Ndërlidhjet

Gjithçka që duhet të dini për zgjedhjet kyç në Gjeorgji


Qytetarët gjeorgjianë gjatë një proteste proevropiane në Tbilisi më 20 tetor 2024.
Qytetarët gjeorgjianë gjatë një proteste proevropiane në Tbilisi më 20 tetor 2024.

Votuesit gjeorgjianë do të votojnë më 26 tetor në zgjedhjet parlamentare, që të gjitha palët i shohin si një udhëkryq në historinë moderne të shtetit. Tensionet janë rritur para zgjedhjeve dhe pa ndonjë sondazh të besueshëm, gjithkush mund të hamendësojë për rezultatin e tyre.

Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjia, është në pushtet që nga viti 2012 dhe po kërkon edhe një mandat tjetër katërvjeçar. Kjo parti i ka cilësuar këto votime si zgjedhje mes paqes dhe luftës. Mesazhi i fushatës së kësaj partie është mbizotëruar nga argumenti që nëse opozita merr pushtetin, atëherë ajo do ta fusë Gjeorgjinë në luftë kundër Rusisë.

Rusia kundrejt Perëndimit

Për opozitën, votimet paraqesin zgjedhje mes Perëndimit apo Rusisë, dhe mes demokracisë apo autoritarizmit. Këtij narrativi i kanë bërë jehonë edhe zyrtarët në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Zgjedhjet “do të jenë një moment i së vërtetës dhe populli gjeorgjianë do të duhet të vendosin se në çfarë drejtimi duan të shkojnë: drejt Evropës apo të ndahen nga Evropa”, tha shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. “E ardhmja e shtetit është në pyetje”.

Kthimi prapa i demokracisë

Votimet do të mbahen në një periudhë jashtëzakonisht të trazuar edhe për standardet politike gjeorgjiane. Ëndrra Gjeorgjiane gjithnjë e më shumë ka përqafuar një retorikë antiperëndimore dhe ka miratuar ligje kundërthënëse që kjo parti i ka justifikuar si mjete për të luftuar ndikimin e huaj në shtet.

Në mesin e ligjeve të miratuara, përfshihet ai që ndalon “propagandën LGBT” dhe po ashtu kërkesës që organizatat joqeveritare dhe mediat, që marrin fonde nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj”. Ligji i fundit nxiti protesta të mëdha në Gjeorgji pranverën e këtij viti.

Forcat opozitare

Zgjedhjet do të mbahen sipas një sistemi të ri zgjedhor, sipas së cilit, partitë apo koalicionet duhet të kalojnë pragun prej 5 për qind që të hyjnë në Parlament. Kjo ka motivuar shumë parti opozitare të Gjeorgjisë që të bashkëpunojnë deri në njëfarë mase, për të formuar koalicione në mënyrë që të kenë shans që ta kalojnë pragun. Në fund, janë katër forca të mundshme opozitare:

  • Uniteti – Për të shpëtuar Gjeorgjinë, një koalicion i udhëhequr nga ish-partia në pushtet, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare (ENM), që dikur udhëhiqej nga ish-presidenti i burgosur, Mikheil Saakashvili
  • Koalicioni për Ndryshim, që kryesisht përbëhet nga ish-figura të tjera të lidhura me ENM-në
  • Gjeorgjia e Fortë, një koalicion me pikëpamje të ndryshme ideologjike, që ka tentuar ta pozicionojë veten as si ENM-ja, e as si Ëndrra Gjeorgjiane
  • Për Gjeorgjinë, një parti që udhëhiqet nga Giorgi Gakharia, i cili ishte kryeministër nga viti 2019 deri më 2021,në Qeverinë e Ëndrrës Gjeorgjiane, por më pas u prish me këtë subjekt

Përderisa këto katër forca kanë disa dallime sa u përket premtimeve parazgjedhore, ato gjerësisht janë të bashkuara në prioritetin e tyre kryesor: rrëzimin nga pushteti të Ëndrrës Gjeorgjiane. Po ashtu, kryesisht këto forca opozitare kanë drejtuar akuza ndaj partisë në pushtet dhe jo ndaj njëra-tjetrës.

Të gjitha forcat opozitare kanë nënshkruar “Kartën Gjeorgjiane” të prezantuar nga presidentja Salome Zourabichvili, përmes së cilës janë pajtuar që në rast se opozita do të fitojë, do ta lejojnë atë që të formojë një qeveri teknokratike që do të rivendoste raportet e mira me Perëndimin dhe do të zhbënte shumicën e ligjeve autoritare që Ëndrra Gjeorgjiane ka miratuar me shpejtësi.

Zourabichvili, mandati i së cilës përfundon në fund të këtij viti, u zgjodh presidente si kandidate e pavarur më 2018, por ishte mbështetur nga Ëndrra Gjeorgjiane. Që atëherë, ajo e ka distancuar veten nga partia.

Avantazhi i partisë në pushtet

Partia në pushtet në Gjeorgji tradicionalisht ka një avantazh zgjedhor, pasi mund të kërkojë nga punonjësit qeveritarë dhe familjarët e tyre që të votojë për të. Vëzhguesit perëndimorë kanë thënë se zgjedhjet e mëparshme në Gjeorgji kanë pasur probleme, por kanë qenë legjitime.

Por, mandati autoritar i Ëndrrës Gjeorgjiane dhe shënjestrimi që partia ua ka bërë veçmas grupeve monitoruese të zgjedhjeve si “agjentë të huaj” ka rritur frikën se mund të ketë më shumë mashtrime zgjedhore kësaj radhe.

Një pankartë zgjedhore e Ëndrrës Gjeorgjiane, ku shfaqen portretet e udhëheqësve opozitarë. Mesazhi i vendosur poshtë portreteve të tyre thotë : "Jo luftës, jo agjentëve". Tbilisi, 22 tetor 2024.
Një pankartë zgjedhore e Ëndrrës Gjeorgjiane, ku shfaqen portretet e udhëheqësve opozitarë. Mesazhi i vendosur poshtë portreteve të tyre thotë : "Jo luftës, jo agjentëve". Tbilisi, 22 tetor 2024.

Udhëheqësit e Ëndrrës Gjeorgjiane kanë deklaruar se qëllimi i tyre është që të fitojnë, jo me një rezultat të ngushtë, por të kenë shumicë të tillë sa të mund të bëjnë ndryshime kushtetuese. Për këtë, partisë i duhet të fitojë 113 nga 150 ulëset parlamentare dhe një shumicë e tillë do t’i mundësonte Ëndrrës Gjeorgjiane sundim edhe më të njëanshëm. Ata kanë premtuar se me një shumicë kushtetuese do të forconin ligjet kundër LGBT-së dhe do të ndalonin të gjitha partitë e mëdha opozitare, duke i cilësuar ato si përgjegjëse për provokimin e luftës së vitit 2008 kundër Rusisë dhe për tentimin që ta fusin shtetin sërish në luftë.

Duke pasur parasysh paqartësinë rreth rezultatit, shumë druajnë se mund të ketë trazira pas zgjedhjeve. Për herë të parë, Gjeorgjia do të përdorë sistemin elektronik të numërimit të votave dhe rezultatet pritet të bëhen të ditura një apo dy orë pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 20:00, sipas kohës lokale në Gjeorgji.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG