Ndërlidhjet

Të paktën pesë të vrarë, teksa Rusia i vazhdon sulmet në Ukrainë


Pasojat e sulmeve ruse në Pavlohrad, Ukrainë, shtator 2024.
Pasojat e sulmeve ruse në Pavlohrad, Ukrainë, shtator 2024.

Të paktën tre njerëz, përfshirë një fëmijë, janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur nga një sulm rus në qytetin ukrainas Pavlohrad, tha guvernatori rajonal të premten. Ndërkaq, edhe dy persona u vranë në një fshat në Donjeck, kur bombat ruse goditën një ndërtesë banimi.

Këto sulme vijnë një ditë pasi një sulm rus me dronë dhe raketa la 12 të vdekur në Kiev dhe pak pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, t’i ndalë sulmet në Ukrainë.

“Agresori përsëri kreu një sulm masiv me dronë në rajon”, tha në Telegram Serhiy Lysak, guvernatori i rajonit qendror të Dnipropetrovskit, duke shtuar se 11 dronë u shkatërruan mbi këtë rajon.

Lysak tha se kanë shpërthyer disa zjarre në qytet, dhe e publikoi një fotografi të një ndërtese shumëkatëshe të kapluar nga zjarri në disa kate.

Ai shtoi se gjashtë nga të plagosurit u shtruan në spital, ndërsa dy të tjerë, përfshirë një vajzë 15-vjeçare, morën tretman në vendngjarje.

“Fatkeqësisht, tashmë janë tre të vdekur në Pavlohrad. Ndër ta është edhe një fëmijë”, tha ai në një përditësim të mëvonshëm.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar, shtoi ai.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia i ka lëshuar 103 dronë në sulmet gjatë natës në mbarë Ukrainën, duke shkaktuar dëme në pesë rajone.

Qyteti industrial i Pavlohradit kishte një popullsi prej rreth 100.000 banorësh para luftës. Ai është një qendër e rëndësishme hekurudhore për rajonin e Dnipropetrovskit, pasi e lidh atë me pjesën lindore të vendit.

Qyteti verilindor i Ukrainës, Harkiv, ishte gjithashtu nën sulm me dronë, tha kryetari i bashkisë Ihor Terekhov, duke shtuar se sipas informacionit paraprak, disa ndërtesa private janë dëmtuar.

Sulmi i së enjtes në Kiev e nxiti presidentin amerikan Trump ta kritikojë si rrallëherë Putinin.

“Nuk jam i lumtur me sulmet ruse në Kiev”, shkroi ai Trump, duke shtuar se “nuk ishin të nevojshme dhe nuk duhej që të ndodhnin tani. Vladimir, ndalu. Në javë po vdesin 5.000 ushtarë. Eja ta bëjmë një marrëveshje për paqe”.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërpreu një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut, për shkak të sulmeve në Kiev.

“Nëse Rusia dëshiron një armëpushim, atëherë duhet të ndalë sulme të tilla masive”, tha Zelensky në Afrikën e Jugut para se të nisej drejt Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG