“Grindje sipërfaqësore ndëretnike” - kështu e vlerëson Millica Stojanoviq Kostiq, aktiviste për të drejtat e grave nga Graçanica, tubimin e Listës Serbe më 25 nëntor, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.
Në atë tubim në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë, kjo parti - më e madhja e serbëve në Kosovë - formoi Unionin e Grave të Listës Serbe dhe mbajti edhe një forum.
Qindra gra nga mjedise të ndryshme serbe në Kosovë, kryesisht të punësuara në institucionet serbe në vend, dëgjuan në heshtje rrëfimet e bashkëvendaseve të tyre për ngacmime seksuale me motive etnike.
Në ato video-mesazhe, gratë shprehnin shqetësimet që përjetojnë kur, siç thoshin, burra të komunitetit shqiptar i ndjekin dhe u bëjnë komente të papërshtatshme.
Përndryshe, një grup joformal i grave nga veriu i Kosovës pretendon se ka mbledhur dhjetëra dëshmi të grave nga komuniteti serb, të cilat kanë përjetuar një formë të ngacmimit seksual nga burrat e komunitetit shqiptar.
Policia e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se në periudhën nga janari i vitit 2023 deri në tetor të këtij viti janë raportuar pesë raste të ngacmimeve seksuale, një përdhunim dhe pesë sulme seksuale në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Raste të ngacmimeve seksuale janë raportuar në Mitrovicën e Veriut (2), Novobërdë (1), Shtërpcë (1) dhe Zveçan (1).
Një rast i përdhunimit është raportuar në Novobërdë, ndërsa raste të sulmeve seksuale janë raportuar në Mitrovicë të Veriut (2), Shtërpcë (1) dhe Zubin Potok (2).
Ndërkaq, në tërë territorin e Kosovës gjatë vitit 2023 janë raportuar 76 raste të ngacmimeve seksuale, 108 përdhunime dhe 68 sulme seksuale, e këtë vit deri më 27 nëntor janë raportuar 96 raste të ngacmimeve seksuale, 72 përdhunime dhe 73 sulme seksuale.
Një grup joformal i grave, në anën tjetër, thotë se gratë nga komuniteti serb nuk i raportojnë rastet e ngacmimeve seksuale, për shkak se nuk kanë besim në Policinë e Kosovës. Për rastet e tilla thotë se ato i kanë njoftuar përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut ka hapur linjën telefonike në mes të tetorit për raportimin e incidenteve dhe të shkeljeve të të drejtave të qytetarëve në veri të Kosovës.
“Nxitje e urrejtjes për qëllime politike”
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Millica Stojanoviq Kostiq thotë se nuk ishte e përshtatshme që në Ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, të flitej ekskluzivisht për ngacmimin etnik të grave, kur gratë e komunitetit serb vuajnë çdo ditë nga dhuna e burrave të tyre ose të afërmve të tjerë, të cilët janë serbë.
Ajo thotë se nuk e mohon faktin se shqiptarët u bëjnë komente seksiste grave nga komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut, por thekson se ky fenomen është i pranishëm edhe në komunat në jug të Ibrit.
“Nuk mund të tregosh vetëm njërën anë të historisë, sepse në Gushtericë burri vrau gruan e tij - serbi serben. Gratë raportojnë vazhdimisht në stacionin policor në Graçanicë se maltretohen nga burrat e tyre serbë. Nuk mund ta mohoni faktin se në mjediset tuaja, mes popullit tuaj ndodhin gjëra të tmerrshme, kurse ju merrni shembuj vetëm të ngacmimeve etnike dhe i përdorni ato për qëllime propagandistike. Kjo do të thotë se ajo parti do vetëm propagandë, të nxisë urrejtje”, thotë Stojanoviq Kostiq.
Në fillim të gushtit, Marija Zhivkoviq nga Gushterica e Poshtme - komuna e Graçanicës - vdiq pasi burri i saj i kishte shkaktuar lëndime të rënda.
Ajo ishte e punësuar në një nga institucionet shëndetësore në Graçanicë, që punojnë sipas sistemit serb.
Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë së paku 58 gra.
Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
“Në vend të zgjidhjeve për parandalimin e dhunës, gratë dëgjuan parulla politike”
Pikërisht për shkak të këtyre statistikave, Stojanoviq Kostiq thotë se nuk ka mundur të heshtë në “tubimin politik propagandistik” në Ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.
“Është një shuplakë për gratë viktima të dhunës. Jam e sigurt se 80 për qind e grave që kanë dëgjuar aty, përjetojnë një formë dhune në shtëpi ose në punë. Dëgjuan parulla se diçka e mirë po ndodhte atë ditë, po formohej Unioni i Grave të një partie”, thotë ajo.
Kjo aktiviste, e cila udhëheq organizatën joqeveritare “E drejta mbi të drejtën”, thotë se Lista Serbe, në atë mënyrë, i ka “poshtëruar” gratë, sepse askush nuk ka thënë se dhuna ndaj grave është rritur dhe nuk ka treguar se çfarë është duke u bërë për ta parandaluar atë dhunë.
Gratë që “ruajnë” Kosovën
Në tekstin autorial, i cili u publikua në ueb-faqen “Zhenski info”, të cilën e redakton vetë, Stojanoviq Kostiq iu referua edhe fjalimeve të zyrtarëve të Listës Serbe, të cilët thanë se gratë “mbrojnë çdo gjë që është serbe” në Kosovë.
“Dhe [Zllatan] Ellek [kryetari i Listës Serbe] më është drejtuar sot. Më ka thënë se Kosova nuk mund të mbijetojë pa mua, mendoj se e ka thënë për të gjitha gratë, nënat në Kosovë... Kështu që mbase më ka përfshirë edhe mua pa dashje. Faleminderit Ellek”, shkroi ajo.
Sipas saj, është e qartë se narrativi është “politik dhe nacionalist”, dhe pyeti se “ku i lindim ato roje, si i ushqejmë, kush i shëron dhe me çka”, duke aluduar në faktin që Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë është e vendosur në kontejnerë teneqeje që nga viti 1999.
Stojanoviq Kostiq thotë për Radion Evropa e Lirë se i është dashur të reagojë ndaj këtij tubimi, sepse e dinte se askush tjetër nuk do ta bënte, se askush tjetër “nuk kishte guxim”.
Ajo thotë se pas publikimit të artikullit të saj, ka marrë një mbështetje të madhe nga gratë, të cilat duan të mbeten anonime, sepse “kanë frikë të përplasen me politikanë apo parti të caktuara”.
“Madje, kam marrë reagime dhe mbështetje edhe nga gratë që ishin në atë tubim. I kam postuar në Instagram, por i kam fshehur emrat e tyre, për një arsye. Ato thonë se nuk kanë forcë të luftojnë kundër abuzimeve politike, por më falënderojnë që e kam bërë këtë në emër të tyre”, thotë Stojanoviq Kostiq.
“Si u sollën gratë në atë tubim?”
“Ta pyesim veten se si u sollën gratë në atë tubim”, thotë po ashtu aktivistja.
Më 25 nëntor, ekipi i Radios Evropa e Lirë pa autobusë që sillnin gra në forumin e Listës Serbe nga pjesë të ndryshme të Kosovës.
REL-i ka gjithashtu informacione se drejtorët e institucioneve të caktuara, që punojnë nën sistemin serb, i kanë caktuar disa punëtore që “duhej” të shkonin në atë tubim.
Asnjëra prej tyre nuk ka dashur të komentojë publikisht për këtë çështje.
Për “sjelljen” e grave në tubimin e Listës Serbe kanë reaguar politikanët serbë nga Graçanica dhe Mitrovica e Veriut, Branimir Stojanoviq dhe Aleksandar Arsenijeviq.
“Meqë jeni këtu dhe keni sjellë gra nga zonat tona, do të ishte mirë t’iu përgjigjeshit atyre se si ka mundësi që pas 25 vjetësh, ato lindin fëmijë në një spital 200 metra larg këtu, në kushte katastrofike”, ka thënë Stojanoviq.
“Nën presion dhe shantazhe për vendet e punës, gratë u sollën edhe nga 80 kilometra larg, në mënyrë që Lista Serbe ta organizonte fushatën e saj në Graçanicë. A nuk është kjo dhunë ndaj grave?!”, është shprehur Arsenijeviq.
Lista Serbe nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar të gjitha këto akuza.
Duke folur për gazetarët pas takimit në Graçanicë, kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, ka mohuar se bëhet fjalë për një fushatë parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt.
“Këto janë aktivitete të rregullta të Listës Serbe, e cila dëshiron të tregojë me shembull se gratë kanë ndikim të madh dhe për këtë kemi formuar Unionin e Grave të Listës Serbe”, ka thënë ai.
Aktivistja Stojanoviq Kostiq konstaton se gratë nga radhët e komunitetit serb e kanë të vështirë të luftojnë për të drejtat e tyre me sistemin, sepse janë “vazhdimisht nën represion”.