Ndërlidhjet

Trump e zgjedh Pam Bondin për prokurore të Përgjithshme të SHBA-së


Ish-prokurorja e Përgjithshme e Floridës, Pam Bondi.
Ish-prokurorja e Përgjithshme e Floridës, Pam Bondi.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se do ta nominojë Pam Bondin për t’u emëruar prokurore e Përgjithshme e vendit, pak orë pasi Matt Gaetz u tërhoq nga gara.

Bondi, e cila ka qenë mbështetëse e zëshme e Trumpit, ka përvojë të gjatë në sundimin e ligjit dhe në të kaluarën ka shërbyer si prokurore e Përgjithshme e Floridës.

Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e ekipit mbrojtës të Trumpit gjatë gjykimit të parë kundër tij, ku ai akuzohej se i kishte bërë trysni Ukrainës të kryente hetim për korrupsion kundër rivalit të tij, presidentit të tanishëm amerikan Joe Biden, duke e bllokuar ndihmën ushtarake. Trumpu u shpall i pafajshëm për këto akuza më vonë nga Senati.

Së voni, Bondi ndihmoi në udhëheqjen e krahut ligjor të Institutit për Politika “America First”, një organizatë personeli i të cilës ka punuar ngushtë me fushatën e Trumpit për të ndihmuar në ndryshimin e politikave për administratën e tij të ardhshme.

Bagazhi i Bondit dallon shumë me atë të Gaetzit, i cili ka shumë pak përvojë tradicionale për një prokuror të përgjithshëm, dhe i cili pritej të përballej me kundërshtim nga demokratët në Senat dhe nga disa republikanë po ashtu.

Trumpi njoftoi në rrjetet sociale se e zgjodhi Bondin, duke e lartësuar atë për përvojën e saj në prokurori dhe duke thënë se ajo është e ashpër ndaj krimeve si prokurorja e parë e përgjithshme grua e Floridës.

Trump, i cili i fitoi zgjedhjet më 5 nëntor pavarësisht se përballej me shumë hetime penale nga prokurorët shtetërorë dhe amerikanë, tha se Bondi do t’i japë fund politizimit të prokurorisë federale.

“Për kohë të gjatë, Departamenti i Drejtësisë i njëanshëm është armatosur kundër meje dhe republikanëve të tjerë. Por, jo më”, tha Trump.

Ndërkohë, Matt Gaetz njoftoi më herët se është tërhequr nga nominimi për postin e prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara.

Ai ishte nominuar nga Trumpi, por tha se këtë vendimin për t’u tërhequr e mori për shkak të një hetimi federal kundër tij për trafikim të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG