Ushqimet në Maqedoninë e Veriut janë shtrenjtuar, ndërsa ato që nuk kanë pësuar ndryshim çmimesh tani shiten me gramë të reduktuar, ankohen qytetarët. Ekonomistët konsiderojnë se marzha e kufizuar është afatshkurtër dhe joefikase. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba për tregtarët në të gjithë vendin, në vlerë prej 70.000 eurosh.
"Më lirë janë vetëm produktet e pastrimit, por ato nuk hahen. Ushqimi është shtrenjtuar, dhe ai që nuk është shtrenjtuar, tani shitet me gramë të reduktuar. Pikërisht kur mendon se ke blerë më lirë, ambalazhi del të jetë gjysmë i zbrazët", thotë shkupjania Snezhana S., disa ditë para se të përfundonte masa qeveritare që duhej të sillte çmime më të ulëta këtë muaj dhe të rriste fuqinë blerëse të qytetarëve.
Qeveria maqedonase më 20 shtator, kufizoi marzhën bruto të fitimit me 10 për qind, për 73 produkte. Në të ashtuquajturën "shporta vjeshtore" u përfshinë buka, produkte të furrës dhe bulmetit, qumështi, mishi dhe produktet e përpunuara të mishit, disa produkte të konservuara, frutat, perimet, orizi, fasulet, makaronat etj.
Vendimi i Qeverisë, gjithashtu, obligon tregtarët që t`i sigurojnë dhe shesin këto produkte në sasi mujore prej të paktën 70 për qind të sasisë, të blerë në muajin gusht.
Masa do të zgjasë deri më 31 tetor.
Mirëpo, qytetarët thonë për Radion Evropa e Lirë se mbishkrimi "Më pak harxhime, më shumë për ty", me të cilin është shënuar fushata në raftet e dyqaneve, nuk do të thotë se çmimet e produkteve janë vërtet më të ulëta.
Ata, gjithashtu, vërejnë se disa nga produktet mungojnë nëpër dyqane.
"Në disa dyqane, një pjesë e rafteve është e zbrazët, diçka që e pamë gjatë pandemisë së COVID-it. Dhe, nuk e kuptoj pse. Kështu është me qumështin, për shembull”, thotë Snezhana, e cila thotë se pazarin e bën çdo ditë në dyqane në komunën e Karposhit në Shkupit.
Përshtypje të ngjashme ka edhe Vasil Mitreski nga lagjja Crniçe. Ai thotë se blen ushqime nga dyqanet që gjenden në qendër të Shkupit, si dhe nga Tregu i Gjelbër, në afërsi.
"Në mëngjes blej qumësht të ambalazhuar, gjithmonë nga e njëjta markë. Përshtypja ime është se është më i shtrenjtë se ç’ishte para se të thoshin se do të ulen çmimet. Kam vënë re se edhe një tjetër qumësht, që e blejmë për djalin tonë pesëvjeçar, shpesh mungon në dyqane. A është rastësi, edhe unë pyes veten”, thotë Mitreski.
Qytetarët thonë se në kohën kur Qeveria po harmonizonte shportën, tregtarët e shfrytëzuan për t’i rritur çmimet. Ata po ashtu thonë se kanë vërejtur çmime më të larta të produkteve që nuk janë të përfshira në këtë masë.
Dyqane të gjobitura në Shkup, Manastir, Strumicë, Ohër...
Inspektorati Shtetëror i Tregut (IST) i Maqedonisë së Veriut tha se deri më pesë tetor ka kryer më shumë se 500 kontrolle të jashtëzakonshme në dyqane dhe ka konstatuar një sërë manipulimesh.
"Çmimet e produkteve ushqimore bazë, gjegjësisht të produkteve të përfshira në vendimin e Qeverisë, janë ulur nga shumica e tregtarëve, por janë hasur tregtarë që në momentin e kontrollit bënin nivelim të çmimeve, ndërsa disa tregtarë nuk i kishin ulur çmimet dhe nuk kishin vendosur shenjat e përcaktuara me vendim. Një pjesë e subjekteve juridike është obliguar të dorëzojë dokumentacion shtesë në Inspektoratin e Tregut për të përcaktuar plotësisht gjendjen faktike”, thanë nga Inspektorati për Radion Evropa e Lirë.
Inspektorët kanë vërejtur se tregtarët po e ndryshojnë peshën e produkteve, veçanërisht te kafeja, buka dhe kosi. Për më tepër, ata kanë përdorur njësi matëse manipuluese – në vend që të ofrojnë ujë dhe jogurt në litra ose mililitra standarde, në dyqane shihen ambalazhe në kilogramë ose gramë. Kjo u mundëson atyre të kursejnë në shpenzime, por konsumatorët paguajnë më shumë.
Inspektorati tha se janë lëshuar 30 urdhëresa për shkelje, q arrijnë vlerën mbi 4.3 milionë denarë ose rreth 70.000 euro.
Gjatë inspektimeve janë gjobitur dyqane në Shkup (Haraçinë dhe Çair), Manastir, Strumicë, Valandovë, Ohër, Kumanovë, Gostivar, Strugë etj.
Goran Trajkovski, drejtor i Inspektorati të Tregut, deklaroi se gjobat nga 7.000-10.000 euro janë të vogla duke pasur parasysh se fjala është për një zinxhir dyqanesh të mëdha me fitime të mëdha.
Masë afatshkurtër dhe joefikase, thonë ekonomistët
Eksperti i çështjeve ekonomike, Pavle Gacov, konsideron se masat si ngrirja e marzhës, nuk japin efekt.
“Kjo masë është afatshkurtër, joefikase dhe jo e tregut. Duhet të gjenden mekanizma që të jenë strukturorë. Puna e parë strukturore do të ishte rritja e ofertës, por kjo në afat të shkurtër kurrsesi nuk bëhet. E dyta është që kjo çështje të zgjidhet sistematikisht përmes Ligjit për praktika të padrejta tregtare”.
“Masa të tilla, me një kohëzgjatje prej një muaji, mendoj se janë si të shuash zjarret dhe menjëherë pas kësaj mund të kemi një rritje të re të çmimeve që do të anulojë këtë rritje shumë shpejt, ndoshta dy javë pasi të ketë kaluar afati“, deklaroi Gacov për Radion Evropa e Lirë.
Edhe në Organizatën e Konsumatorëve nuk presin që qytetarët të vërejnë ulje të çmimeve brenda një muaji, sa zgjat marzha e kufizuar
“U dha pak kohë për këtë masë që të hyjë në fuqi, që qytetarët të ndiejnë efektin, sepse ja çfarë po ndodh – gramazhi po reduktohet, dhe përfundimisht produktin po e blejmë më shtrenjtë, po shpiken metoda e metoda të reja për të bërë që produkti të mos hyjë në grupin me marzhë të kufizuar”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë Marijana Lonçar-Velkova nga Organizata e Konsumatorëve.
Analisti i çështjeve ekonomike, Arben Halili, konsideron se rritja e vazhdueshme e çmimeve është pasojë e uljes së prodhimit të brendshëm të ushqimit dhe çfarëdo mase qeveritare mund të ketë vetëm një efekt afatshkurtër.
“Vendi ynë po bëhet peng i importit. Po importojmë gjithnjë e më shumë, ndërsa prodhojmë gjithnjë e më pak për konsum të gjerë. Duhet të ndryshojmë mentalitetin, duhet të ndryshojmë strategjinë për të mbështetur prodhimin e brendshëm, i cili sigurisht duhet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve. Nëse vazhdojmë të jemi të varur nga importi, edhe çmimet do të jenë më të larta”, tha Halili në një deklaratë për REL-in.
Vlerësimet e Qeverisë ishin se me kufizimin e marzhave, shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike do të ulen mesatarisht për rreth 10 për qind.
Siç paralajmëroi Qeveria, pas shportës vjeshtore duhet të ketë edhe një shportë pranverore me çmime më të ulëta, njëjtë si për festat e Krishtlindjes, Ramazanit dhe Pashkëve, për produktet që në atë periudhë shpenzohen më shumë.
Edhe Ministria e Financave është kundër masës
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, konfirmoi se në seancën qeveritare ku u mor vendimi për kufizimin e marzhave të fitimit bruto, ajo ishte kundër.
“Thashë se nuk pajtohem dhe ende mbetem në qëndrim se jam kundër ngrirjes së marzhave dhe mendoj se nuk japin asnjë rezultat, vetëm për një arsye, sepse mendoj se nuk kemi mjaft profesionistë që mund t’i ndjekin këto, le të themi, analiza dhe llogaritje që përgatiten nga institucionet përkatëse ose nga inspektorët kur dalin në terren”, tha Dimitrievska-Koçovska në konferencën e shtypit ku prezantoi punën e dikasterit të saj, gjatë 100 ditëve të para të Qeverisë.
Ajo vlerësoi se Ligji për praktika të padrejta tregtare do ta rregullojë më shumë tregun sesa “këto matematika që po i bëjmë”. Ky ligj hyri në fuqi më 28 shtator dhe tashmë është duke u zbatuar. Për këtë, përgjegjës është Komisioni për Mbrojtjen nga Konkurrenca. Mirëpo, deri në fund të vitit ai nuk do t’i ndëshkojë manipuluesit e çmimeve, por vetëm do t'i paralajmërojë.
Edhe Bojan Stojanoski, deputet nga radhët e VMRO DPMNE-së, e komentoi kufizimin e marzhave për produktet dhe atë që po ndodh në dyqane. Ai, në një emision televiziv tha se ajo që po bëjnë dyqanet është skajshmërisht e pandershme.
“Kur t’i shihni faturat hyrëse në doganë, dhe kur t’i shihni marzhat dhe fitimet në këto dyqane, është vërtet e padrejtë ndaj blerësve. Por, ne nuk do të mbetemi vetëm në kualifikime të pandershme. Do të ketë masa rigoroze, sepse kjo që po ndodh nuk është në rregull”, tha Stojanoski.
Por, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, tha se rezultatet e para me çmime të ulura sipas këtij ligji, do të shihen në fund të tetorit, kur do të harxhohen stoqet nga kontratat e mëparshme mes prodhuesve, përpunuesve dhe tregtarëve, dhe do të fillojnë të shiten produktet sipas marrëveshjeve të reja.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) duke publikuar llogaritjen e shportës sindikaliste thanë se për një familje prej katër anëtarësh në shtator ishin të nevojshme 61.306 denarë, që është një rritje prej 107 denarësh krahasuar me muajin gusht.
Kjo, siç thanë ata, tregon se tregtarët gjatë muajit kanë shfrytëzuar paralajmërimet për vendosjen e marzhave të kufizuara për produktet ushqimore bazë.
Në këtë mënyrë, siç vlerësojnë nga LSM-ja, tregtarët sigurojnë çmime më të larta të produkteve në periudhën e ardhshme kur në fuqi do të jetë vendimi Qeverisë për marzha të kufizuara, në dëm të qytetarëve.