Ndërlidhjet

Veriu nën tension


Policia parkon veturat pranë barrikadave në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak.
Policia parkon veturat pranë barrikadave në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak.

Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të shtunën mbrëma u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikata për media.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovë”, u tha në njoftim.

Pas takimit në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Kurti ka shkruar se në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpijnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak po marrin pjesë individë, që sipas tij janë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Kurti ka postuar edhe përshkrime dhe fotografi për dy prej tyre.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.

Disa media në Serbi kanë raportuar për lëvizje të tankeve drejt kufirit me Kosovën, por ushtria serbe nuk është deklaruar zyrtarisht për këtë çështje. Po ashtu, avionë nga Serbia kanë fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovës, çka ka bërë që protestuesit në veri të Kosovës t'i duartrokasin.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

“Tash për tash jemi në këtë gjendje sepse të këtillë e kemi vlerësuar dhe sjellja jonë është profesionale e korrekte deri më tani”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

“Ndërtesat në Bërnjak dhe Jarinjë janë aty sepse njësia speciale është aty”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se janë ftuar nga faktori ndërkombëtar që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar lidhur me situatën në veri, por, sipas tij, kjo ftesë është refuzuar nga Beogradi.

“Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë. Serbia nuk është e interesuar për dialog”, tha Kurti.

Përsëri barrikada në veri të Kosovës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:42 0:00

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dy rrugët që çojnë në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë janë të bllokuara për automjete. Rruga, shtoi ai, është e bllokuara nga një numër i vogël i qytetarëve serbë që banojnë në veri.

“Ne kemi dëshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele ilegale dhe nga institucione të ndryshme të Serbisë t'iu bëjnë presion qytetarëve tanë të nacionalitetit serb që të bashkohen në protesta", tha ai.

Ministri Sveçla, tha vendimi për t’u pajisur me targa të përkohshme është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës dhe se sipas tij, deri më tani janë lëshuar mbi 9 mijë targa të përkohshme.

Kurti: Sulmet në veri, të qëllimshme

Më herët gjatë të shtunës, Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.

Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.

Më herët gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Ministri Sveçla ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe “të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar incidentin në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut.

Sipas informacioneve të para, “policia supozon se zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës”.

Policia ka thënë se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Osmani: Tendencë ruso-serbe për destabilizimin e rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë - tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e ‘botës serbe’, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, shkroi Osmani në rrjetin social Faceebook.

Krasniqi: Qeveria të marrë masa për të siguruar policinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtareve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetareve në veri të Kosovës.

“Në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Por, vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcenim mbi shtetin tonë”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Abdixhiku bën thirrje për unitet

Lidhur me situatën në veri ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se ‘gjendja e tensionuar në veri kërkon unitet të plotë’.

“Propozoj që kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim - pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abadixhiku në Facebook.

Abdixhiku i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të veprojnë në mënyrë që të shmangen kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.

Haradinaj i ofron mbështetje qeverisë për situatën në veri

Kreu i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se situata në veri është e papranueshme.

Ai ka thënë se mbështet Qeverinë dhe Policinë e Kosovës.

“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, tha Haradinaj.

Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak

Për shkak të masës së reciprocitetit, për të gjashtën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën me Serbinë.

Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, të premten, më 24 shtator përmes një deklarate, i ka përgënjeshtruar informacionet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke përgatitur trupa për ndërhyrje në veri të Kosovës.

“Dezinformatat se kinse FSK-ja është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.

Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.

Escobar: Kosova dhe Serbia të mos përdorin retorikë të dëmshme

Sa i përket situatës në veri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë në dialog.

“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë Escobar.

Ai është shprehur së është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë forca speciale në një vend ku është KFOR-i.

“Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG