Kurti për sulmuesit në veri: Bëhet fjalë për formacion profesionist
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “formacion profesionist” grupin e personave që kreu sulm të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Në ceremoninë e ndezjes së qirinjve për policin e vrarë, Kurti tha se më shumë informata mbi sulmuesit e dyshuar priten në periudhën në vazhdim.
“Nga ato çfarë kemi mësuar deri më tani, janë ato që i kemi menduar edhe më herët. Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot. Nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti në një deklaratë për media.
"Situatë e qetë" në manastirin e Banjskës
Dioqeza e Rashkës-Prizrenit tha se situata në manastirin e Banjskës aktualisht është e qetë dhe se “personat e armatosur që kanë depërtuar sot portën, janë larguar nga manastiri”.
“Aktualisht, prania e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it vërehet para portës hyrëse dhe në oborrin e manastirit”, thuhet në njoftimin e Dioqezës.
Sveçla: Sulmi nuk ka mundur të realizohet pa mbështetjen e Serbisë
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se sulmi kundër policisë së Kosovës është realizuar me mbështetjen e “shtetit të Serbisë”.
Duke folur për Radio Televizionin e Kosovës, ai drejtoi gishtin direkt kah presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky i fundit pritet t’i drejtohet opinionit në orën 20:00.
Sveçla: Operacioni vazhdon
Tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e sotëm në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë "të plagosur, me uniformë dhe të armatosur", ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.
Duke folur për gazetarët nga pjesa veriore e vendit, Sveçla tha se aksioni në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës është duke vazhduar.
Policia e Kosovës, tha ai, ka zbuluar edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.
"Lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë. Do të thotë, përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetin teritorial", tha Sveçla.
Ai shtoi se ka informacione se bëhet fjalë për një "grup terroristësh".
"Ne kemi vijë kufitare jashtëzakonisht të gjatë me Serbinë dhe hyrjet e këtyre terroristëve nuk janë të pamundshme, por veprimtaria e tyre tash po bëhet e pamundshme", tha ministri i Brendshëm.
"I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll", shtoi ai.