Policia: Situata në veri është stabile dhe e menaxhueshme
Policia e Kosovës tha se situata në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – është stabile dhe e menaxhueshme nga ky institucion.
Megjithatë, Policia tha se situata po përcillet “me incidente të natyrave të ndryshme, ku individë apo grupe kriminale të orientuara për interesa të caktuara, përmes formave të ndryshme po kryejnë vepra kriminale me qëllim të frikësimit dhe cenimit të sigurisë së qytetarëve në komunat veriore”.
Policia tha se rritja e kapaciteteve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po bëhet me qëllim të ofrimit të sigurisë, mbrojtjes së jetës e pronësisë dhe parandalimit të akteve të ndryshme kriminale.
“Edhe përkundër incidenteve dhe sulmeve të tilla të drejtuara ndaj institucioneve me mjete shpërthyese, sulmit ndaj zyrtarëve policorë siç ishte rasti i mbrëmshëm ‘vrasje e rëndë në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ si dhe rasti i ndodhur sot ‘kanosje’ ndaj dy gazetarëve të mediumit Kallxo.com, Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja policore në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidenca në pritje të raportit të KQZ-së për zgjedhjet në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është në pritje të raportit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që më pas të marrë vendim që të shtyjë ose jo zgjedhjet në katër komunat në veri.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri të Kosovës janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor.
Por, për shkak të incidenteve në veri, që kishin për cak edhe zyrat zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, është nxitur debati nëse këto zgjedhje duhet të shtyhen.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë zgjedhjet lokale në veri.
Maliqi: Situata në veri, komplekse dhe me rreziqe potenciale
Situata në veri të Kosovës është komplekse dhe me shumë rreziqe potenciale, vlerëson Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike në Kosovë.
“Dje kemi pasur një polic të plagosur dhe [situata] mund të shkojë drejt një përshkallëzimi më të madh, gjë që vërehet edhe me retorikën gjithnjë e më kërcënuese”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, për zgjidhjen e këtij problemi kërkohet një zgjidhje përfundimtare politike midis Kosovës dhe Serbisë. Pasi sipas tij, me këtë situatë, rrezikohet që veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe – të kthehet në një zonë të krizës permanente apo të përshkallëzimit në një konflikt në nivele më të thella.
Më poshtë mund të dëgjoni bisedën me Agon Maliqin:
Bërnabiq: Serbia synon të kërkojë kthimin e trupave në Kosovë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se Serbia synon të kërkojë kthimin e një numri të caktuar trupash në Kosovë.
Gjatë një deklarimi për media nga aeroporti “Nikolla Telsa” në Beograd, Bërnabiq tha se veprimet e homologut të saj kosovar, Albin Kurti, “na sollën në prag të konfliktit të armatosur”.
“Në këto rrethana, Serbia ka të drejtën dhe synimin, sipas rezolutës 1244, të kthejë një numër të caktuar trupash në Kosovë”, theksoi Bërnabiq.
Bërnabiq u bëri thirrje shteteve në botë që të respektojnë këtë të drejtë, që sipas saj buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ajo tha se gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të japë më shumë informacione lidhur me atë se si do të kërkohet kthimin e trupave në Kosovë, në bazë të kësaj rezolute.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU