Ndërlidhjet

Trump kritikon sërish Zelenskyn teksa Evropa synon rritje shpenzimesh për mbrojtje


Presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, përgjatë takimit të 28 shkurtit në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, përgjatë takimit të 28 shkurtit në Shtëpinë e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara e kanë rritur presionin ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky që të veprojë në linjë me synimet e Uashingtonit për të çuar përpara një marrëveshje që i jep fund luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, liderët evropianë po përpiqen të marrin rol më të madh në bisedimet për paqe, pas një takimi katastrofal të Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë, ditë më parë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar se durimit të tij ndaj Zelenskyt është duke i ardhur fundi, teksa e ka kritikuar rezistencën e presidentit ukrainas ndaj idesë për armëpushim të shpejtë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pa pasur garanci konkrete të sigurisë, siç ka kërkuar ai nga SHBA-ja.

“Kjo është deklarata më e keqe që do të mund të bëhej nga Zelensky, dhe Amerika nuk do të durojë gjatë”, ka shkruar Trump në platformën e tij Truth Social, duke vendosur aty edhe një link që të çon te një artikull i të përditshmes amerikane, Associated Press në të cilin citohet Zelensky duke thënë se përfundimi i luftës në vendin e tij është “shumë, shumë larg”.

Në postimin e 3 marsit, Trump ka sugjeruar se përmirësimi i lidhjeve me Shtëpinë e Bardhë, siç e kanë këshilluar liderët evropianë, Zelenskyn, do të jetë detyrë e vështirë.

“Kjo është ajo që kam thënë, ky njeri nuk dëshiron të ketë paqe, për aq kohë sa e ka mbështetjen e Amerikës”, ka thënë Trump.

Zyrtarët amerikanë janë duke i bërë thirrje Zelenskyt që të kërkojë falje dhe kërkojnë që ai të tregojë se është i gatshëm për paqe.

“Ajo që duhet të dëgjojmë prej presidentit Zelensky është që ndjen keqardhje për atë që ka ndodhur, është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për minerale, dhe që është gati të angazhohet në bisedimet për paqe”, ka thënë Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, në disa komente për Fox News, më 3 mars.

Më vonë, Trump u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai pret që Zelensky “të jetë më mirënjohës, sepse ky shtet ka qenë me të, në të mirë e në të keq”.

I pyetur nëse marrëveshja për minerale ka vdekur, Trump ka thënë se nuk e beson që është ashtu.

I pyetur për raportimet se është duke konsideruar ndaljen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, Trump ka thënë se nuk ka folur për këtë gjë.

“Të shohim çfarë do të ndodhë. Shumë gjëra janë duke ndodhur tani teksa ne flasim”.

Përpjekjet e evropianëve për të forcuar pozicionin

Një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer, ka thënë më 3 mars se ekzistojnë “disa propozime në tavolinë” për një marrëveshje armëpushimi.

Kjo deklaratë është bërë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron i ka thënë gazetës Le Figaro se një armëpushim njëmujor në luftimet në ajër, det dhe tokë, si dhe infrastrukturën e energjisë, do t’iu jepte kohë aleatëve që të testojnë përkushtimin e presidentit rus, Vladimir Putin për paqe afatgjatë.

Ndërkohë, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më 3 mars se ajo do t’i informojë shtetet anëtare për “një plan të riarmatosjes së Evropës” teksa qeveritë evropiane përpiqen t’i zbusin dallimet e tyre në rritje me Shtetet e Bashkuara për luftën në Ukrainë.

“Na duhet një rritje e madhe e shpenzimeve në mbrojtje, nuk ka asnjë dilemë. Ne duam paqe afatgjatë, mirëpo ajo paqe mund të jetësohet vetëm në forcë, dhe forca nis duke forcuar veten”, ka thënë von der Leyen.

Dhjetëra liderë prej Evropës, Kanadasë, Turqisë dhe NATO-s janë takuar në një samit të mbajtur më 2 mars në Londër, pas një jave të ngjeshur të diplomacisë, e cila do të mbahet mend përgjithmonë, meqë ka kulmuar me një takim katastrofal mes Zelenskyt dhe Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Diskutimet me tona të ashpra mes Zelenskyt dhe Trumpit para kamerave kanë tronditur liderët evropianë, meqë ndër të tjera, presidenti ukrainas është akuzuar për mungesë respekti ndaj SHBA-së, dhe që po rrezikon të gjithë “duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”.

“Përshkallëzim i konstruktuar” thotë Merzi i Gjermanisë

Disa prej komenteve më të fuqishme për takimin e 28 shkurtit në Shtëpinë e Bardhë i ka bërë Friedrich Merz, që me shumë gjasë do të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.

Ai i është referuar takimit si “përshkallëzim i konstruktuar”, kritikë e mprehtë për Trumpin dhe administratën e tij.

“Nuk ka qenë reagim spontan ndaj deklarimeve të Zelenskyt, por një përshkallëzim i konstruktuar në takimin në Zyrën Ovale”, ka thënë Merz të hënën në një konferencë për media të mbajtur në Hamburg, duke thënë se Evropa “duhet të tregojë tani se është në pozitë që të veprojë e vetme”.

Pavarësisht diskutimeve të vazhdueshme dhe intensive për t'i rritur kapacitetet evropiane për mbrojtje, dhe alarmit për retorikën mes Moskës dhe Uashingtonit, liderët evropianë deklarojnë se angazhimi me administratën amerikane është prioritet për ta, dhe duhet të jetë pjesë e negociatave.

Merz ka thënë se ai do të avokojë dhe do të bëjë gjithçka për t’i mbajtur amerikanët në Evropë.

Si Starmer, ashtu edhe Macroni, i kanë bërë thirrje Trumpit që të mos braktisë Ukrainën, dhe të jetë më i ashpër me Rusinë, në vizitat që kanë zhvilluar ndaras në Shtëpinë e Bardhë një javë më parë.

Këto takime janë zhvilluar para debaklit të Zelenskyt në Uashington, i cili është larguar nga SHBA-ja pa nënshkruar marrëveshjen për minerale, të cilën Trump e konsideronte shumë të rëndësishme për bashkëpunimin e mëtejmë.

Trump ka thënë pas takimit se Zelensky “nuk është gati për paqe nëse Amerika është e përfshirë në të”, dhe që “mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.

Zelensky është pritur ngrohtë në Londër përgjatë fundjavës, ku është pajtuar me Starmerin që Britania t’i japë Ukrainës një hua prej 2.26 miliardë funtash, e cila sipas Zelenskyt do të shpaguhet “duke përdorur të hyrat nga asetet e ngrira ruse”.

Megjithatë, ekzistojnë dilema nëse ndihma evropiane do të jetë e mjaftueshme në rast të zvogëlimit të ndihmës ushtarake nga SHBA-ja, kontribuuesja më e madhe e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG