Policia e Kosovës e konfirmon vrasjen e tre sulmuesve në veri
Policia e Kosovës e ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve në Banjskë të Zveçanit dhe arrestimin e një sulmuesi tjetër.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se i ka arrestuar katër persona tjerë të dyshuar, të cilat janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.
Në orët e para të së dielës, si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, është vrarë një zyrtar i këtij institucioni dhe dy të tjerë janë plagosur.
Më vonë edhe një zyrtar tjetër policor ka pësuar lëndime të lehta.
Policia ka thënë se situata vazhdon të jetë e tensionuar dhe se ende ka të shtëna me armë zjarri në atë pjesë.
Deputetja britanike: Sulmuesit në veri, milici e pajisur mirë
Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se Policia e Kosovës duhet ta garantojë sundimin e ligjit pa pasur kërcënime për dhunë, teksa e ka komentuar vrasjen e një zyrtari policor në orët e hershme të së dielës në Banjskë të Zveçanit.
“Situata nuk ka ende fund për shkak të këmbimeve të zjarrit në Manastirin e Banjskës. Pamjet fillestare sugjerojnë se sulmuesit janë milici e financuar dhe e pajisur mirë, përfshirë me pajisje të blinduara. Duhet të ketë llogaridhënie dhe ata duhet të përballen me drejtësinë. Të shpresojmë se nuk do ketë më të plagosur”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Deputetja Kearns pati thënë në fillim të muajit korrik se në veri të Kosovës “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.
Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, pati thënë atë periudhë se nuk është gjetur asnjë provë për pretendimet e deputetes britanike, ndërkaq autoritetet e Kosovës i patën nisur hetimet.
Një grup prej mbi 30 personash të armatosur kanë hapur zjarr ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në veri, në orët e hershme të së dielës, duke vrarë një polic, ndërsa të njëjtët persona, po ashtu, kanë hyrë me forcë në një manastir ortodoks serb aty pranë, kanë pohuar autoritetet e Kosovës, të cilët kanë akuzuar Serbinë për sulm terrorist.
Qeveria e Kosovës ka ndarë me mediat foto të bëra të dielën, ku shihen automjete pa targa, përfshirë autoblinda, si dhe persona të armatosur përreth manastirit në Banjskë. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se manastiri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth.
Joseph pyet: Cili do të jetë qëndrimi i Ambasadës amerikane në Beograd për vrasjen në veri?
Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, e ka cilësuar vrasjen e zyrtarit policor të Kosovës në veri si zhvillim tejet serioz dhe test për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan.
“I Inkurajuar nga përgjigje e shpejtë e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier për vrasjen e zyrtarit policor. Pyetja ime është se cili do të jetë qëndrimi i Ambasadës amerikane në Beograd?
Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që të gjitha palët, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuciq, ta vërejnë se misionet diplomatike amerikane janë të unifikuara.
Joseph i ka bërë thirrje Sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken që të insistojë një pozicion uniform, parimor dhe publik të SHBA-së në Prishtinë dhe Beogad.
“Kontrollimi i kësaj krize – dhe stabilizimi i Ballkanit – e kërkon këtë”.