“Ai ishte shumë i sjellshëm dhe i kujdesshëm. Filluam një lidhje të fshehtë dhe pas një kohe, pasi më zbuloi familja, ata kërkuan që të takoheshin me të. Ai u takua dhe familjes i la përshtypje shumë të mirë”.
“Pas një kohe, më ka ftuar që të shkoj në shtëpinë e tij. Unë u gëzova shumë sepse do të më njoftonte me familjen e tij dhe kështu mendova që lidhja jonë do të jetë stabile dhe serioze”.
“Por, fatkeqësisht ai aty nuk e kishte familjen, por një shok”.
Flutura [emër i vendosur nga redaksia] në moshën 17-vjeçare ishte keqtrajtuar, rrahur dhe shfrytëzuar seksualisht. Në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se si ishte detyruar të shkonte në motele të ndryshme në Kosovë, që të kryente marrëdhënie seksuale. E për këtë, e detyronte personi për të cilin fillimisht ajo mendonte se e kishte të dashur dhe besonte se do të martohej me të.
Në ditën kur mendonte se do të takonte familjen e të dashurit, ajo ishte abuzuar nga një person.
“Ai shoku kishte ardhur që të më takonte mua... Cili njeri normal do ta ndante të dashurën me dikë tjetër? Unë, normal, fillova të qaj dhe nuk besoja atë që po e dëgjoja. Por, ai filloi që të përdorte dhunë fizike dhe më tha se do të më linte të zhveshur në ballkon. Edhe do ta bënte një gjë të tillë, sepse qëllimi i tij ishte që të fitonte para dhe nuk i interesonin ndjenjat e mia”, tregon ajo.
Flutura më nuk u kthye në shtëpi, me arsyetimin se duhet “të qëndroj te burri”.
“Nuk kisha mundësi të flisja në telefon as me familjen. Kështu filloi errësia. Prej asaj dite, ai më dërgonte në lloj-lloj hotelesh në disa qytete të Kosovës, me njerëz të ndryshëm. Ishte viti më i tmerrshëm i jetës sime”, shton Flutura.
Kjo ka vazhduar derisa një ditë ata ishin përcjellë nga policia, por Flutura thotë se as vetë nuk e di se kush i lajmëroi zyrtarët policorë.
“Kur na ka zbuluar policia, atij ia vendosën prangat, ndërsa mua më kërkuan që të jap deklaratë.... Vendosa të tregoj të gjithë të vërtetën. Nga aty më kanë dërguar në strehimore dhe më shpjeguan se isha viktimë. Aty e kuptova dhe u mërzita shumë sepse ishte lënduar e thyer karakteri im”, tregon Flutura.
Ajo sot është falënderuese për ndihmën që e ka marrë, në radhë të parë nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimit të Trafikimit, që e ndihmoi Fluturën që të rregullojë edhe marrëdhëniet me familjen.
Shumica e viktimave të trafikimit seksual, të mitura
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjatë vitit 2020 ka trajtuar dhe i ka ofruar shërbime sociale 21 viktimave të trafikimit seksual, të gjitha të nacionalitetit shqiptar, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie dërguar Radios Evropa e Lirë.
“Tetëmbëdhjetë nga viktimat kanë qenë fëmijë, tre të rritura, kurse një i gjinisë mashkullore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Këtyre viktimave, gjatë ofrimit të mbrojtjes sociale, u janë ofruar po ashtu edhe shërbime sociale, mjekësore, psiko-sociale, të ushqimit, veshmbathjes dhe shërbime farmaceutike.
Sipas Policisë së Kosovës, për veprën penale të trafikimit me njerëz dhe veprave që ndërlidhen me trafikimin, në vitin 2020 janë arrestuar 104 persona të dyshuar, në mesin e të cilëve ishin 90 shtetas të Kosovës, dhjetë nga Shqipëria dhe tre nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Vetëm gjatë këtij viti, mbi 30 persona janë trafikuar në Kosovë dhe po aq janë arrestuar si persona të dyshuar.
"Referuar statistikave të vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti, në Kosovë ka një trafikim të brendshëm, ku nga 19 viktimat e identifikuara të trafikimit me njerëz janë nga Kosova dhe që janë shfrytëzuar në Kosovë, ndërsa nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar që Kosova të ketë qenë vend transiti", thuhet në përgjigjen e policisë.
"Plagët e brendshme asnjëherë nuk shërohen"
Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimit të Trafikimit të njerëzve ofron mbështetje menjëherë pas referimit të viktimave nga Policia e Kosovës apo nga Qendra për Punë Sociale.
Teuta Abrashi, nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimit të Trafikimit, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo qendër ofron mundësi për viktimat e trafikuar që nga faza e rehabilitimit e deri te riintegrimi afatgjatë socio-ekonomik.
"Ndihma e parë që ne mundohemi t'iu japim është afërsia dhe t'iu ofrojmë një mbështetje sikur të jenë në një familje dhe t'i kuptojmë dhe të ndihen rehat, dhe pastaj punohet sipas planprogramit të trajtimit e riintegrimit", tha Abrashi.
Abrashi theksoi se sfida më e madhe në trajtimin e viktimave është ballafaqimi me traumën në të cilën e ka kaluar viktimat.
“Ne gjithmonë u themi se po u ndihmojmë. Flasim për të arriturat tona, për sukseset tona, por në fakt, ato plagët e brendshme asnjëherë nuk mundemi t’ua shërojmë. Mirëpo, mundohemi me gjithë ato shërbime që i kemi në dispozicion, me stafin që është profesional, që të bëjmë më të mirën. Por, sfida më e madhe është riintegrimi afatgjatë”, u shpreh Abrashi.
Pasi viktimat i nënshtrohen programit të rehabilitimit, njëkohësisht Qendra kontaktet me familjen, për rikthimin e tyre pranë familjeve.
"Nga përvoja e madhe që kemi me raste të shumta, ka pasur familje që ku prindërit në fillim as nuk i kanë pranuar, as nuk kanë pasur dëshirë as të kenë ndonjë kontakt me ato. Mirëpo, me punën që kemi bërë, shumë raste kemi arritur t'i kthejmë në familje", tha Abrashi.
Abrashi shton se numri i viktimave të trafikimit, mund të jetë edhe më i madh, pasi që, sipas saj, mbyllja për shkak të pandemisë, ka bërë që shumë raste të mos raportohen.
"Ka edhe më tepër sepse në rrethanat e tilla të mbylljes mund ta merrni me mend se si krimi i organizuar lulëzon. Kanë qenë shkaqet e tjera nga të cilat nuk ka qenë i mundur identifikimi apo referimi te ne", tha Abrashi.
Ndryshe, Qendrat për Punë Sociale në nivel lokal kanë mandat ligjor mbrojtjen e të gjithë personave që bien në nevojë për shërbime sociale dhe familjare, e në këtë rast edhe të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, e që kryesisht shërbimet që ofrojnë QPS-të, kanë të bëjnë me menaxhimin, koordinimin dhe referimin e rasteve.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes mbështetjes që ofron për sektorin joqeveritar, e konkretisht për strehimoret, gjatë vitit 2020 ka vazhduar me mbështetjen e projekteve të organizatave joqeveritare që në kuadër të tyre ofrojnë shërbime për viktimat e trafikimit në proces të mbrojtjes dhe riintegrimit të tyre.
"Sa i përket kësaj mbështetjeje, konkretisht gjatë vitit 2020 dy organizata joqeveritare vendore janë mbështetur në projekte e tyre nga ana e Ministrisë në vlerë prej 105,000 euro", thonë nga MPMS.
Mjetet e ndara janë të orientuara në mbrojtjen sociale të viktimave, duke përfshirë strehimin në strehimore, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre.
Për Fluturën, ndihma e Qendrës ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, ku ajo ka zhvilluar shumë biseda me stafin dhe psikologët.
“Më bënë të kuptoj që ajo është një ngjarje që duhet ta lë pas krahëve dhe të fokusohem në jetën time, në ardhmërinë time. Më motivuan për çdo gjë”, thotë Flutura.
Facebook Forum