Donald Trump u betua si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke u zotuar se do të jetë një “paqebërës”.
“Ne do ta matim suksesin tonë jo vetëm me betejat që i fitojmë, por edhe me luftërat që ne i përfundojmë dhe - ndoshta më e rëndësishmja - me luftërat në të cilat nuk do të hyjmë kurrë”, tha Trump.
Deklaratat e tij ngjallin shpresë e frikë në zonat më të mëdha të konflikteve në botë.
Për ukrainasit, të pushtuar nga Rusia për gati tre vjet, paqja është shumë e dëshiruar.
Po kështu edhe në Lindjen e Mesme ka shumë njerëz që shpresojnë për një fund të konfliktit.
Megjithatë, Trump nuk dha asnjë detaj se si do të arrihet dhe ruhet paqja.
Duke e uruar Trumpin përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “paqja përmes politikës së forcës”, është një shans “për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjate dhe të drejtë, që është prioriteti kryesor”.
Kështu do të dëshironte Zelensky që ta cilësonte Trumpin si paqebërës: duke i mundësuar Ukrainës të hynte në bisedime nga një pozicion i fuqishëm, me ndihmën e ofruar nga SHBA-ja.
Por, gjatë fjalimit të tij pas betimit, Trump e kritikoi administratën e mëparshme për “financime të pakufizuara për mbrojtjen e kufijve të huaj”.
Në Ukrainë ka shqetësime se rikthimi i Trumpit mund ta dobësojë atë, duke mos i dhënë mbështetje ushtarake, dhe ta detyrojë të bëjë paqe me kushte të pafavorshme.
“Të gjithë janë shumë të lodhur nga [lufta], por nuk pres që ai të jetë një magjistar dhe ta shndërrojë të gjithën në përrallë”, i tha Radios Evropa e Lirë një grua në Zaporizhja të Ukrainës, disa orë para inaugurimit të Trumpit.
Komentet e presidentit rus, Vladimir Putin, e nënvizuan edhe më shumë këtë frikë.
Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Putin tha se është i hapur për dialog me administratën e re të SHBA-së për përfundimin e konfliktit në Ukrainë, duke u bazuar në një “paqe të qëndrueshme”.
Këto fjalë tingëllojnë si boshe në Ukrainë, pasi ai ende ka nën kontroll zona të mëdha të territorit ukrainas.
Në Lindjen e Mesme, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përshëndeti inaugurimin e Trumpit, duke thënë se “ne do t’i japim fund terrorit të Iranit”.
Deklarata e Trumpit se do të jetë një paqebërës, u shoqërua edhe me një referencë për luftën në Gazë.
“Kam kënaqësinë të them se nga dje - një ditë para se ta merrja detyrën - pengjet në Lindjen e Mesme po ktheheshin në shtëpi, te familjet e tyre”, tha Trump.
Ai iu referua kështu fazës së parë të një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit - organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.
Dy palët ishin në luftime të ashpra për më shumë se 15 muaj.
Është e paqartë nëse marrëveshja do të mbahet.
Gjithashtu, është e paqartë se si administrata e re amerikane do t’u qaset bisedimeve të mëtejshme të planifikuara.
Për këtë, ashtu si edhe për Ukrainën, Trump nuk dha ndonjë detaj.
Por, ky ishte një fjalim inaugurues dhe jo një deklaratë politike.
Ditët dhe javët në vazhdim mund t’i qartësojnë gjërat.