Ndërlidhjet

Zelensky thotë se qëllimi i Rusisë “nuk ka ndryshuar”, pas bombardimeve vdekjeprurëse në Ukrainë


Një ndërtesë banimi në rajonin e Donjeckut, Ukrainë, digjet pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse të Rusisë gjatë natës.
Një ndërtesë banimi në rajonin e Donjeckut, Ukrainë, digjet pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse të Rusisë gjatë natës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se bombardimet vdekjeprurëse të Rusisë në ditët e fundit, tregojnë se synimet e luftës së Moskës “nuk kanë ndryshuar”, prandaj bëri thirrje për sanksione të reja.

"Sulmet e tilla tregojnë se synimet e Rusisë janë të pandryshuara", shkroi Zelensky në Telegram të shtunën.

"Prandaj, është shumë e rëndësishme të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur jetën, për ta forcuar mbrojtjen tonë ajrore dhe për t’i rritur sanksionet kundër Rusisë", shtoi ai.

Të paktën 20 njerëz u vranë si pasojë e sulmeve ajrore ruse gjatë natës në Ukrainën lindore, sipas zyrtarëve ukrainas.

Një ditë më herët, Rusia kreu një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës energjetike dhe gazin në disa rajone të Ukrainës.

Pas sulmit ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se do të vendosë sanksione shtesë ndaj Rusisë, e cila e nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

Sulmi masiv, i 30-ti ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të gjerë nga Rusia në vitin 2022, është pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për ta goditur sektorin jetik energjetik të Ukrainës. Në dy javët e fundit, sulmet ruse kanë goditur në mënyrë të përsëritur objektet energjetike në rajonin e Odesës.

Pavarësisht mohimeve të përsëritura të Moskës se nuk e sulmon infrastrukturën civile, Ukraina dhe organizatat ndërkombëtare i kanë quajtur këto sulme krime lufte.

Zelensky u ka kërkuar ditëve të fundit aleatëve të tij që t’i bëjnë trysni Rusisë për ta përfunduar luftën, me një armëpushim ajror dhe detar si hapi i parë.

Në një fjalim më 7 mars para sulmeve të fundit të Rusisë, Zelensky tha se Ukraina dëshiron paqe "sa më shpejt që është e mundur dhe është e vendosur të jetë shumë konstruktive".

"Tema është e qartë: paqe sa më shpejt, siguri sa më të besueshme", tha ai.

Trump nuk dha hollësi rreth masave të mundshme ndaj Rusisë. Ai kishte folur disa ditë pas inaugurimit të tij më 20 janar për mundësinë e përdorimit të "taksave, tarifave dhe sanksioneve" për ta shtyrë Rusinë të ulet në tryezën e bisedimeve, por nuk janë ndërmarrë masa të reja.

Duk folur në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë më 7 mars, Trump tha se ai beson se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron paqe, por sugjeroi se ai do të donte garanci më të forta nga Kievi.

"Mendoj se të dyja palët duan që kjo të zgjidhet", tha ai, por "e shoh më të vështirë, sinqerisht, të bashkëpunoj me Ukrainën, dhe ata nuk janë në pozitë të fuqishme".

Trump e mbrojti vendimin e tij këtë javë për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Kievin dhe për të kufizuar ndarjen e informatave të inteligjent me Ukrainën, duke thënë: "Duhet të di se ata duan ta zgjidhin këtë. Nëse nuk duan ta zgjidhin, ne largohemi".

"Ukraina duhet të veprojë dhe ta bëjë punën e vet", tha ai.

Pavarësisht tensioneve, një delegacion nga Ukraina do të udhëtojë në Arabi Saudite javën e ardhshme për t’i takuar zyrtarët amerikanë me qëllimin për ta gjetur një kornizë për një marrëveshje paqeje.

Në ngjarjen e Shtëpisë së Bardhë me Trump më 7 mars, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, tha se ai dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të takohen me delegacionin ukrainas në Arabi Saudite.

Waltz tha se mendon se Shtetet e Bashkuara "do t’i kthejnë gjërat në binarë me Ukrainën".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG