Ndërlidhjet

Zviceranët varin shpresat te futbollistët me origjinë nga Kosova


Ndeshja e “Kosovës” me Serbinë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Ndeshja e “Kosovës” me Serbinë

Kombëtarja e Zvicrës në futboll dhe ajo e Serbisë, janë në tension para ndeshjes të së premtes në kuadër të Kampionatit Botëror, “Rusia 2018”.

Tensioni është rritur sidomos për faktin se në kuadër të kombëtares së Zvicrës luajnë katër shqiptarë, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka nga Kosova, ndërsa Blerim Xhemajli nga Maqedonia.

Në Prishtinë dhe Beograd kanë reagime të ndryshme për këtë ndeshje.

Armend Pllana nga Prishtina thotë se ndeshja është më shumë se një lojë futbolli.

“Presim që shqiptarët, kosovarët që janë aty, ta tregojnë veten dhe me një fitore bindëse të na gëzojnë”, thotë Pllana.

Në Beograd nuk pajtohen me veprimet e futbollistëve shqiptarë. Ata thonë se më parë Xhaka, Behrami, Shaqiri e Xhemajli, kanë provokuar duke përdorur flamurin e Kosovës dhe duke bërë me duar shqiponjën.

"Ka pasur provokime në Instagram dhe Facebook për shkak të vendosjes së flamujve nga lojtarët zviceranë. Mendoj se lojtarët tanë janë të vetëdijshëm se nuk do të ketë provokime gjatë ndeshjes së futbollit", thotë Ninoslav Grigorov.

Ndeshja ka kaluar dimensionin sportiv pasi ka bërë të deklarohet edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Ai ka kërkuar nga lojtarët serbë që të luftojnë në fushë.

“Është shumë e rëndësishme për ta që të luftojnë, ta lënë zemrën e tyre në fushë, të luftojnë për shtetin e tyre”, deklaruar Vuçiq.

Shqiptarët e Zvicrës i ka përkrahur edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila ka shkruar:“Me gjithë zemrën time po ju bëj tifo”.

Mediat ndërkombëtare i kanë dhënë shumë rëndësi prejardhjes së futbollistëve shqiptarë të kombëtares së Zvicrës.

Guardian shkruan të premten se si tre kosovarët, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami kanë prejardhje nga Kosova. Në shkrim përshkruhen atletet e Shaqirit në të cilat, në njërën këmbë ai ka flamurin e Zvicrës, ndërsa në anën tjetër flamurin e Kosovës.

Guardian vë në pah faktin se si familjet e Behramit, Xhakës dhe Shaqirit ishin larguar nga lufta në vitet ’90, kur Serbia i hoqi autonominë Kosovës.

Ndeshja e kaluar e kombëtares zvicerane me Brazilin dhe preformanca shumë e lartë e Valon Behramit i ka bërë mjaft optimiste mediet në Zvicër.

Për këtë ndeshje, në titullin kryesor të ballinës së mediumit zviceran, Blick, shkruhet, “Humbja është e ndaluar sot”.

Blick e cilëson historike këtë ndeshje dhe motivon lojtarët që të japin maksimumin për të kaluar në fazën tjetër të Kampionatit Botëror.

Ky medium, po ashtu, raporton për afërsinë e rusëve me popullin serb.

Sipas tyre, kjo ka bërë që shërbimet e sigurisë në Rusi të angazhohen maksimalisht që të mos lejohet futja në stadium e asnjë flamuri të Kosovës, mirëpo edhe të asaj që mediumi zviceran e quan, Shqipëri e Madhe.

Agjencia Reuters e nis shkrimin e saj rreth ndeshjes me deklaratën e mesfushorit serb, Nemanja Matiq, i cili ka deklaruar se “Serbia është e përgatitur për një ndeshje ferri ndaj Zvicrës”.

Ndeshja e së premtes është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, si për Serbinë ashtu edhe për Zvicrën.

Kjo për faktin se nëse Serbia e humb ndeshjen me Zvicrën, atëherë të gjitha shpresat për kualifikim do t’i ketë në ndeshjen e fundit me Brazilin.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG