Ndërlidhjet

UNDP: Lufta e ka kthyer Gazën në vitet ’50


Një person shikon shkatërrimin në një lagje në kampin e refugjatëve Xhabalia në Gazë më 11 tetor 2023, pas sulmeve ajrore izraelite.
Një person shikon shkatërrimin në një lagje në kampin e refugjatëve Xhabalia në Gazë më 11 tetor 2023, pas sulmeve ajrore izraelite.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka shkatërruar ekonominë palestineze dhe e ka lënë pothuajse gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës në varfëri. Treguesit e cilësisë së jetës si shëndetësia dhe arsimi janë kthyer 70 vjet prapa, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNPD).

Duke nisur një studim mbi ndikimet socio-ekonomike të luftës, Chitose Noguchi nga UNDP tha se ekonomia në territoret palestineze – Rripi i Gazës dhe Bregu i pushtuar Perëndimor – tani ishte 35 për qind më e vogël sesa ishte para nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë një vit më parë.

Sipas disa masave, niveli i varfërisë në Gazë tani po i afrohet 100 përqindëshit për shkak të ndërprerjeve në ekonomi, me nivelin e papunësisë që tani ka arritur në 80 për qind, tha Noguchi.

“Shteti i Palestinës po përjeton nivele të paprecedenta të kthimit prapa”, tha ajo gjatë një konference për media në Gjenevë.

“Sa i përket Gazës, vlerësohet se zhvillimi është kthyer prapa për 70 vjet apo në vitin 1955”, shtoi ajo.

Edhe nën kushte optimale, nëse ndihma ndërkombëtare që dërgohet në Gazë dhe Bregun Perëndimor mbetet në nivele aktuale, do të duhet të paktën një dekadë që ekonomia të rimëkëmbet në nivelin e paraluftës, tha ajo.

Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë dhe territore ka pësuar dëme të mëdha.

Shkollat, spitalet dhe infrastruktura tjetër thelbësore janë bërë rrafsh me tokë. Afër 3.3 milionë palestinezë – 2.3 milionë në Gazë dhe 1.5 milion nga ta fëmijë – kanë nevojë për ndihmë urgjente, vlerëson OKB-ja.

Kostoja e riparimit të dëmeve në infrastrukturë pritet të arrijë në vlerën prej 18.5 miliardë dollarësh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG