Ndërlidhjet

Byrnes: Shteti i ri ka shumë punë përpara


Shaun Byrnes, ish-diplomat amerikan
Shaun Byrnes, ish-diplomat amerikan

Tragjedia në kohën që është zgjatur për të arritur deri këtu, është se kanë vdekur shumë njerëz”, thotë ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Byrnes, Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj. Ju, më herët keni thënë se ky akt ka qenë i pashmangshëm dhe është dashur të ndodhë kohë më parë. Si ndiheni aktualisht?

SHAUN BYRNES
Fillimisht, dua t’i uroj të gjithë kosovarët në ditën e tyre historike. Në veçanti i përgëzoj për faktin se e kanë shpallur pavarësinë dhe e kanë festuar këtë shpallje me dinjitet.
Ata duhet të jenë shumë krenarë për çfarë ka ndodhur, duhet të jenë shumë krenarë me mënyrën se si kanë festuar.

Së dyti, i përgëzoj gjithashtu për durimin e jashtëzakonshëm që kanë pasur në vitet e fundit. Nga populli i Kosovës është kërkuar shumë, është kërkuar të bëjë shumë sakrifica.

Po, unë mendoj se pavarësia është dashur të ndodhë më herët, posaçërisht pas zhvillimeve gjatë viteve të 90’ta. Tragjedia në kohën që është zgjatur për të arritur deri këtu, është se kanë vdekur shumë njerëz. Por, dita e madhe erdhi dhe unë i përgëzoj ata.

RADIO EVROPA E LIRË
Në pritje të njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, si e shihni zhvillimin e këtij procesi?

SHAUN BYRNES
Mendoj se procesi i njohjes do të zhvillohet gradualisht; përballë njohjes së vendeve kyçe të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, edhe vendet tjera do ta bëjnë të njëjtën gjë me kohë. Disa ndoshta deri në fund të kësaj jave ose në dy-tri javët e ardhshme.

Në fund madje mendoj se edhe Rusia dhe Kina do ta njohin pavarësinë. Më lejoni që në këtë kuadër të përmend dy probleme. Njëri është për shembull Qiproja, e cila e ka bërë të qartë se nuk do ta njohë pavarësinë nga frika se ajo mund të pasqyrojë një precedent.

Tash për tash, kjo nuk është edhe aq problematike, meqë Qiproja është pajtuar për dërgimin e misionit evropian në Kosovë. Por, me kalimin e kohës, Qiproja mund të jetë problem në kohën kur Kosova arrin pragun për të kërkuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Unë madje e shoh Qipron duke shfrytëzuar veton e saj mbi këtë çështje, megjithëse po flasim për periudhën pas 10 vjetësh. Tash për tash nuk do të shqetësohesha shumë për këtë çështje.

Problemi i dytë natyrisht është Serbia; Serbia është e rëndësishme për Kosovën dhe anasjelltas, posaçërisht në aspektin ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi dhe Moska e kundërshtojnë ashpër pavarësinë e shpallur. A mund të ketë ndonjë ndikim ky kundërshtim i tyre?

SHAUN BYRNES
Të flasim fillimisht për rusët. Do të doja ta theksoj se nuk mendoj se Rusia vërtet çan kokën për Kosovën në aspektin politik. Kosova ka qenë vetëm një letër tregtie, një figurë shahu, në një kontest më të gjerë, midis Rusisë në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër.

Moska çan kokën vetëm për burimet energjetike dhe në këtë kuadër, Kosova ka sasi të jashtëzakonshme të linjitit, zinkut dhe nikelit. Por, Rusisë i interesojnë burimet energjetike dhe infrastruktura energjetike në Ballkan, sepse duke i kontrolluar këto burime, Moska shton mundësitë e veta për të ndikuar edhe më shumë politikisht në Bashkimin Evropian.

Siç e dini, blloku evropian tashmë është shumë i varur nga energjia e Rusisë. Kundërshtimi i Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës do të ketë një ndikim të caktuar; siç e dini, Moska e ka bllokuar bekimin e Këshillit të Sigurimit dhe ajo do të vazhdojë të punojë për ta mbajtur Kosovën jashtë Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, ndikimi i vërtetë në raportet Kosovë – Rusi do të jetë më i gjerë, por do të pasqyrohet kryesisht në marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Sa për Serbinë, dështimi i saj për ta njohur pavarësinë thjesht do të krijojë një fqinjësi të brishtë me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Byrnes, çfarë sfidash shihni përpara shtetit të posalindur?

SHAUN BYRNES
Shteti i ri ka shumë punë për të bërë. Unë shoh një numër sfidash, të cilat do t’i karakterizoja në dy kategori, në atë të sfidave të menjëhershme dhe atë të sfidave afatgjate.

Në rubrikën e sfidave të menjëhershme, mendoj se sfida më e madhe e shtetit të ri aktualisht është zbatimi i provizioneve të Martti Ahtisaarit në respektimin e pakicave kombëtare, veçanërisht të serbëve.

E gjithë bota do t’i ketë sytë e drejtuar nga Kosova, për të parë nëse do t'i nderojë zotimet që ka dhënë për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e serbëve të Kosovës.

Në pikëpyetje është imazhi i Kosovës në botë, por edhe njohja e pavarësisë nga ato shtete jashtë rrethit të atyre që kanë qenë mbështetëse të pavarësisë, si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, etj. Dhe natyrisht, në pikëpyetje do të jetë edhe ndihma financiare dhe investimet. Kjo është një sfidë shumë kritike dhe me të Kosova do të përballet që sot.

Sfida e dytë ka të bëjë me situatën në veri të lumit Ibër. Por, thënë sinqerisht, në këtë periudhë, kjo është më tepër një sfidë me të cilën do të përballet Bashkimi Evropian. Nëse Bashkimi Evropian nuk arrin t’i bindë serbët e Kosovës ta njohin autoritetin e misionit, me kohë do të shfaqen vështirësi shumë, shumë të mëdha.

Në kategorinë e sfidave më afatgjate, i shoh tri çështje kyçe. E para është lufta kundër korrupsionit, e dyta është ekonomia dhe e fundit është lidershipi politik.

Është thelbësore për zhvillimin e ardhshëm demokratik të Kosovës që Hashim Thaçi dhe kolegët e tij, jo vetëm ata nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, por nga të gjitha partitë politike, të zhvillojnë liderë të rinj. Në këtë mënyrë, të vjetrit do të zëvendësoheshin në mënyrë graduale.

Nuk mendoj se do të ishte e shëndetshme për demokracinë në Kosovë nëse, për shembull, pas 25 vjetësh i shohim fytyrat e njëjta në pushtet.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG