Pamje satelitore të vendndodhjes së manastirit të Banjskës
Von Cramon: Sulm i papranueshëm, të dorëzohen të armatosurit në manastir
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se “sulmi i orkestruar” ndaj forcave legjitime të Policisë së Kosovës “është absolutisht i papranueshëm” dhe se autorët e tij duhet të dalin para drejtësisë.
“E dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe shpreh solidaritetin tim të plotë me popullin e Kosovës”, shkroi von Cramon në platformën X.
“Pjesëmarrja e mundshme e strukturave serbe (nga Beogradi) duhet të hetohet, ndërkohë që është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin”, tha ajo.
Von Cramon tha se u bën thirrje të gjithë aktorëve që “t’i bindin burrat e armatosur në manastirin e Banjskës që t’i ulin armët dhe të dorëzohen pa vonesa të mëtejshme”.
Çfarë dihet deri më tani:
- Zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mëngjesin e së dielës.
- Policia më vonë gjatë ditës e ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve dhe arrestimin e një tjetri, gjatë këmbimit të sulmeve me armë zjarri në atë pjesë.
- Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se Manastiri në Banjskë është kthyer në “burim të sulmeve”.
- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka bërë thirrje sulmuesve që të dorëzohen, pasi sipas tij, Policia i ka rrethuar.
- Autoritetet e Kosovës e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë dhe e kanë fajësuar Serbinë për të.
- Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër vrasjen e zyrtarit policor. BE-ja ka bërë thirrje për vërtetim të fakteve dhe nxjerrje të autorëve para drejtësisë.
- Përfaqësuesi i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin niset sot drejt Kosovës.
- Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinje dhe Bërnjak, janë mbyllur për qarkullim.
- Presidenti i Serbisë, Aleksadnar Vuçiq do t’i drejtohet kombit në pasditen e së dielës.
Sarazin niset në Kosovë
Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, e ka dënuar ashpër “sulmin e tmerrshëm” ndaj Policisë së Kosovës.
Nga Berlini është konfirmuar se të dielën në Kosovë do të udhëtojë Manuel Sarazin, përfaqësuesi i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor.
“Grupet e armatosura të paligjshme duhet të ndalojnë së rrezikuari jetë. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë mes tjerash ministria gjermane.