Ndërlidhjet

VMRO: Zaevi të heqë dorë nga Marrëveshja për emrin, pastaj zgjedhjet


Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski

Partia opozitare, VMRO-DPMNE ka kushtëzuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me heqjen dorë të kryeministrittë Maqedonisë, Zoran Zaev nga Marrëveshja me Greqinë për ndryshimin e emrit.

“Kryeministri Zaev duhet menjëherë të heqë dorë nga Marrëveshja me Greqinë dhe vetëm atëherë mund të shkohet në zgjedhje dhe populli të vendosë. Pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE-ja do të përkrahë formimin e një Prokurorie të re për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Prokurori i ri duhet të zgjidhet me konsensus mes partive dhe të vazhdojë më pas të punojë për rastet që po zhvillohen nga Prokuroria Speciale, si dhe të hetojë bisedat e përgjuara telefonike".

"Prokuroria e re do ta hetojë edhe periudhën e punës së qeverisë aktuale dhe të gjitha aferat që lidhen e qeverinë, përfshirë dhe parregullsitë e referendumit, por edhe të gjitha materialet e theksuara nga përgjimi ilegal që kanë të bëjnë më Zoran Zaevin dhe LSDM-në”, deklaroi kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Ai tha se kryeministri Zaev po manipulon me opinion kur thotë se gjoja populli po e mbështetë Marrëveshjen për ndryshimin e emrit të shtetit, nga Maqedoni në Maqedoni Veriore.

Sipas Mickovskit, Zaev po e bën këtë duke keqpërdorur aspiratat euroatlantike, por pavarësisht kësaj, maqedonasit sipas tij, nuk iu nënshtruan presioneve të tilla të pushtetit.

“Përkundër kërcënimeve, presioneve dhe mbushjes së kutive, qeveria nuk arriti t’i manipulojë qytetarët, të cilët u treguan të vetëdijshëm duke treguar përgjegjësi ndaj vendit të tyre, gjë që për njerëzve në Qeveri ju mungon”, u shpreh Mickovski.

Ndërkohë, Mickovski hodhi poshtë edhe pohimet se një pjesë e deputetëve të VMRO-së po negociojnë me pushtetin për të siguruar shumicë në Kuvend, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja me Greqinë.

“Nuk do të doja të besoj dhe nuk mund të besoj nëse dikush në këtë shtet mendon të bëjë pazar me diç për të cilën qytetarët e këtij vendi më 30 shtator qartë treguan se e refuzojnë”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë përmes një postimi në Facebook, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, iu është drejtuar deputetëve të VMRO-DPMNE-së duke kërkuar nga ta “që të mos gjunjëzohen dhe mos të pranojnë asnjë kusht për të ndërprerë përndjekjen politike ndaj tij”.

“Nëse dikush në ndonjë mënyrë u kërkon që të bëni përjashtime që do të ishin në dëm të interesave nacionale dhe shtetërore, duke vënë si kusht zbutjen ose ndërprerjen e përndjekjes politike kundër meje. Ju lutem, mos u hamendemi, pa menduar aspak, refuzoni bindshëm propozimin e tillë të pahijshëm”, ka shkruar Gruevski, të cilit më 5 tetor, Gjykata e Apelit ia vërtetoi dënimin prej 2 vjet burgim për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes një makine qeveritare në vlerë prej 600 mijë euro.

Referendumi për Marrëveshjen me Greqinë, i mbajtur më 30 shtator nuk kaloi, pasi nuk u kalua pragu i daljes prej 50 për qind të trupit votues. Zaev ka paralajmëruar bisedime me partitë opozitare, për të arritur konsensus për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që dalin nga Marrëveshja e emrit. Në të kundërtën, ai ka thënë se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në muajin nëntor të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG