Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërëcnuar me vendosje të sanksioneve shtesë ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të sulmeve në Ukrainë, duke sugjeruar se masat do të kishin për qëllim që ta shtynin Kremlinin drejt një armëpushimi dhe në përfundimisht të arrihej një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës që Moska nisi kundër Ukrainës më 2022.
Komentet e Trumpit vijnë në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve që t’i bëjnë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës, me një armëpushim ajror dhe detar si hap i parë, pasi Moska kreu një sulm masiv me raketa dhe dronë që shënjestruan infrastrukturën e energjisë dhe gazit në disa rajone të Ukrainës.
“Bazuar në faktin që Rusia po e ‘shkatërron’ Ukrainën në fushëbetejë aktualisht, unë po e shqyrtoj seriozisht vendosjen e sanksioneve të mëdha bankare, tarifa ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe marrëveshje përfundimtare për paqen”, shkroi Trump në Truth Social më 7 mars.
“Për Rusinë dhe Ukrainën, uluni në tavolinën e negociatave tani, para se të jetë tepër vonë. Faleminderit”, shtoi ai.
Trump nuk dha detaje për masat e mundshme. Disa ditë pasi mori mandatin në janar ai kishte folur për mundësinë e përdorimit të “tarifave dhe sanksioneve” që Rusia të ulej në tavolinën e negociatave, por deri më tani nuk janë vendosur masa të tilla.
Deklaratat e reja janë në vazhdën e disa komenteve të bëra nga Trumpi në javët e fundit lidhur me atë se çfarë duhet të bëhet që Rusia të ulet në tavolinën e negociatave. Po ashtu, ato vijnë pas tensionimit të raporteve mes SHBA-së dhe Ukrainës, përfshirë përplasjen në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, pas së cilës Trump tha se Zelensky nuk ishte i gatshëm për paqe.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më vonë gjatë 7 marsit, Trump tha se ai ende beson që presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron paqe, por sugjeroi se ka dyshime për Ukrainën.
“Mendoj se të dyja palët duan marrëveshje”, tha ai, por “sinqerisht, po e kam më të vështirë që të merrem me Ukrainën dhe ata nuk kanë karta”.
“Në kuptim të një marrëveshjeje përfundimtare mund të jetë më e lehtë që të merresh me Rusinë, gjë që është befasuese”, tha Trump.
Ai përsëriti se Rusia së fundi është duke e “shkatërruar” Ukrainën, por tha se mendon që e di se pse po ndodh kjo.
“Mendoj se ai po bën atë që çdokush do ta bënte po të ishte në pozitën e tij”, tha Trump, duke shtuar se “unë gjithmonë kam pasur një raport të mirë me Putinin. Dhe ju e dini, ai dëshiron përfundimin e luftës”.
“Mendoj se ai do të jetë më dorëlirë sesa ka qenë dhe kjo është gjë e mirë”, tha ai. “Kjo nënkupton shumë gjëra të mira”.
Trump mbrojti vendimin e tij të javës së kaluar për të pezulluar ndihmën ushtarake për Kievin dhe kufizimin e ndarjes së informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.
Ndërkaq, Zelensky shkroi në rrjetet sociale më herët gjatë 7 marsit se Rusia ka gjuajtur rreth 70 raketa lundruese dhe balistike, si dhe afër 200 dronë ndaj disa ndërtesave energjetike në Ukrainë, sulme që goditën edhe ndërtesa banimi.
Ai nuk njoftoi nëse ka viktima nga këto sulme, të cilat vijnë në kohën kur po bëhen përpjekje diplomatike për bisedime të paqes. Një delegacion nga Ukraina do të udhëtojë për në Arabinë Saudite javën e ardhshme për t’u takuar me zyrtarët amerikanë me qëllim që të punojnë për një kornizë të një marrëveshjeje për paqe.
“Hapat e parë për të arritur paqe të vërtetë do të ishin që të detyrohet burimi kryesor i kësaj lufte, Rusia, të ndalë sulme të tilla”, tha ai.
Sulmi masiv – i 30-ti që kur ka nisur lufta – është pjesë e një strategjie më të gjerë ruse për të shënjestruar infrastrukturën kritike të energjisë së Ukrainës. Në dy javët e fundit, Rusia vazhdimisht ka goditur ndërtesa të energjisë në rajonin ukrainas të Odesës.