Ndërlidhjet

Transiti i pasigurt: Kosovarët “nën gjykimin” e Serbisë


Pikëkalimi mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, është një prej zonave ku autoritetet serbe kanë arrestuar shqiptarë të Kosovës.
Pikëkalimi mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, është një prej zonave ku autoritetet serbe kanë arrestuar shqiptarë të Kosovës.

Shkurtimisht

  • Historia e Tefik Mustafës tregon, sipas familjarëve, pasojat fizike dhe psikologjike të burgimit në Serbi, përfshirë dëmtimin e shikimit dhe krizën nervore.
  • Gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjashtë raste arrestimesh dhe një rrëmbim i shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe, shumica e të cilëve dyshohen për “krime lufte” ose “shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”.
  • Vëzhguesit e shohin valën e arrestimeve si pasojë të ndërprerjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe mungesës së bashkëpunimit ndërmjet sistemeve të drejtësisë.

Kur Tefik Mustafa u kthye në Kosovë pas më shumë se një viti në burgjet e Serbisë, familja e tij e pa të thyer fizikisht dhe emocionalisht.

Sot ai është në Zvicër, duke trajtuar problemet me shikim dhe një krizë nervore - pasoja këto të drejtpërdrejta të kushteve të rënda në burgun ku u mbajt, sipas familjes.

Historia e tij është vetëm një nga shumë rastet e ngjashme të viteve të fundit, kur qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe gjatë udhëtimeve transit.

Nga udhëtim transit, në 13 muaj paraburgim

Djali i tij, Qamili, rrëfen se Tefik Mustafa - shtetas i Kosovës dhe i Italisë - u nis më 1 qershor 2024 drejt Sllovenisë, përmes Serbisë - rrugë që e kishte përdorur dhjetëra herë më parë.

Në vendkalimin kufitar të Merdares, midis Kosovës dhe Serbisë, ai u ndalua nga policia serbe.

“E detyruan që telefonatën e fundit me familjen ta bënte në gjuhën serbe. Pastaj, për 79 ditë nuk na lejuan asnjë kontakt”, rrëfen Qamili për Radion Evropa e Lirë.

Pas një muaji paraburgim në Prokuple, Tefiku u transferua në një burg të sigurisë së lartë në Beograd.

Sipas të birit, ai u akuzua për organizimin e rrëmbimit të tre policëve serbë në qershor të vitit 1999, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Për familjen, akuza ishte absurde, sepse, siç thotë Qamili, Tefiku as që ndodhej në Kosovë në atë kohë.

Nga viti 1997, ai jetoi dhe punoi në Gjermani, deri më 2004, kur u kthye për herë të parë në Kosovë, pas përfundimit të luftës, thotë Qamili.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Prokuroria kërkoi 27 vjet burg, por Gjykata e dënoi me një vit. Në fund, sipas Qamilit, Tefikun “e shpallën të pafajshëm” dhe e liruan pas 13 muajsh në paraburgim.

“Nuk kanë gjetur fakte. Plus, kur e kanë liruar babanë, e kanë shpallur të pafajshëm”, thotë ai.

Qamili pretendon se gjatë kohës në burg, Tefikut i është dëmtuar rëndë shikimi për shkak të ambientit të errët, në të cilin është mbajtur.

“Babai, për momentin, gjendet në Zvicër. Ka shkuar për vizitë dhe për trajtim mjekësor, lidhur me problemin me sy, por edhe për një lloj ‘bllokade’... është një lloj krize nervore”, shpjegon ai.

Po sipas tij, familja ka shitur prona dhe është futur në borxhe “për të paguar qindra mijëra euro”, që avokatët serbë kërkonin për ta nxjerrë të lirë.

Gjashtë të arrestuar dhe një i zhdukur më 2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shtetasit e Kosovës, të arrestuar në Serbi këtë vit.

Por, burime të REL-it brenda MPJD-së konfirmojnë se deri më tash këtë vit janë regjistruar gjashtë raste arrestimesh dhe një rast rrëmbimi nga autoritetet serbe.

Të arrestuarit, sipas tyre, dyshohen për “krime lufte” ose “vepra kundër rendit kushtetues të Serbisë”.

Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD

Arbnor Spahiu - i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.

Lulzim Halili - i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Sasha Gjorgjeviq - i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.

Behar Preniqi - i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.

Hazir Haziri - i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Avni Qenaj - i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.

Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq - pjesa veriore e Kosovës - më 1 nëntor.

Më 14 gusht, autoritetet serbe kanë njoftuar se i kanë ndaluar edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata janë liruar.

Shifrat që nuk i di askush

Avokatët nga Kosova nuk mund t’i mbrojnë qytetarët e ndaluar në Serbi pa licenca serbe, por bashkëpunojnë me avokatë vendas.

Arianit Koci, i angazhuar në disa prej rasteve, thotë se shifrat zyrtare janë “relativisht të pasakta”.

“Ka raste kur biznesmenë të caktuar janë ndaluar - me pretendimet se kanë kryer krime të luftës - dhe më pas janë liruar. Por, ata kanë insistuar që të mos bëhen publike këto informata, për shkak se, sipas tyre, ata duhet të vazhdojnë të kalojnë nëpër Serbi”, thotë Koci për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend edhe rastin e një ish-polici që u ndalua për disa orë dhe u lirua pa u marrë vesh nga askush.

“Ka shumë raste të tilla”, thotë ai dhe shton se Serbia “i zvarrit qëllimisht procedurat”.

“Në rastin e Hazir Hazirit, dëshmitarët e kanë shfajësuar. Por, prokuroria tani kërkon ta kontrollojë telefonin e tij të vitit 2025 për një ngjarje të vitit 1999. Si është e mundur kjo?”, pyet ai.

Sipas tij, Haziri ka kaluar dhjetëra herë më parë nëpër territorin e Serbisë dhe nuk është ndaluar deri në shtatorin e sivjetmë.

“Qytetarët janë [dëm] kolateral. Gjithmonë pëson individi kur dy shtetet kanë probleme. Këtë mekanizëm, si duket, Serbia po e shfrytëzon në mënyrë brutale”, shton Koci.

Arrestimet si instrument politik

Ekspertët, gjithashtu, vlerësojnë se këto ndalime ndodhin zakonisht kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë rriten.

Në dy vjetët e fundit, ato kanë qenë të larta, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj edhe në pjesën veriore të vendit, ku popullata shumicë serbe vazhdon të jetë e ndikuar nga pushteti në Beograd.

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, thotë se qytetarët janë bërë “kolateral politik”.

“Është një lojë ‘ping-pong’. Është një kolateral që e paguajnë qytetarët e Kosovës për shkak të raporteve të tensionuara me Serbinë, si dhe për shkak se Kosova dhe Serbia kanë mbetur nën hijen e interesimit ndërkombëtar, si pasojë e luftimeve në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e afërt”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Serbia po simulon “reciprocitet”, duke pretenduar se po arreston kosovarë si kundërpërgjigje për procedurat në Kosovë ndaj serbëve.

“… por, çdo ndalim i jashtëligjshëm është shkelje e të drejtave të njeriut. Arrestimi e pastaj lirimi i shfajëson në letër, por dëmi ndaj personit është i pariparueshëm”, thotë ai.

Shala kritikon klasën politike në të dyja vendet që po i përdor këto raste vetëm për retorikë, pa bërë përpjekje për të ndërtuar mekanizma të vërtetë bashkëpunimi, me ndërmjetësim ndërkombëtar ose ndërinstitucional.

Gjatë këtij viti, MPJD-ja e Kosovës ka përsëritur disa herë thirrjen që shtetasit kosovarë të shmangin udhëtimin përmes territorit të Serbisë, duke vlerësuar se “Serbia nuk është më një territor, i cili ofron siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të shtetasve të Republikës së Kosovës, në veçanti ndaj shqiptarëve”.

Territori i këtij vendi shfrytëzohet sidomos nga shtetasit që duan të kalojnë në territor të BE-së, duke hyrë fillimisht nga Serbia në Hungari, si dhe anasjelltas nga diaspora që viziton Kosovën.

Prishtina dhe Beogradi i kanë hequr dokumentet për hyrje-dalje nga vera e vitit 2022.

Mes tjerave, ato kanë edhe Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, të arritur qysh në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunimi në praktikë gati se nuk ekziston.

Arrestimet si pasojë e mungesës së dialogut

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, e sheh valën e arrestimeve të shtetasve të Kosovës në Serbi, si dhe të serbëve të Kosovës, si pasojë të drejtpërdrejtë të ndërprerjes së dialogut politik mes dy vendeve.

Sipas tij, që nga takimi i fundit i nivelit të lartë në shtator të vitit 2023, komunikimi mes palëve është “praktikisht i shkatërruar”.

“E gjithë kjo tregon se dialogu nuk po funksionon. Arrestimet pa asnjë koordinim janë dëshmi se të gjitha kanalet e komunikimit janë rrënuar”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Gogiqit, arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi janë edhe rezultat i presionit të brendshëm politik.

Procedurat penale të nisura në Kosovë kundër disa zyrtarëve serbë - përfshirë edhe drejtues të Listës Serbe për shkelje të dyshuara të ligjeve në Kosovë - kanë krijuar pritshmëri te publiku në Serbi që Beogradi të “përgjigjet”.

Për ta qetësuar këtë opinion, thotë Gogiq, autoritetet serbe shpesh arrestojnë kosovarë gjatë transitit.

Por këto lëvizje, sipas tij, janë edhe një mesazh politik për Prishtinën: “Është simptomatike që arrestimet ndodhin pothuajse paralelisht, në të dyja anët.”

Gogiq shton se tensionet e brendshme në Serbi - protestat e shumta kundër pushtetit që prej nëntorit të kaluar - e ushqejnë po ashtu këtë dinamikë.

Një pjesë e opinionit e akuzon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për “butësi” ndaj Kosovës, dhe arrestimet shërbejnë si përgjigje politike ndaj këtyre kritikave, sipas tij.

Gogiq paralajmëron se pa bashkëpunim mes dy sistemeve të drejtësisë - qoftë edhe përmes misionit të BE-së në Kosovë, EULEX - qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë do të vazhdojnë të përballen me pasiguri juridike, duke mos e ditur se “çfarë i pret” kur hyjnë në territorin e palës tjetër.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG