Ndërlidhjet

Çfarë pritet nga vizita e udhëheqësit kinez në Evropë?


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, gjatë takimit të tyre në Pekin më 6 prill 2023.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, gjatë takimit të tyre në Pekin më 6 prill 2023.

Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, do të vizitojë Evropën për herë të parë në gati pesë vjet, derisa tensionet po rriten mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë tregtinë, akuzat për spiunazh dhe mbështetjen e Pekinit për Rusinë në mes të luftës së Moskës në Ukrainë.

Turneu i profilit të lartë do të jetë i mbushur me simbolikë. Xi do të niset për në Francë më 5 maj, e pastaj do të vizitojë edhe Serbinë e Hungarinë, të cilat krenohen se kanë dy nga qeveritë më miqësore me Kinën në Evropë.

Presidenti kinez do të kërkojë të riparojë disa nga dëmet e shkaktuara në marrëdhëniet me Evropën që nga vizita e tij e fundit në kontinent në vitin 2019.

Në veçanti, ai do të synojë të zbusë disa nga lëvizjet e BE-së drejt uljes së rreziqeve në tregti, që Pekini i sheh si një rreshtim të padëshiruar mes Brukselit dhe Uashingtonit. Lidhjet e forta të Kinës me Kremlinin pritet të jenë të përfshira në turneun pesëditor, veçmas pasi Brukseli vazhdon të sanksionojë kompanitë kineze që shihen se po ndihmojnë përpjekjet e luftës së Rusisë duke i ofruar Moskës pajisje me përdorim të shumëfishtë në fushëbetejë.

Kur Xi të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Paris, në agjendë të bisedimeve, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, do të jenë edhe bisedimet lidhur me atë nëse Kina do të marrë pjesë në një samit të ardhshëm të paqes në Zvicër për luftën në Ukrainë, i caktuar që të mbahet në mesin e muajit qershor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është përpjekur që edhe Kina të jetë e pranishme, ashtu siç veproi kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij të fundit në Pekin në fund të prillit.

Zyrtarët e BE-së thanë se Pekini ka bërë presion që Rusia të ketë një vend në tryezë gjithashtu, diçka që Kievi deri më tani nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë.

Gjatë qëndrimit në Francë, Xi do të pritet me një darkë shtetërore më 6 maj, e ndjekur nga një udhëtim me Macronin në malet e Pirenejve më 7 maj, ku zyrtarët francezë kanë thënë se presidenti francez ka në plan të diskutojë se si Parisi dhe Pekini mund të bashkëpunojnë për çështje si ndryshimet klimatike, pavarësisht tensioneve më të gjera në marrëdhëniet e Kinës me BE-në.

Nga atje, Xi do të shkojë në Beograd më 7 maj, në ditën kur do të shënohet 25-vjetori i bombardimit nga NATO-ja i Ambasadës së Kinës në Beograd në vitin 1999. Kjo ditë shërben si një ngjarje e madhe në marrëdhëniet e vendeve dhe nxit një armiqësi të përbashkët ndaj aleanca ushtarake transatlantike.

Ambasada e shkatërruar, që atëherë është shndërruar në një qendër të madhe kulturore kineze që thuhet të jetë më e madhja në Evropë. Ndërtimi i kompleksit ka përfunduar dhe stafi mund të shihet duke punuar aktivisht, por qendra ende nuk është hapur zyrtarisht.

Kur Xi vizitoi për herë të fundit Beogradin në vitin 2016, ai vizitoi këtë vend dhe vendosi lule në një memorial jashtë ndërtesës për diplomatët kinezë të vrarë gjatë bombardimeve, për të cilat NATO tha se ishte për shkak të një gabimi në shënjestrim. Gjatë vizitës, pritet që vizita e Xi të hapë zyrtarisht qendrën.

Derisa vizita në Francë është një mundësi për t'u fokusuar në marrëdhëniet më të gjera të Kinës me Evropën, ndalesat në Serbi dhe Hungari do t'i lejojnë Pekinit të tregojë se ndikimi i tij në Evropën Qendrore dhe Lindore është ende i paprekur.

Gjatë viteve të fundit, i ashtuquajturi "17+1" - grupimi diplomatik i Kinës për t'u angazhuar me rajonin - ka parë anëtarët që janë larguar, duke e bërë atë "16+1", e më vonë "14+1". Ndërkaq, pjesa tjetër e anëtarëve të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë nisur që të mos e kenë më prioritet këtë bllok.

Me turneun historik, Xi po kërkon të tregojë se Kina është ende një lojtare në rajon.

Në Serbi, zyrtarët kinezë kanë paralajmëruar nisma për investime të reja dhe Xi pritet që gjatë takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq, ta ftojë Serbinë që të bëhet pjesë e grupit BRICS.

Në Hungari nga 8-10 maj, Xi pritet të bëjë publike gjithashtu një mori marrëveshjesh të reja me Budapestin, ndërsa vendi po përballet me një ekonomi të ngadalësuar.

Zyrtarët hungarezë dhe kinezë kanë qenë aktivë para vizitës. Ministri hungarez i Ekonomisë, Marton Nagy, priti një delegacion kinez më 18 prill, gjatë të cilit zyrtarët diskutuan, ndër të tjera, për statusin e projektit hekurudhor Budapest-Beograd, të financuar nga Kina, investim në vlerë prej 1.9 miliard dollarësh.

Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë raportoi gjithashtu se kryeministri Viktor Orban, do të udhëtojë me Xi-në në qytetin jugor hungarez të Pecsotit për hapur zyrtarisht një fabrikë të re të automjeteve elektrike nga prodhuesi kinez i makinave, Great Wall Motors.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG