Diplomatë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina, Britania, Franca dhe Gjermania janë mbledhur në Gjenevë për bisedime rreth një plani me 28 pika, i cili synon t’i japë fund konfliktit më të madh në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Takimet në qytetin buzë liqenit në Zvicër po zhvillohen teksa mbështetësit evropianë të Ukrainës kanë shprehur shqetësim lidhur me hollësitë e propozimit për ndalimin e luftimeve që kanë vazhduar qëkurse Rusia e nisi pushtimin e plotë të vendit fqinj në shkurt 2022.
Plani ende nuk është bërë zyrtarisht publik, por elementet kryesore të tij janë zbuluar, duke nxitur aleatët e Kievit të sugjerojnë se ai anon fuqishëm në favor të Rusisë.
Shefi i delegacionit ukrainas, Andriy Yermak, tha se ekipi i tij zhvilloi takime fillestare me diplomatët e udhëhequr nga Jonathan Powell (Britani), Emmanuel Bonn (Francë) dhe Gunther Sautter (Gjermani).
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
“Takimi i radhës është me delegacionin amerikan”, shkroi ai.
“Ekipet ukrainase dhe amerikane, si edhe ekipet e partnerëve tanë evropianë, janë në kontakt të ngushtë, dhe shpresoj që do të ketë rezultat”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në rrjetet sociale.
“Po pres rezultatet e bisedimeve të sotme dhe shpresoj që të gjithë pjesëmarrësit të jenë konstruktivë. Ne të gjithë kemi nevojë për një rezultat pozitiv”, shtoi ai.
Shumë prej kushteve të marrëveshjes kërkojnë lëshime të mëdha nga Kievi dhe duket se pasqyrojnë shumë prej kërkesave të Kremlinit, përfshirë dorëzimin e rajoneve ukrainase Donjeck dhe Luhansk - të njohura si Donbas - dhe të Krimesë, si dhe vendosjen e kufizimeve mbi madhësinë e ushtrisë ukrainase.
Kievi gjithashtu do të detyrohej ta mëshironte në Kushtetutën e vet ndalimin e anëtarësimit në NATO, ndërsa kufizime do të vendoseshin edhe mbi vetë aleancën ushtarake perëndimore lidhur me vendosjen e trupave të saj.
Sanksionet financiare ndaj Moskës do të zbuteshin, sipas planit.
Në këmbim, Ukraina do të merrte një formë “garancish sigurie”, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, do të lejohej të anëtarësohej në Bashkimin Evropian dhe do të përfitonte disa përparësi financiare.
Rusia gjithashtu do të detyrohej të tërhiqej nga disa zona të Ukrainës që aktualisht i mban të pushtuara.
Ky plan “nuk është oferta përfundimtare”
Mes kundërshtimeve nga ligjvënës amerikanë dhe aleatë të huaj, Trump më 22 nëntor la të hapur mundësinë që plani të ndryshohej.
I pyetur nga gazetarët nëse propozimi i tij ishte “oferta përfundimtare për Ukrainën,” Trump tha: “Jo”.
“Ne po përpiqemi ta përfundojmë [luftën]. Në një mënyrë ose tjetër, duhet t’i japim fund”, shtoi ai.
Aleatët evropianë të Ukrainës, të cilët nuk u përfshinë në hartimin e planit amerikan, kanë thënë se propozimi kërkon “punë shtesë”.
Në një komunikatë të përbashkët, liderët e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Italisë, së bashku me zyrtarë të lartë të BE-së dhe liderët e Japonisë dhe Kanadasë, paralajmëruan se kufijtë “nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
Ata ngritën shqetësime se kufizimet e propozuara për ushtrinë ukrainase do ta linin vendin të cenueshëm ndaj ndonjë sulmi në të ardhmen.
Ndaras, grupimi i tetë vendeve baltike tha se kishin folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të riafirmuar mbështetjen për Kievin dhe u zotuan të vazhdojnë furnizimin me armë, ndërkohë që forcojnë mbrojtjen e Evropës për të penguar agresionin e mëtejshëm rus.
Në një komunikatë të përbashkët, Danimarka, Estonia, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia dhe Suedia thanë: “Rusia deri më tani nuk është angazhuar për një armëpushim apo hapa drejt paqes”.
Ndërkohë, zyrtarë në Rusi dhe në Ukrainë raportuan për sulme të reja më 23 nëntor.
Një vajzë 11-vjeçare ishte mes 19 personave të plagosur nga sulmet me dronë në rajonin ukrainas të Dnipropetrovskut, tha Vladislav Haivanenko, kreu i administratës ushtarake rajonale.
Aeroporti Vnukovo i Moskës pezulloi fluturimet pasi kryebashkiaku i qytetit, Sergei Sobyanin, raportoi dronë ukrainas që po afroheshin.
Zelensky ka thënë se vendi i tij po përjeton “një nga çastet më të vështira” në historinë e tij, duke paralajmëruar se rrezikon ta humbë njërin nga aleatët e tij kyç - Uashingtonin - por se Kievi nuk do t’i “tradhtojë” interesat e veta në asnjë negociatë.