Bujar Tërstena është kameraman dhe montazhier i Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.
Ish-futbollisti kosovar, Armend Dallku, thotë se po përcjell me shqetësim dhe dhembje luftën ruse në Ukrainë. Dallku, i cili për më shumë se një dekadë ka jetuar në këtë vend dhe ka luajtur për ekipin e futbollit atje, thotë se ka shokë e miq në Ukrainë, që po rrezikohen nga sulmet ruse.
Qytetarët e disa shteteve të Ballkanit Perëndimor, përmes protestave, kundërshtuan pushtimin e Ukrainës nga Rusia, që nisi mëngjesin e 24 shkurtit. Ata u solidarizuan me popullin e Ukrainës dhe bënë thirrje për ndalimin e luftimeve.
Aktivistë të organizatës joqeveritare Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe disa qytetarë të tjerë u mblodhën të premten pranë Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, për të protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Në Kosovë, besohet se rreth 38 mijë fëmijë me nevoja të veçanta janë jashtë sistemit arsimor. Një prej tyre është edhe një vajzë 14-vjeçare nga fshati Lipovec i Gjakovës, babai i së cilës, edhe pse i verbër, po bën çdo përpjekje për ta arsimuar vajzën që ka probleme me shikim.
Eva Qerimi ka më shumë se dhjetë vjet që shtetasve të huaj në Kosovë, ua mëson gjuhën shqipe. Kurset i ka nisur me vetëm katër studentë; sot janë mesatarisht 60 në vit që mësojnë shqipen. Qendra që Eva drejton, ofron mësime edhe në gjuhë të tjera.
Betim Bregovina, një 35-vjeçar i verbër nga Obiliqi, ka realizuar ekspozitën e tij me fotografi në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Edhe pse me vetëm 1 për qind shikim, Betimi merret me artin e fotografisë tash e 15 vjet.
Skitarja nga Prishtina, Kiana Kryeziu, është vajza e parë që do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat do të mbahen në Pekin në muajin shkurt. Pjesëmarrjen në këto lojëra, 17-vjeçarja thotë se e kishte ëndërr qysh kur ishte e vogël. Ëndërr e saj është edhe medalja.
Një tenist i ri nga Kosova nga komuniteti serb, Filip Paviq (15), do të udhëtojë drejt Zvicrës në janar, në kërkim të një perspektive më të mirë. Kjo iu mundësua nga një shqiptar nga Gjilani, i cili mësoi se Filipi nuk kishte kushte për stërvitje adekuate.
Që nga viti 2018, Arjeta Gashi udhëheq Shoqatën e Prindërve të Ndarë, e cila ndihmon nënat vetushqyese në Kosovë. Përgjatë tre vjetëve të ekzistencës, shoqata ka ndihmuar më shumë se 230 gra.
Në Kazermën “Minatori” të FSK-së në Mitrovicë, 37 nga rreth 400 ushtarët që bëjnë pjesë në Regjimentin e Këmbësorisë, janë gra. Në numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të FSK-së, 11 për qind janë gra, ndërsa në Policinë e Kosovës 15 për qind.
Ish-senatori amerikan, Bob Dole, i cili vdiq në moshën 98-vjeçare, një pjesë të karrierës së tij ia kushtoi Kosovës dhe rrugës së saj drejt pavarësisë. Radio Evropa e Lirë u hodhi një vështrim ngjarjeve kryesore që përshkuan këtë angazhim të tij.
Remzi Rashica nga Vushtrria ka më shumë se tre vjet që e ka njërën këmbë të amputuar, si pasojë e një infeksioni, të cilin thotë që e kishte marrë në vitin 2018 gjatë trajtimit në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. Për çdo vit, janë qindra pacientë që marrin infeksione brendaspitalore gjatë trajtimit në klinikat e QKUK-së Prishtinë. Vetëm gjatë vitit 2020, u infektuan mbi 350 pacientë.
Në Deçan, 90 kilometra nga Prishtina, qytetarët ndezën qirinj për të nderuar viktimat e sulmit me armë zjarri ndaj një autobusi që po udhëtonte në fshatin Gllogjan më 26 nëntor. Nga ky sulm mbetën të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se po i analizojnë shkaqet për rezultatin e zgjedhjeve lokale për Lëvizjen Vetëvendosje që e ka quajtur “të pakënaqshëm”.
Sinan Korllak, një 18-vjeçar nga Prizreni, për herë të parë ka votuar në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës. Sinani thotë se rinia në këtë qytet nuk gëzon përkrahje, derisa kërkon nga kryetari i ri i komunës ngritje të nivelit të arsimit, si dhe fuqizim të rolit të rinisë.
Partitë më të mëdha politike në Kosovë kanë vazhduar t’i shkelin masat kundër COVID-19 gjatë fushatës zgjedhore për balotazh në 21 komuna të vendit. Dënimet e pakta ose fare, kanë inkurajuar partitë që të organizojnë tubime edhe më të mëdha qëkur filloi fushata më 8 nëntor.
Ndonëse u shkollua për mjekësi, dashuria e madhe për kujdesin ndaj fëmijëve bëri që Sadete Hajrizi t’ua kushtojë afër 18 vjet të jetës së saj fëmijëve pa përkujdesje prindërore. Ajo tani është një SOS-nënë dhe jeton me pesë fëmijë që i konsideron familje.
Të premten në Prishtinë ekipet mobile kanë nisur vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19. Një praktikë e këtillë do të fillojë së shpejti edhe në komuna të tjera të Kosovës. Ministria e Shëndetësisë iu bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë edhe këtë mundësi shtesë për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.
Komuna e Kllokotit është një prej dhjetë komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe, ku Lista Serbe nuk fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, fitoi pa problem në nëntë komuna të tjera të banuara me shumicë serbe. Siç thanë disa prej banorëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, në raundin e balotazhit ata do të votojnë për kushte më të mira të jetesës. Qytetarët thanë se banorët e kësaj komune po detyrohen të largohen nga ky vendbanim, jo për shkak të problemeve politike, por për shkak të problemeve ekonomike.
Qytetarët në Prishtinë dhe në Veri të Mitrovicës kanë pritje të ndryshme nga zgjedhjet lokale, të cilat mbahen të dielën. Në Prishtinë ata presin ndërtimin e shkollave e çerdheve të reja, kurse në veri thonë se duan të mbesin, siç thonë ata, në trojet e tyre.
Shfaq më shumë