Ndërlidhjet

Torturë e uri: 846 ditët e ushtarit ukrainas në robërimin rus


Ihor Titovskiy, që qëndroi në robërimin rus për dy vjet. Ai u kthye në Ukrainë shtatorin e vitit 2024.
Ihor Titovskiy, që qëndroi në robërimin rus për dy vjet. Ai u kthye në Ukrainë shtatorin e vitit 2024.

Teksa forcat ruse rrethuan bastionin e fundit të rezistencës ukrainase në qytetin e shkatërruar të Mariupolit, Ihor Titovskiy përgatiti familjen e tij për më të keqen, duke u dhënë udhëzime për varrimin e tij gjatë një bisede telefonike të zhvilluar në maj të vitit 2022.

“U thashë që nuk kishte nevojë për panik – thjesht të merrnin trupin tim dhe ta varrosnin”, tha Titovskiy për Radion Evropa e Lirë. Atëbotë, ai ishte toger dhe tani është kapiten. “Ishte e dhimbshme për nënën time ta dëgjonte këtë, por nuk kishte rrugë tjetër”.

“Moralisht, praktikisht të gjithë personeli i mbetur… e kuptonin që nuk do të mbijetonim”, tha ai. “Ishte vetëm çështje kohe – kur do të ndodhte”.

Megjithatë, funerali mund të presë: Pak kohë pas asaj telefonate, Titovskiy dhe ukrainasit e tjerë të grumbulluar në uzinën e çelikut të Azovstalit – shumë prej tyre anëtarë të Brigadës Azov – u dorëzuan nën urdhrin e Kievit dhe u morën rob, duke përforcuar kështu kontrollin e Rusisë mbi një qytet që dikur kishte gjallëri e që u shkatërrua tre muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

Reagimi i Ihor Titovskiyt menjëherë pas kthimit në Ukrainë.
Reagimi i Ihor Titovskiyt menjëherë pas kthimit në Ukrainë.

Për Titovskiyn, pas 86 ditësh në Azovstal, tortura sapo kishte filluar: Ai dhe të burgosurit e tjerë përjetuan rrahje brutale, goditje me elektroshok, u përballën me uri dhe keqtrajtime të tjera, tha ai. Titovsky u lirua gjatë një këmbimi të të burgosurve 846 ditë më vonë. Kur u dërgua me autobus në Bjellorusi dhe më pas e kaloi kufirin për në Ukrainë në shtator të vitit 2024, ai peshonte 50 kilogramë.

Nga Mariupoli, Titovskiy dhe shumë anëtarë të tjerë të Brigadës Azov u dërguan në një burg në Olenivka, në një pjesë të rajonit të Donjeckut që prej kohësh është nën kontrollin e Rusisë. Atje, tha ai, pati fat që i mbijetoi një prej ngjarjeve më vdekjeprurëse në luftë: shpërthimeve të fuqishme që vranë të paktën 50 të burgosur në natën e 28-29 korrikut 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka quajtur shpërthimet si “krim lufte i qëllimshëm nga Rusia”. Kombet e Bashkuara në janar e shpërbën një mision për grumbullimin e fakteve, pasi Rusia pengoi përpjekjet për hetim, duke dëmtuar provat fizike dhe duke refuzuar që t’u japë vëzhguesve të OKB-së qasje në vendngjarje.

Titovskiy, 43 vjeç, tha se kishte shpëtuar falë fatit: i caktuar në një ndërrim roje, ai ishte duke dalë jashtë kur një shpërthim goditi barakën e tij, dhe e flaku përmes derës, duke i shkaktuar lëndime në krah dhe këmbë. Ai u kthye disa herë në ndërtesën që po digjej, por nuk pa asnjë gjurmë të burrave që kishin fjetur pranë tij.

“Shtrati im ishte i dyti nga lart, shoku im flinte poshtë meje. Ishte sikur të mos kishin ekzistuar kurrë”, tha ai. “Hyra brenda tri ose katër herë, nxora disa djem të tjerë. Por, nuk mund ta gjeja shtratin tim, vëllezërit e mi, apo gjësendet e mia. Asgjë. Aty ku kishin qenë tetë shtretër, tani ishte vetëm një hapësirë bosh”.

Rusia pretendoi se shpërthimet ishin shkaktuar nga raketa HIMARS, të lëshuara nga forcat ukrainase, por Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së erdhi në përfundim se ky pretendim ishte i rremë dhe se “dëmet e shkaktuara përputhen me predha të lëshuara nga një trajektore lindje-perëndim” – thënë ndryshe, nga një zonë më e thellë e territorit të kontrolluar nga Rusia.

“Mungesa e llogaridhënies për vdekjet dhe plagosjet në burgun në Olenivka hyn brenda një konteksti më të gjerë të torturës së përhapur dhe rutinore ndaj të burgosurve ukrainas të luftës”, tha OKB-ja më 2024, duke përshkruar gjithashtu ato që i quajti “kushte të mjerueshme ndalimi” me të cilat përballeshin shumë nga të burgosurit.

“Autoritetet ruse i kanë nënshtruar të burgosurit ukrainas të luftës ndaj torturës sistematike dhe të përhapur, përfshirë dhunën seksuale dhe kushtet e rënda të ndalimit”, u tha në një raport të Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, të publikuar në shkurt të vitit 2025. “Tortura ka qenë e pranishme gjatë marrjes në pyetje dhe në të gjitha fazat e robërisë”.

Për Titovskiyn, pjesa më e rëndë e abuzimit dhe keqtrajtimit – që shumë do ta përshkruanin si torturë – ndodhi më vonë. Nga Olenivka, ai dhe personat e tjerë që u mbijetuan shpërthimeve, u dërguan në një burg në Taganrog, qytet rus afër kufirit, ku ata menjëherë u përballën me dhunë brutale, tha ai.

“Na rrahën – nëse mund ta quash kështu”, tha ai, duke sugjeruar se niveli i abuzimit ishte aq i rëndë saqë fjala “rrahje” nuk e përshkruan siç duhet. “Kishte djem 20 vjeç, të fortë e në formë – por, edhe ata humbnin ndjenjat nga dhuna”.

Rusët ishin veçanërisht të dhunshëm “nëse shihnin tatuazhe – dhe anëtarët e Azovit kanë shumë të tilla”, tha Titovskiy. “Çdo vijë e kryqëzuar konsiderohej një svastikë. Mund t’ua shpjegoje 300 herë se ishte një vizatim abstrakt, por për ta, ne ishim nazistë”.

Tashmë pjesë e Gardës Kombëtare të Ukrainës, Brigada Azov ishte formuar si një batalion vullnetar nga një milici e krahut të djathtë në maj të vitit 2014, pak pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë nga Ukraina dhe nxiti luftën në rajonin lindor ukrainas, të njohur si Donbas.

Zyrtarët rusë kanë përdorur origjinën e Brigadës Azov dhe simbolin e saj zigzag për të mbështetur pretendimin e rremë se Ukraina kontrollohet apo dominohet nga neonazistë – një nga narrativët kryesorë që Kremlini përdor për të justifikuar luftën kundër Ukrainës.

Titovskiy, i cili është nga rajoni ukrainas i Zaporizhjës, u bashkua me ushtrinë në vitin 2014, i etur për të mbrojtur vendin, teksa nisi sulmi rus. Ai nisi të shërbente në Brigadën Azov në nëntor të vitit 2021.

Gjatë tre muajve që qëndroi në burgun në Taganrog, Titovski tha se ishte marrë në pyetje për tri ditë rresht dhe gjatë marrjes në pyetje e kishin rrahur.

“Më rrahën duke më goditur shumë keq në pjesën e majtë të trupit, që mu bë e zezë. Njëra këmbë madje nisi të më infektohej. S’mund të qëndroja në këmbë sepse infeksioni arriti deri te nyja e kyçit të këmbës”, tregoi ai. Më pas, Titovskiy u dërgua në Krime “për amputimin” e këmbës, por këmba nuk iu amputua dhe, në vend të kësaj, ai u trajtua me antibiotikë, që ia shëruan plagët.

Pas kësaj, Titovskiy u dërgua në një burg edhe më thellë brenda Rusisë, në qytetin Kamishin, ku ai tha se zyrtarët e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), e torturuan me elektroshok.

“Ishte një ferr i ri sepse atyre u pëlqenin shumë elektroshokët”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Ishte hera e parë që hasja në diçka të tillë”.

“[Rojet] e FSB-së më morën në pyetje, duke përdorur elektroshok, për dy ditë” me të mbërritur, tha ai. “Ata më vendosën një thes në kokë, më lidhën duart pas shpine dhe më përplasën për toke... Dy prej tyre u ulën mbi mua dhe ndezën rrymën”.

Rojet në Kamishin përdornin elektroshok dhe metoda të tjera, përfshirë edhe ndërsimin e qenve ndaj të burgosurve, në përpjekje për t’i detyruar të pranonin vrasjen e civilëve në Mariupol, tha Titovskiy.

Protestuesit kujtojnë përvjetorin e vdekjes të të burgosurve ukrainas në burgun në Olenivka. Zaporizhja, korrik 2024.
Protestuesit kujtojnë përvjetorin e vdekjes të të burgosurve ukrainas në burgun në Olenivka. Zaporizhja, korrik 2024.

“Ata na rrihnin duke na goditur me duar, me këmbë, me shkopinj dhe me tuba plastike të uji”, tha ai. “Kur pesha ime ra në 50 kilogramë, më thanë: ‘Shtrëngo muskujt e barkut, do të të godasim tani’. Pastaj më pyetën: ‘Si të goditëm, mirë?’”.

Pesha normale e Titovskiyt është 70 kilogramë. Në burgun e Kamishinit, të burgosurve u jepnin “150 gramë kasha [ushqim që përgatitet kryesisht nga drithëra të ziera] tri herë në ditë”, tha ai. “Për një burrë të rritur, kjo është shumë pak”.

Për më tepër, ata ishin të detyruar të hanin shpejt ushqimin, sepse u jepej shumë pak kohë për të ngrënë, dhe nëse dikush nuk mbaronte me kohë, të gjithë ndëshkoheshin me porcione më të vogla në vaktin tjetër, tha Titovskiy.

Të burgosurve nuk u jepeshin çorape ose veshje të brendshme, dhe Titovskiy përdori të njëjtën furçë dhëmbësh gjatë gjithë qëndrimit të tij dyvjetor në burg: “Na jepnin një copë sapun, që duhej ta përdornin 16 persona. Praktikisht, nuk kishte letër higjienike, furça dhëmbësh ose pastë dhëmbësh”.

Këto kushte të rënda ndryshonin vetëm kur një komision zyrtar vinte në burg ose, në një rast, kur u zhvillua një vizitë nga përfaqësues të Kryqit të Kuq – dhe edhe atëherë, të burgosurve u jepeshin sende për sa për t’u treguar, por në disa raste u ndalohej t’i përdornin ato, tha ai.

Në shtator 2024, Titovskiy u transferua përsëri, në Belgorod, ku ai dhe të burgosurit e tjerë u habitën nga sjellja e mirë e rojeve dhe nga “çarçafët dhe peshqirët e bardhë” në qelitë e tyre.

“Në mëngjes na nxorën jashtë dhe një zyrtar i forcave speciale ruse tha: ‘Djem, po shkoni në shtëpi’”, tha ai.

Por, Titovskiy e kishte dëgjuar këtë edhe më herët, por gjithmonë ishte kthyer në burg, prandaj ai nuk u besoi fillimisht fjalëve të këtij zyrtari. Por, shpresat ju rritën kur hipi në një autobus civil, që i dërgoi ata në kufirin mes Bjellorusisë dhe Ukrainës.

Ishte e premte, 13 shtator, dhe “kur zbritëm nga autobusi, e pamë një shenjë dhe nisëm të qeshnim – ora ishte 13:13”, kujtoi Titovskiy.

“Më vonë thash nëse dikush më thotë se numri 13 është numër pafat apo nëse e premtja e datës 13 është datë e mallkuar, do t’i pështyj në fytyrë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Ishte data më e lumtur dhe dita më e lumtur e jetës time. Të kthehesh në atdhe – s’kam fjalë. Është diçka tjetër”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG