Për shkak të përhapjes së koronavirusit, në Maqedoni të Veriut, tash e disa javë, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, po ndjekin mësimin online. Por, tani sfidë po shihet vlerësimi i dijes (notimi) i nxënësve.
Nga Byroja për zhvillim të arsimit në Maqedoninë e Veriut thënë se mësimdhënësit mund të përdorin shumë metoda dhe teknika për të vlerësuar nxënësit.
Në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit është publikuar edhe një udhëzim për mësimdhënësit, rreth mënyrave se si ata mund të vlerësojnë nxënësit në distancë. Aty po ashtu sqarohet se mësimdhënësit duhet të kenë për bazë notat e gjysmëvjetorit të parë si dhe notat gjatë mësimit online, me qëllim që në fund të vitit shkollor, të mund të japin notën përfundimtare për nxënësit e tyre.
Sipas procedurave, nxënësit duhet të vlerësohen, më së largu deri më 17 prill.
Shkollat fillore dhe ato të mesme po aplikojnë mësimin online në orare të caktuara. Ndërkaq, nxënësit që nuk kyçen në orë të caktuara mësimore, marrin mungesë, sikurse të ndiqnin mësimin në shkolla.
Teodora Stolevska nga Forumi rinor për arsim, thotë për Radion Evropa e Lirë se kualiteti i mësimit online nuk është i njëjtë për të gjithë nxënësit sepse sipas saj varet nga kushtet, përkatësisht mjetet elektronike përmes së cilave nxënësit ndjekin mësimet, por varet edhe nga shkathtësitë elektronike të mësimdhënësve të cilët tani po e zhvillojnë mësimin online.
Siç thotë Stolevska, përpilimi i notave për nxënësit nga mësimet online, nuk paraqet një pasqyrë reale të nxënies së dijes për të gjithë nxënësit.
“Jo të gjithë nxënësit kanë kushte të njëjta, kjo është e para, sepse edhe familjet me të ardhura mesatare nëse kanë dy ose tre fëmijë nuk mund të sigurojnë kompjuterë apo tablet personal për të gjithë fëmijët që të ndjekin mësimin në kohë reale dhe të realizojnë pastaj detyrat gjatë ditës. E dyta, për disa lëndë ose nuk është kualitative shpjegimi ose fare nuk mund të realizohet dhe kjo e bën të vështirë formulimin e notave”, thotë ajo.
Ndërkaq, Blendi Hodai nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, për Radion Evropa e Lirë thotë se notimi i nxënësve përmes testimeve online, nuk paraqet në mënyrë reale dijen që kanë përfituar nxënësit.
"Insistojmë që nga mësimdhënësit, por edhe Ministria e Arsimit që të gjejnë mënyra të tjera që të notohen nxënësit, siç janë esetë ose prezantimeve në
‘Zoom’ dhe jo testi që kishim në mënyrën klasike të transferohet në testim online sepse suksesi i treguar nuk është real. Këtë e kemi detektuar si Union i nxënësve të shkollave të mesme, gjatë monitorimit të procesit mësimor online”, thotë Hodai.
Naser Miftari, profesor në një gjimnaz të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se vlerësimi i nxënësve, gjatë kohës kur po mbahet mësimi online, do të duhej të bëhej pas një studimi gjithëpërfshirës.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut në këtë fushë nuk mund të marrë praktikat e vendeve të zhvilluara evropiane, pasi vendi sipas tij, nuk ka qenë aspak i përgatitur që nga mësimi klasik të kalojë në mësim përmes platformave online.
“Vlerësimi i dijes së nxënësve është vërtetë një moment shumë prekës, shumë i ndjeshëm. Po që se vlerësimin e dijes nuk e bëjmë me mjete precize, atëherë mund ta lëndojë psikologjinë e fëmijëve dhe në vend të një arritjeje pozitive, mund të shkaktojë efekte negative, që do të lënë gjurmë në zhvillimin e mëtejmë të tyre”, thotë profesori Miftari.
Ndryshe, mësimi në distancë apo online, me vendim të qeverisë, realizohet përmes platformave të ndryshme, si platforma “Eduino”, emisioneve të ndryshme edukativo-arsimore që transmetohen çdo ditë në televizionin publik, por edhe përmes platformave që zgjedhin vetë shkollat, për të zhvilluar procesin mësimor.