë shpresë dhe iluzion njëkohësisht, se Rusia po ndryshon drejt një kahjeje pozitive.

Përfundimisht, Rusia do të jetë një pjesë e zgjidhjes, por kurrë nuk do të konsiderohet si partner i Perëndimit, në mënyrën si është trajtuar deri më tash.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG