Përmbledhje e zhvillimeve, pas vrasjes së një zyrtari policor dhe një sulmuesi në veri
Shefi i EULEX-it, i “tmerruar” nga sulmi kundër Policisë së Kosovës
Shefit i misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, (EULEX) Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se është i tmerruar nga sulmet kundër Policisë së Kosovës.
BE-ja ka reaguar më parë duke kërkuar që të verifikohen të gjitha dëshmitë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri dhe që kryesit të nxirren para drejtësisë.
Çfarë dihet deri më tani:
- Një zyrtar policor është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mëngjesin e së dielës.
- Autoritetet dhe familjarët e viktimës kanë thënë se zyrtari policor i vdekur është Afrim Bunjaku.
- Autoritetet e Kosovës e kanë dënuar aktin dhe e kanë fajësuar Serbinë për të.
- Shkëmbimet me armë zjarri mes Policisë dhe sulmuesve janë duke vazhduar. Policia ka thënë se një sulmues është vrarë.
- Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se Manastiri në Banjskë është kthyer në “burime të sulmeve”.
- Edhe Dioqeza e Rashkës – Prizrenit ka thënë se është e shqetësuar për shkak se “një grup personash të armatosur, të maskuar, kanë hyrë në Manastir me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të Manastirit”.
- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka bërë thirrje sulmuesve që të dorëzohen, pasi sipas tij, Policia i ka rrethuar.
- Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër vrasjen. BE-ja ka bërë thirrje për vërtetim të fakteve dhe nxjerrje të autorëve para drejtësisë.
- Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinje dhe Bërnjak, janë mbyllur për qarkullim.
- Presidenti i Serbisë, Aleksadnar Vuçiq do t’i drejtohet kombit në pasditen e së dielës.
Shkupi: Sulmi ndaj Policisë së Kosovës, akt i rëndë destabilizues
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vlerësuar aktin si “përpjekje për të nxitur konflikt me pasoja mbi paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë se sulmuesit duhet arrestuar dhe të vihen para përgjegjësisë, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.
“Të papranueshme zhvillimet e paramenduara destabilizuese në veri të Kosovës ndaj policisë dhe shtetit por edhe të rajonit. Sulmi dhe vrasja e policit të Kosovës është tentativë për të nxitur krizë dhe konflikt me pasoja mbi paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë", ka thënë ai.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjithashtu, e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasjen e zyrtarit policor.
“Dënoj fuqishëm vrasjen e policit në detyrë në veri të Republikës së Kosovës…stabiliteti dhe siguria e Kosovës nuk do të cenohet nga aktet e dhunës. Siguria e qytetarëve është e para”, është thënë në reagimin e Osmanit.
Kanë reaguar edhe partitë opozitare shqiptare duke e vlerësuar sulmin si “akt të provokuar nga Serbia”.