Miliona vaksina kundër koronavirusit mund të humbasin, nëse vendet e pasura dërgojnë përnjëherë sasi të mëdha dozash në vendet e varfra, paralajmëroi Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF.
Sipas tij, furnizimi duhet të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit, sepse vendet e varfra nuk kanë burime për t'i përdorur të gjitha menjëherë.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar e vende të tjera kanë premtuar se do t’i dhurojnë dozat e tyre të tepërta në vendet me të ardhura të ulëta.
Yje të muzikës dhe sportit, si Billie Eilish dhe David Beckham, janë duke mbështetur thirrjet e UNICEF-it.
Ato kanë nënshkruar një letër për grupin e vendeve më të pasura të botës, G7, duke u kërkuar atyre që të dhurojnë 20 për qind të vaksinave deri në muajin gusht.
“Pandemia nuk do të mbarojë askund derisa të mbarojë kudo”, tha Beckham.
Video:
Lily Caprani, përgjegjëse për vaksinat në UNICEF, tha se vendet me të ardhura të ulëta kanë nevojë për furnizim të qëndrueshëm.
Nëse vaksinat kursehen deri në Krishtlindje, vendet nuk do të jenë në gjendje t’i absorbojnë ato, tha Caprani.
“Mund të shohim miliona doza të vaksinave që nuk përdoren dhe skadojnë. Kjo do të ishte një tragjedi”, tha ajo.
Në letrën dërguar G7-ës, të famshmit thanë se UNICEF-i po shpërndan vaksina në vendet e varfra, porse organizatës i mungojnë rreth 190 milionë doza.
Sipas letrës, vendet e G7-ës së shpejti do të kenë mjaftueshëm për të dhuruar 20% të dozave të tyre.
“Virusi është duke u përhapur ende në shumë vende dhe duke prodhuar variante të reja, me potencialin për të na kthyer të gjithëve atje ku kemi filluar”, thuhet në letrën dërguar grupit G7.
Disa vende, si Mbretëria e Bashkuar, e cila ka porositur 400 milionë doza të vaksinave të ndryshme, tashmë kanë vaksinuar një pjesë të madhe të qytetarëve të tyre.
Por, vendet e tjera janë ende duke pritur mbërritjen e dërgesave. Shumë vende të varfra po mbështeten në dërgesat nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë - COVAX.
Disa vende kanë premtuar doza deri në fund të vitit, por edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar atyre që të nisin me shpërndarjen tani.
“Gjithnjë e më shumë, ne po shohim një pandemi me dy drejtime”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Gjashtë muaj prejse ka nisur dhënia e vaksinave të para kundër koronavirusit, vendet me të ardhura të larta kanë dhënë gati 44 për qind të dozave në botë. Vendet me të ardhura të ulëta kanë dhënë vetëm 0.4 për qind. Gjëja më zhgënjyese në lidhje me këtë statistikë është se ajo nuk ka ndryshuar tash e sa muaj”, tha Tedros.
Michael Ryan, shef i urgjencave në OBSH, tha se “nivelet e larta të mbulimit me vaksina janë rruga për të dalë nga kjo pandemi”.
Ai tha se mbulimi, me gjasë, duhet të arrijë 80 për qind të një popullate, për të zvogëluar rrezikun që variantet e reja të koronavirusit “të importohen” dhe të shkaktojnë shpërthime të reja.
Ekspertët e shëndetit janë veçanërisht të shqetësuar për katër të ashtuquajtura variante shqetësuese.
Maria Van Kerkhove, epidemiologe në OBSH, tha se varianti Delta, që goditi rëndë Indinë, po përhapet në më shumë se 60 vende dhe është më i transmetueshëm se varianti Alfa, i cili u shfaq për herë të parë në Britani.
Udhëheqësit e G7-ës pritet të mblidhen më 11 qershor në Britani. Në krye të agjendës së tyre pritet të jenë përgjigjja e koordinuar ndaj pandemisë dhe qasja në vaksina e vendeve më pak të zhvilluara.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, që gjurmon të dhënat për pandeminë, koronavirusi ka prekur mbi 173 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 3.7 milionë kanë vdekur.
Numri i vaksinave të dhëna deri më tash ka kaluar 2.1 miliardë. Shumica e vaksinave kundër koronavirusit duhet të jepen në dy doza për të arritur efektin maksimal.
Facebook Forum