Ndërlidhjet

Ukraina nuk do të krijojë kampe të posaçme për civilët rusë nga Kursku


Rusët duke marrë ndihma në Kursk.
Rusët duke marrë ndihma në Kursk.

Kievi nuk do të krijojë kampe të posaçme për civilët rusë të cilët duan të evakuohen, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Dmytro Lubinets, komisionari për të drejtat e njeriut në Ukrainë.

Kjo deklaratë e bërë më 16 gusht u bë teksa po vazhdon inkursioni i forcave ukrainase në rajonet ruse të Kurskut dhe Belgorodit.

Lubinets tha po ashtu se nuk parashikon ndonjë kërcënim për sigurinë e popullatës civile nga rajonet ukrainase në territorin e Ukrainës dhe tha se mendon se numri i civilëve që do të duan të evakuohen në Ukrainë do të jetë i kufizuar.

“Ne nuk presim që të ketë numër të madh të njerëzve që do të duan të vijnë te ne. Por, unë nuk jam i shqetësuar për faktin se do të ketë rrezik për popullatën civile nga rajoni i Kurskut... Ne u kemi ofruar të gjithë banorëve të Kurskut mundësinë që të evakuohen nga ky territor nëse duan”, tha Lubinets.

“Ukraina do të hapë korridore humanitare. Qoftë për në territorin që kontrollohet nga Federata Ruse apo në territorin e Ukrainës së pavarur. Kjo do të jetë zgjedhje personale për secilin qytetar që aktualisht është atje në mesin e civilëve. Ne nuk do t’ua shkelim të drejtat e tyre”.

Lubinets tha po ashtu se ushtria ukrainase rreptësisht i përmbahet obligimeve që dalin nga Konventa e Gjenevës dhe e Hagës.

Më 15 gusht, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat e shtetit të tij kanë marrë kontrollin e plotë të qytezës Sudzha, në rajonin e Kurskut, duke njoftuar se ushtria ukrainase do të ketë një zyrë të komandës atje.

Ukraina shprehet e gatshme t’i pranojë refugjatët rusë prej Kurskut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Ai nuk tregoi se çfarë funksioni do të ketë kjo zyre, por më herët ai ka deklaruar se Ukraina do të shpërndajë ndihmë humanitare për banorët e Sudzhas, nëse është e nevojshme.

Por, shefi i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, ka njoftuar se zyra komanduese e ushtrisë do të ketë për detyrë që të zbatojë urdhra që do të ofrojnë siguri për civilët.

Që kur kanë nisur inkursionin e tyre në rajonet ruse më 6 gusht, forcat ukrainase kanë marrë nën kontroll dhjetëra vendbanime.

Qeveria ukrainase tha se operacioni në Kursk dhe Belgorod synon krijimin “e një zone të sigurisë” brenda Rusisë, në mënyrë që të parandalohen sulmet ajrore e ushtrisë ruse nga dy rajonet ruse në kufi me Ukrainën, sulme që sipas Kievit, shënjestrojnë civilët dhe infrastrukturën.

Sipas zëvendëskryeministres të Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se civilët rusë në këtë zonë janë nën mbrojtjen e ligjit humanitar ndërkombëtar dhe sipas saj Kievi e respekton këtë ligj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG