Me gjithë deklaratat e përsëritura të NATO-s, por edhe të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura duhet të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese, në institucionet vendore besohet se kjo çështje mund të kalojë edhe përmes ndryshimeve ligjore.
Përfaqësuesit e institucioneve, por edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se Kosova e ka bekimin e Shteteve të Bashkuar të Amerikës, përkatësisht të Departamentit të Mbrojtjes për Ushtrinë e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës tashmë po shqyrton pakon prej tri projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës që është miratuar në Qeveri.
Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, thanë se me përkrahjen e miqve amerikanë dhe punën e institucioneve, Kosova shumë shpjet do ta ketë ushtrinë e saj.
Zëvendësministri i Forcës se Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha procedurat për transformimin e FSK-së, janë në përputhje me konceptet dhe standardet e vendeve demokratike të NATO-s.
Ai tha se draft-ligjet e miratuara nga Qeveria e Kosovës janë në procedurë të rregullt dhe pritet të kalojnë në bazë të rregullave të Kuvendit.
"Sigurisht që tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i plotë dhe këtu nuk duhet të ketë dilema. Mbetet emri i njëjtë, ndërkaq, mandati, misioni, autorizimet, kompetencat sikurse edhe struktura e Ministrisë do të ndryshojnë në përputhje të plotë më planin 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së", tha Ramadani.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, thonë se është koha e fundit që transformimi i FSK-së në ushtri të përmbyllet.
Deputeti Anton Quni, nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se meqë transformimi i FSK-së, nuk mund të bëhet me ndryshime kushtetues, tani duhet hulumtuar dhe për gjetjen e rrugëve alternative, të cilat duhet të mbështeten edhe nga komuniteti ndërkombëtare apo partneriteti strategjik.
"Po ta kishim mbështetjen e komunitetit serb, atëherë kjo çështje do të trajtohej me Kushtetutë. Por, askush nuk ka të drejtë të vendosë veto kur është në pyetje siguria nacionale, do të thotë [ata] po e keqpërdorin këtë të drejtë. Ne duhet të kërkojmë edhe rrugë alternative, pasi që nuk kemi gjuhë të përbashkët lidhur me këtë temë. Natyrisht që duhet të punojmë që të sigurojmë mbështetjen e komuniteti ndërkombëtar", tha deputeti Quni.
Ndërkaq, Haxhi Shala kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga partia politike në pushtet Nisma Socialdemokrate, tha për Radion Evropa e Lirë se me miratimin e ligjeve të reja, FSK-ja do të kishte kompetenca shtesë.
"Me koto tri ligje ne nuk mund të themi se kemi një transformimi të plotë të Ushtrisë së Kosovës, po kemi dhënie të kompetencave shtesë ose amendamentimin e ligjeve për FSK-në. Me amendamentimin e ligjeve për FSK-në një pjesë e madhe e kompetencave do t’i shtohen", tha Shala.
Ai tha se trupa aktuale e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka evoluar dhe është e nevojshme që aty të ketë ndryshime e kompetenca shtesë.
"Unë besoj se nuk do të ketë kundërshtime në Kuvendin e Kosovës nga asnjë komunitet sa i përket sjelljes së këtyre tri ligjeve dhe njëkohësisht edhe faktori ndërkombëtar nuk ka se çka thotë se kjo është detyrë e institucioneve të tona, pasi që kjo është punë e institucioneve tona që të ketë ligje sa më efikase në bërjen e institucioneve të sigurisë dhe institucioneve të tjera", tha Shala.
Ndryshe, brenda kësaj jave, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës do t'i shqyrtojë ligjet e miratuara nga qeveria dhe më pas në një nga seancat e radhës në Kuvendin e Kosovës pritet të futen në rend të ditës.
Lista Serbe, parti e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, në vazhdimësi ka kundërshtuar shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura.
Zyrtarët e këtij subjekti politik kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Lista Serbe nuk do ta mbështesë formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë.
FSK-ja është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës.
FSK-ja numëron më shumë se 2000 pjesëtarë, prej të cilëve 200 i përkasin komuniteteve pakicë, kurse një pjesë e pjesëtarëve nga komuniteti serb janë larguar nga kjo forcë pas presioneve nga Beogradi që të mos jenë pjesë e FSK-së.