Çfarë pas kërkesës së Osmanit në Gjykatën Kushtetuese?
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, konsideron se autoriteti më i lartë kushtetues i vendit nuk do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për një masë të përkohshme lidhur me afatin 30 ditor për konstituimin e Kuvendit. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, profesori Kryeziu e konsideroi të vonuar kërkesën e Osmanit për sqarim të aktgjykimit të Kushtetueses, pasi, sipas tij, ajo është dashur, disa ditë pas shpalljes së vendimit, t’i kërkojë Gjykatës sqarime se si të veprohet pas datës 26 korrik, në rast të moskonsituimit të institucionit ligjvënës të Kosovës.