Ndërlidhjet

Automjete të Policisë së Kosovës në një rrugë afër Banjskës, më 24 shtator 2023.
Automjete të Policisë së Kosovës në një rrugë afër Banjskës, më 24 shtator 2023.

Sulmi në veri: Një polic e tre sulmues të vrarë

  • Zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është vrarë të dielën në veri të Kosovës.
  • Policia ka thënë se është sulmuar në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku janë plagosur edhe tre zyrtarë policorë.
  • Si pasojë e sulmeve të vazhdueshme, Policia ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve dhe arrestimin e gjashtë personave të tjerë.
  • Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar ka thënë se personat e armatosur kanë qenë serbë lokalë të Kosovës.
12:12 24.9.2023

Shumë shpejt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti do të mbajnë konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

12:26 24.9.2023

Kurti: Sulmet në veri janë duke vazhduar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në konferencë për media se e diela është ditë e rëndë për Kosovën.

“Vrasja e tij [zyrtarit policor] duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, strukturave ilegale, krimit e terrorizmit, që e cenojnë sigurinë qytetarëve dhe rendin kushtetues”.

Ai ka thënë se sulmet në zonën ku është vrarë zyrtari policor, janë duke vazhduar akoma.

"Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

Ai ka thënë se formacioni me këta persona “profesionistë” është në dhe rrotull Manastirit në Banjskë.

Teksa i ka shfaqur disa fotografi në ekran, Kurti ka thënë se banorët lokalë serbë "nuk kanë automjete të tilla, dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës".

Fotografi e publikuar në konferencën e Kurtit.
Fotografi e publikuar në konferencën e Kurtit.

“Organet tona të sigurisë dhe prokuroria, me siguri, do të zhvillojnë hetime për të kuptuar më shumë për këto uniforma”.

“Unë u bëj thirrje të gjithë atyre, edhe si formacion, edhe si individë që t’iu dorëzohen organeve të sigurisë, të cilat e kanë vendosur perimetrin rreth tyre në Banjskë”.

Përgjatë konferencës, Kurti e ka theksuar se është shumë e rëndësishme që kjo situatë të përmbyllet në mënyrë të qetë dhe më pas do të vendoset çka tutje.

13:08 24.9.2023

Për mundësinë e infiltrimit të Wagnerit

Në konferencën për media, kryeministri Kurti është shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

I pyetur nëse ka mundësi që pjesëtarë të grupit mercenar rus Wagner janë infiltruar në veri të Kosovës, zëvendësdrejtori Fehmi Hoti, ka thënë se asgjë nuk është e faktuar.

”Sa i përket grupit Wagner, kemi pasur informacione edhe më herët, kemi pasur informacione që individë të grupit Wagner po lëvizin ose mund të lëvizin, ose mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar. Mirëpo deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar. Ju e dini që gjykatat kërkojnë gjithçka të dokumentuar. Andaj si informacione i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar”.

13:14 24.9.2023

Dioqeza e Rashkës – Prizrenit dënon vrasjen në veri

Dioqeza e Rashkës - Prizrenit e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku ka mbetur i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës, dhe ka theksuar se kjo ngjarje mund të ketë “pasoja të mëdha” andaj është e rëndësishme të ruhet paqja.

Dioqeza ka thënë se është e shqetësuar për shkak se “një grup personash të armatosur, të maskuar, kanë hyrë në Manastirin (Banjska) me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të Manastirit”.

“Persona të armatosur, të maskuar, po lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna. Dioqeza dënon ashpër dhunën e hapur që ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që sa më parë t’i japin fund konfliktit”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se kush janë këta persona të armatosur.

Në fillim të korrikut, deputetja britanike Alicia Kearns pati thënë se në veri të Kosovës “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, pati thënë atë periudhë se nuk është gjetur asnjë provë për pretendimet e deputetes britanike, ndërkaq autoritetet e Kosovës i patën nisur hetimet.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG