Ndërlidhjet

Viktima e trafikimit: Ditët e tmerrit, izolimit dhe pashpresës


Silueta e një gruaje (fotografi ilustruese).
Silueta e një gruaje (fotografi ilustruese).

“Çdo ditë që kalonte ndihesha e pashpresë. Më dukej sikur nuk po jetoja, por vetëm hija ishte aty”.

Shpresa (emër i vendosur nga redaksia) ishte vetëm 17 vjeçare kur ra viktimë e trafikimit në Kosovë dhe kjo nga një person të cilin e konsideronte mik.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, ajo rrëfen së si në moshë të re ndjente mungesë afërsie dhe mbështetjeje nga familja, kurse çdo person jashtë atij ambienti, i dukej sikur po i ofronte atë mbështetje që në familjen e saj nuk e merrte.

Eksperienca e saj e hidhur ka filluar sa ishte në shkollën e mesme. Duke u shoqëruar me një mike dy vjet më të vjetër se ajo, Shpresa filloi të mungonte në orët e mësimit. Lidhur me këto mungesa, arsimtarët e shkollës e informuan babanë e saj. Shumë shpejt ai e thirri në telefon, kur ajo ishte me një mik të saj.

“Nga përvojat e kaluara familjare, u frikësova shumë. Duke mos dashur të përjetoja një diçka të ngjashme, kërkova ndihmë nga ky miku që të bënte zgjidhje. Por, ai e shfrytëzoi momentin tim të dobët, ku kisha shumë frikë e isha e pashpresë dhe ai përfitoi nga unë”, rrëfen ajo.

“Pas një dite, ai ma mori telefonin dhe në këtë mënyre nuk kisha kontakte me askënd. Këtu filloi eksperienca ime, ku më asgjë nuk vendosej me vullnetin tim”, shton Shpresa.

Edhe pse kishte provuar të ikte fshehurazi, nuk kishte arritur. Ndihmë nuk kishte mundur të kërkonte, sepse siç tregon, ishte e izoluar. Ato ditë, ajo i përshkruan si “të tmerrshme”.

“Gjëja më e rëndë ka qenë që gjithçka po bëhej pa vullnetin tim dhe sigurisht largësia me familjen”, shton më tutje Shpresa, teksa rrëfen se si për një muaj ishte mbajtur e izoluar dhe se si gjatë kësaj kohe ishte dhunuar seksualisht.

Shpresa, megjithatë arriti të shpëtoi pasi personi i cili e mbante ishte në kërkim të policisë për shkak edhe të disa veprave të tjera.

Kur policia e gjeti atë, e larguan edhe Shpresën nga ai vend. Aktualisht, ajo gjendet në një strehimore në Kosovë.

Në të ardhmen, ajo shpreson që të pavarësohet përmes punës dhe forcave të saj.

Zëri i viktimave të trafikimit dhe dëgjimi i rrëfimeve të tyre është këtë vit tema e Ditës Botërore kundër trafikimit të personave e cila shënohet më 30 korrik.

Sipas Kombeve të Bashkuara, të mbijetuarit e trafikimit janë aktorët kryesorë në luftën kundër kësaj dukurie, sepse ndihmojnë në krijimin e masave efektive për të parandaluar këtë dukuri, identifikimin dhe shpëtimin e viktimave dhe mbështetjen e tyre gjatë rehabilitimit.

Rrëfimet e viktimave një vlerë e jashtëzakonshme për t'i ndihmuar ata/ato

Profesoresha e psikologjisë, Mimoza Shahini, konsideron se rrëfimi dhe raportimi i të mbijetuarave të trafikimit që janë shfrytëzuar seksualisht, është shumë i rëndësishëm. Ajo thotë se rrëfimet e tyre janë shtylla kryesore që ndihmon shoqërinë dhe mekanizma të tjerë në zgjidhjen e këtij problemi.

"Nga kush më mirë se sa një viktimë [e trafikimit] e cila i ka përjetuar ato, mund të përcjellet mesazhi dhe në ketë mënyrë të vetëdijsohet një numër më i madh i të rejave apo të rinjve, që të jenë të kujdesshëm në shenjat e para të trafikimit. Dhe në anën tjetër, sigurisht që na jep një ide mjaft të mirë për mënyrën se si ne duhet t'i qasemi viktimave të trafikimit, për të krijuar shërbime sa më efektive për ta", tha Shahini.

Shahini thekson se rrëfimet e viktimave të trafikuara, kanë një vlerë të jashtëzakonshme, e në radhë të parë për të treguar për viktimat e tjera, se nuk janë vetëm dhe se për çdo veprim, ngjarje apo situatë, ka zgjidhje.

"Në aspektin individual [kur rrëfehet] definitivisht është një çlirim, është një moment që viktima e ndjen se nuk është vetëm. Gjithashtu se ka njerëz që do ta mbështesin dhe sigurisht që në momente ofrojmë mbështetje sociale, duke i mbështetur ato në shkollim, me hyrje në profesione të ndryshme. Unë njoh mjaft viktima të trafikimit, të cilat e kanë lënë atë histori mbrapa dhe kanë krijuar një jetë të re si çdo njeri tjetër", thotë Shahini.

Gjatë vitit të kaluar e deri në qershor 2021, policia ka regjistruar gjithsej 26 viktima të trafikimit në Kosovë në 16 raste të ndryshme.

Të gjitha kanë qenë shtetase të Kosovës. Shumica prej tyre ishin shfrytëzuar seksualisht kurse një pjese prej tyre ishin shfrytëzuar për punë me detyrim.

Institucionet e Kosovës sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Trafikimit me Njerëz, bëjnë mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

Parandalimi, luftimi dhe mbrojtja e viktimave të trafikimit me njerëz, bëhet nga të gjitha autoritetet, përfshirë edhe përfaqësuesit e ofruesve të shërbimeve vendore qeveritare dhe joqeveritare, duke u bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi.

Autoritetet bëjnë identifikimin e viktimave të trafikimit me njerëz, kur ka bazë të arsyeshme për të besuar se një person i caktuar, është viktimë e trafikimit.

Por, në Kosovë ekziston vetëm një qendër shtetërore e strehimit për viktimat e trafikuara. Kurse, janë edhe disa organizata qeveritare në disa komuna, që ofrojnë mbështetje për këto viktima.

Shpresa porositë ata persona të cilët gjenden në një situatë të ngjashme, siç ka qenë dhe ajo, të mos dorëzohen, pavarësisht sfidave edhe problemeve.

"Gjejeni forcën brenda vetës, luftoni për vetën tuaj që jo vetëm e nesërmja por edhe e ardhmja juaj të jetë më e mirë. Jeta vazhdon e po ashtu edhe ti bashkë me të", porositë Shpresa.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG