Policia e Kosovës: Njëri nga sulmuesit është vrarë
Policia e Kosovës ka thënë se njëri prej sulmuesve në veri, përkatësisht në zonën e fshatit Banjskë, është vrarë në shkëmbimet me armë zjarri me zyrtarët policorë.
Si pasojë e sulmeve, një zyrtar policor është vrarë dhe dy tjerë janë plagosur në mëngjesin e së dielës.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se situata atje vazhdon të jetë e tensionuar, dhe grupet, që ky institucion i ka konsideruar si kriminale, janë duke i sulmuar njësitet policore në teren.
“Sulmuesit profesionalë, në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth Manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”, është thënë në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje pak më parë këtyre sulmuesve që të dorëzohen, pasi janë të rrethuar nga zyrtarët policorë.
KFOR-i: Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri dhe e ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të këtij institucioni.
Për pasojë, një zyrtar policor është vrarë dhe dy tjerë janë plagosur.
“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë prej afër situatën në Banjskë, dhe trupat e KFOR-it janë prezentë në këtë zonë, të gatshëm të reagojnë, nëse kërkohet. Komandanti i KFOR-ut është në kontakt direkt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për ta gjetur një zgjidhje”, është thënë në deklaratë.
Qehaja: Autoritetet e Kosovës të jenë të vëmendshme, situata e sigurisë në veri po përshkallëzohet
Ramadan Qehaja, njohës i çështjeve ushtarake dhe atyre të sigurisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se situata e sigurisë në veri është e brishtë dhe me mundësi përshkallëzimi.
Sulmin e fundit në veri, ku është vrarë një zyrtar policor dhe dy tjerë janë plagosur, Qehaja e sheh si të orkestruar nga Serbia dhe Rusia.
“Unë kujtoj se populli serb në veri, në shumicën dërmuese, nuk është i interesuar të gjuajë e të vrasë policë të shtetit ku jeton, por ky është një orkestrim që vjen nga shërbimet sekrete ruse dhe vetëm e vetëm për të bërë një destabilizim në atë pjesë të territorit të Kosovës dhe këtu edhe Serbia të hyjë në një konflikt qoftë policor, qoftë ushtarak”.
Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës në këtë situatë duhet të jenë të vëmendshme dhe të ndërmarrin masa mbrojtëse, pasi, siç ka thënë ai, “dobësia është se KFOR-i nuk po arrin të kontrollojë si duhet atë pjesë të territorit”.
“Si është e mundur që ajo njësi, që unë e quaj ushtarake, të hyjë në brendi të Kosovës dhe këtë të mos e dijë as KFOR-i dhe as strukturat tjera të sigurisë? Të gjithë këtu kanë një lloj përgjegjësie”, ka thënë Qehaja, duke iu referuar misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Qehaja beson se duhet të kërkohet që njësitë speciale të Policisë të Kosovës të kthehen në vendet e tyre të detyrave, që kanë qenë më herët.
“Nga selia e NATOS është thënë në kohën e fundit se duhet të konsultohet me KFOR-in nëse futen njësitë speciale apo policore, unë kujtoj se ky është gabim meqë KFOR-i nuk mund t’i ndalë policët e Kosovës në kryerjen e detyrave të tyre”, ka thënë mes tjerash Qehaja.