Ndërlidhjet

Veteranët duan ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale


Qytetarët në Prishtinë duke nënshkruar peticionin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 15 dhjetor, 2017
Qytetarët në Prishtinë duke nënshkruar peticionin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 15 dhjetor, 2017

Me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Veteranët kërkojnë që me ndryshimet e ligjit, Gjykata Speciale duhet të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës. Sipas tyre, versioni i tashëm i ligjit obligon gjykatën të merret vetëm me të dyshuar të etnisë shqiptare.

Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta, e konsideron si degraduese dhe fyese votimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

"Ne jo vetëm që u bëjmë[deputetëve] thirrje që të kthehet në rishqyrtim dhe të mos i hapet kjo rrugë, absolutisht ne jemi kundër një gjykate të tillë. Dhe mendoj se nuk ka diçka më degraduese dhe më fyese, jo vetëm për ata djem e vajza që me gjak, e luftën e tyre, na kanë sjellë deri këtu lirinë e kësaj pjese të atdheut, po mendoj se kjo është fyerja më e rëndë që i bëhet popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por popullit shqiptar në përgjithësi", tha Jashari.

Veteranët shpresojnë se subjektet politike do ta marrin parasysh kërkesën e tyre dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji.

Pamje nga nënshkrimi i peticionit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Prishtinë, 15 dhjetor, 2017
Pamje nga nënshkrimi i peticionit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Prishtinë, 15 dhjetor, 2017

Erald Selca, veteran i luftës tha për Radion Evropa e Lirë, se ka ardhur nga Peja që ta nënshkruajë peticionin.

"Besoj se [peticioni] do të merret parasysh se do të kalojë atë shifrën që duhet të jenë mbi 10 mijë nënshkrime. Duhet t'i thirret ndërgjegjes kombëtare. Lufta e UÇK-së është luftë që ka qenë me karakter kombëtar është vlerë e kombit", tha Selca.

Në një përgjigje për Evropën e Lirë, Gjykata Speciale ka thënë se ligji nuk përmend asnjë përkatësi etnike dhe se ka juridiksion mbi personat që kanë shtetësi kosovare apo mbi personat që kanë kryer krime, në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor, kundër personave me nënshtetësi kosovare, kudo që janë kryer ato krime.

"Dhomat e Specializuara nuk mund të dinë kush janë dhe çfarë nënshtetësie kanë individët kundër të cilëve Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ngrejë akuza. Kjo është kompetencë vetëm e Zyrës së Prokurorit të Specializuar", thuhet në përgjigje.

Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetare e Komisioni për Legjislacion, tha se ende nuk janë të njoftuar se si është menduar nga shoqatat e luftës ndryshimi e Ligjit për Gjykatën Special me anë të peticionit. Ajo tha se për këtë ligje dhe vet Gjykatën Speciale, Vetëvendosje ka qenë kundër.

"Kemi konsideruar që ajo gjykatë është e padrejtë, gjykatë etnik,e dhe po ashtu kemi konsideruar se paraqet një pasqyrë të shtrembëruar të vërtetës për luftën e UÇK-së", tha Haxhiu.

Pas mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve, drejtuesi e organizatave të dala nga lufta kanë thënë se peticionin do t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit.

Ende nuk ka datë të saktë se kur mund të lëshohen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, mirëpo zyrtarë kosovarë kanë bërë me dije se një gjë e tillë mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG