Lista Serbe: Radoiçiq, bartës i rezistencës në veri
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – e ka dënuar vendimin e autoriteteve britanike për të sanksionuar zëvendës-presidentin e kësaj partie, Millan Radoiçiq, dhe e konsideruar atë “patriot të dëshmuar të rezistencës ndaj pushtimit të veriut të Kosovës” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Për më shumë, këto veprime transparente dhe etiketime pa asnjë provë ndaj tij, prej të cilave përfiton Albin Kurti për të prezantuar veriun si vend krimi, shpërfaqin gjithë nervozimin e atyre që duan të gjunjëzojnë serbët për më shumë se dy dekada, për t’i asimiluar dhe dëbuar ata nga shtëpitë e tyre”.
Në vendimin e autoriteteve britanike është thënë se Milan Radoiçiq, biznesmen nga industria e ndërtimit, "ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t'u dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të tij të ndërtimit".
Përveç Radoiçiqit, Britania ka sanksionuar edhe Zvonko Vesellinoviqin dhe Sllobodan Teshiqin.
BE bën thirrje për përgjegjësi dhe shtensionim të situatës në veri
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se BE-ja dhe vendet anëtare të saj janë “shumë të shqetësuara” për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
“BE-ja dhe vendet anëtare bëjnë thirrje për përgjegjësi dhe shtensionim [të situatës], sepse kjo, para së gjithash, është e nevojshme për mirëqenien e popullatës lokale”, tha Stano në një konferencë për media.
Ai shtoi se “situata në terren po monitorohet me shumë kujdes”.
Ai, gjithashtu, konfirmoi se misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX, dhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, janë në rolet e tyre përkatëse, si reagues të dytë dhe të tretë - pas Policisë së Kosovës.
Osmani: Plagosja e zyrtarit policor është veprim kriminal
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konsideruar veprim kriminal plagosjen e një zyrtari policor më 8 dhjetor në veri të Kosovës.
Policia ka thënë se njësitë që kanë qenë në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata” nga një veturë me targa KM.
Sipas autoriteteve shëndetësore, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Osmani ka dënuar edhe sulmet ndaj gazetarëve, pas njoftimit se në mëngjesin e 9 dhjetorit, në pjesën veriore është sulmuar një ekip i mediumit kallxo.com.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ky ekip është sulmuar nga "një grup i maskuar i serbëve në afërsi të Shkollës Teknike”.
“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook.