Shqipëria dënon vrasjen në veri të Kosovës
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri i këtij vendi Edi Rama e kanë dënuar ashpër vrasjen e një zyrtari policor në veri të Kosovës.
Begaj ka thënë se “ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Kryeministri Rama ka thënë se “tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur”.
Ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar “duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit”.
Sveçla: Manastiri në Banjskë, “burim i sulmeve"
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Manastiri në fshatin Banjskë në veri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth.
Si pasojë e sulmeve, një zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë të dielën në atë pjesë.
“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”.
Svecla ka thënë se këta persona të armatosur janë rrethuar brenda Manastirit.
“Këta terroristë janë të rrethuar nga njësite policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen”.
Dioqeza e Rashkës - Prizrenit ka thënë pak më parë se është e shqetësuar për shkak se “një grup personash të armatosur, të maskuar, kanë hyrë në Manastirin (Banjskë) me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të Manastirit”.
“Persona të armatosur, të maskuar, po lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna. Dioqeza dënon ashpër dhunën e hapur që ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që sa më parë t’i japin fund konfliktit”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se kush janë këta persona të armatosur.
Borrell dënon sulmin në veri, bën thirrje për vërtetim të fakteve
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka dënuar ashpër sulmin nga një “bandë e armatosur” kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri.
“Të gjitha faktet për sulmin duhet të vërtetohen. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, ka thënë Borrell përmes një deklarate.
Në reagimin e BE-së është thënë se më shumë jetë të personave të pafajshëm janë duke u rrezikuar nga armiqësitë rreth Manastirit në Banjskë.
“Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, është thënë në reagim.
Mbyllet edhe pikëkalimi kufitar Jarinje
Sipas faqes së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, është mbyllur edhe pikëkalimi i dytë kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinje.
Në mëngjesin e së dielës, është mbyllur fillimisht pika kufitare Bërnjak.
Këto dy pika kufitare janë mbyllur disa herë në të kaluarën, në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.