Vuçiq i drejtohet pasdite kombit
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do t’i drejtohet kombit përmes një fjalimi.
Një konferencë e jashtëzakonshme – e planifikuar për orën 14:00 nga shefi i kësaj Zyre, Petar Petkoviq – është anuluar.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do t’i ekspozojë të gjitha gënjeshtrat dhe shakatë e Albin Kurtit, krijuesit të kaosit dhe ferrit në Kosovë e Metohi”, ka thënë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka dënuar vrasjen e një zyrtari policor të dielën në Banjskë të Zveçanit.
Ai ka thënë se sulmi ka qenë terrorist dhe për të e ka mbajtur fajtore Serbinë.
Lajçak dënon dhunën dhe bën thirrje për kthim në dialog
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri dhe ka thënë se dhuna “e çfarëdo forme është e papranueshme”.
“Kryesit duhet të përballen me drejtësinë. Të gjithë duhet të kthehen në dialog, menjëherë”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
Rundi i fundit i dialogut të nivelit të lartë, i mbajtur më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Forca të shumta të rendit në veri...
Qehaja: Autoritetet e Kosovës të jenë të vëmendshme, situata e sigurisë në veri po përshkallëzohet
Ramadan Qehaja, njohës i çështjeve ushtarake dhe atyre të sigurisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se situata e sigurisë në veri është e brishtë dhe me mundësi përshkallëzimi.
Sulmin e fundit në veri, ku është vrarë një zyrtar policor dhe dy tjerë janë plagosur, Qehaja e sheh si të orkestruar nga Serbia dhe Rusia.
“Unë kujtoj se populli serb në veri, në shumicën dërmuese, nuk është i interesuar të gjuajë e të vrasë policë të shtetit ku jeton, por ky është një orkestrim që vjen nga shërbimet sekrete ruse dhe vetëm e vetëm për të bërë një destabilizim në atë pjesë të territorit të Kosovës dhe këtu edhe Serbia të hyjë në një konflikt qoftë policor, qoftë ushtarak”.
Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës në këtë situatë duhet të jenë të vëmendshme dhe të ndërmarrin masa mbrojtëse, pasi, siç ka thënë ai, “dobësia është se KFOR-i nuk po arrin të kontrollojë si duhet atë pjesë të territorit”.
“Si është e mundur që ajo njësi, që unë e quaj ushtarake, të hyjë në brendi të Kosovës dhe këtë të mos e dijë as KFOR-i dhe as strukturat tjera të sigurisë? Të gjithë këtu kanë një lloj përgjegjësie”, ka thënë Qehaja, duke iu referuar misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Qehaja beson se duhet të kërkohet që njësitë speciale të Policisë të Kosovës të kthehen në vendet e tyre të detyrave, që kanë qenë më herët.
“Nga selia e NATOS është thënë në kohën e fundit se duhet të konsultohet me KFOR-in nëse futen njësitë speciale apo policore, unë kujtoj se ky është gabim meqë KFOR-i nuk mund t’i ndalë policët e Kosovës në kryerjen e detyrave të tyre”, ka thënë mes tjerash Qehaja.