Ndërlidhjet

Zgjerimi i kushtëzuar i BE-së


"E ardhmja është Evropa", shkruan në selinë e Komisionit Evropian.
"E ardhmja është Evropa", shkruan në selinë e Komisionit Evropian.

Bashkimi Evropian mbështet perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmon përkushtimin e tij për procesin e zgjerimit” të bllokut evropian, thuhet në deklaratën e Samitit të Bërdos në Slloveni.

Por, sipas deklaratës, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, që pritet të miratohet në samitin që mbahet më 6 tetor ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, procesi i zgjerimit do të bazohet në reformat “kredibile nga partnerët, kushtëzim i drejt dhe rigoroz dhe bazuar në parimet e meritave individuale”.

“Ne gjithashtu riktheksojmë rëndësinë që BE-ja të mbajë dhe thellojë zhvillimin e vetë, duke u siguruar për kapacitetin e saj që të integrojë anëtarë të rinj”, thuhet në deklaratë.

Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti.

Nga shtetet e Ballkanit, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën drejt BE-së, ndërkaq, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë hapur negociatat për anëtarësim, pasi Bullgaria ka vendosur veto, për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar sa i përket identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina mbeten të fundit, ku ende nuk kanë bërë hapa drejt hapjes së negociatave për anëtarësim. Në rastin e Kosovës, janë edhe pesë shtete të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania), që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe BE-ja mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

Në këtë dokument termi “partnerë” i referohet shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në deklaratë po ashtu thuhet se këto shtete duhet të ndërmarrin një sërë reformash dhe ritheksohet zotimi i këtyre shteteve për demokraci, respektim të të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisjes së mirë, barazizë gjinore dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë.

Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, kritik për stabilitetin e rajonit

BE-ja vë theksin te marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke përmendur edhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Marrëveshjes për fqinjësi të mirë ndërmjet Shkupit dhe Sofjes si dhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që të zgjidhen mosmarrëveshjet bilaterale, që datojnë nga e kaluara.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd (v.j. Mirosllav Lajçak) dhe presim përparim konkret nga të dyja palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e gjithë rajonit dhe për t’u siguruar se ata mund të vazhdojnë në rrugët e tyre respektive drejt BE-së”, thuhet në deklaratë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011, thuhet se ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

BE-ja, “partnerja dhe donatorja më e madhe”

Në deklaratën e Samitit të Bërdos thuhet se BE-ja deri më tani është parnerja më e ngushtë dhe investiroja dhe donatorja kryesore e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Aty përmendet edhe ndihma që blloku evropian u ka dhënë shteteve të Ballkanit Perëndimor gjatë pandemisë COVID-19, ku theksohet se janë dhuruar 2.9 milionë doza, me premtimin se do të vazhdojë të kontribuojë në këtë drejtim.

Në investimet e BE-së përmendet Plani për Investime Ekonomike dhe zbatimi i Agjendës së Gjelbër për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku gjatë shtatë vjetëve të ardhshme BE-ja do të investojë rreth 30 milionë euro. Blloku evropian tha se është thelbësore që përpjekjet të fokusohen në tranzicionin efektiv nga përdorimi i qymyrit dhe të përdoren karburante që emetojnë më pak karbon ose burime të ripërtërishme.

Po ashtu BE-ja kërkon nga shtetet e Ballkanit që t’iu përbahen zotimeve të dhëna në Samitin e Sofjes më 2020 për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

“Kjo do të ndihmonte në avancimin e rajonit në rrugën evripiane dhe do të sillte përfitime për qytetarët dhe bizneset”, thuhet në deklaratë.

Migrimi

Në deklaratë përmenden edhe sfidat e sigurisë me të cilat përballen BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, siç janë kërcënimet hibride, dezinformatat, krimi i organizuar, radikalizmi e të tjera, ku kërkohet bashkëpunimi më i ngushtë.

Menaxhimi i migrimit po ashtu përmendet si një sfidë e përbashkët ku me theks të veçantë potencohet “situata serioze në Afganistan".

“BE-ja do të punojë me të gjithë partnerët, përfshirë ata të Ballkanit Perëndimor për t’iu përgjigjur sfidave dhe për të koodinuar përgjigjen e përbashkët”, thuhet në deklaratë, kur bëhet fjalë për Afganistanin.

Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut janë në mesin e shteteve që kanë pranuar refugjatë afganë, të cilët ikën nga shteti pasi talibanët morën kontrollin.

Afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me misionet e huaja, do të qëndrojnë përkohësisht në këto shtete, derisa të rregullohen dokumentet e tyre për qëndrim më afatgjatë në Shtetet e Bashkuara apo në shtete të tjera të NATO-s.

Samiti në Bërdo do të orgnizohet nga presidenca sllovene e BE-së. Ky samit është pjesë e strategjisë së BE-së për angazhim me Ballkanin Perëndimor që është në linjë me Agjendën Strategjike 2019-2024 dhe mbahet pas Samitit të Sofjes më 2020 dhe atij të Zagrebit, që u mbajt përmes video-konferencës për shkak të pandemisë COVID-19.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG