Ndërlidhjet

Thaçi ecën vetë


Presidenti Hashim Thaçi
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbetur i vetëm në iniciativën për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk e ka mbështetjen e partive politike, as në pushtet e as në opozitë.

Thaçit i duhet mbështetja e partive politike pasi çdo marrëveshje eventuale ndërmjet tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të duhet të votohej në Parlament.

Vende mbështetëse të Kosovës, siç janë Britania dhe Gjermania, janë deklaruar kundër një ideje të mundshme për shkëmbim apo ndryshim të kufijve në Ballkan.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se presidenti, përmes kësaj ideje, ka përçuar një mesazh të dëmshëm për vendin.

Hoti thotë se janë të koordinuara deklarimet e personave të caktuar në Prishtinë dhe Beograd që promovojnë idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Propozimi kontrovers i presidentit për korrigjim kufijsh, i ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kamotshme, tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale në Kosovës. Ky propozim po ndihmon drejtpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet e reja do të nxjerrin një Qeveri dhe Kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës”, thotë Hoti për Radio Evropa e Lirë.

Promovimi i idesë së korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve nga presidenti Thaçi, sipas Hotit nga LDK-ja, e ka futur ne qorrsokak diplomacinë kosovare dhe ka rezultuar me stopim të plotë të integrimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, ku ka qenë e mundshme, si dhe ka stopuar plotësisht njohjet e reja.

Thaçi: Nuk ka ndarje të Kosovës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:53 0:00

Për shkëmbimin e territoreve, presidenti Hashim Thaçi, në asnjë formë nuk do ta ketë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja e këtij subjekti politik, Arbërie Nagavci, thotë se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese kur ka folur për shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh.

“Përveç deklarimit të partive opozitare, madje edhe individë nga partitë e koalicionit, së fundi kemi edhe deklarimet e kancelares Merkel dhe vendeve të BE-së, të cilat e bëjnë të qartë se prekja e kufijve në Ballkan, do të sillte konflikte të reja dhe kjo është krejtësisht e papranueshme. Andaj besojmë se ky është një tregues për Thaçin që t’i mbyllë këto deklarime, madje as të mos mendojë në këtë drejtim. Përndryshe, ai mban përgjegjësi edhe penale dhe bën tradhti ndaj vendit”, thekson Nagavci.

Në kohën kur presidenti Thaçi prezantoi idenë për ndryshim kufijsh, Partia Socialdemokrate kërkoi nga subjektet opozitare mbështetje për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohej për temat e dialogut si shkëmbim i territoreve, ndarja e Kosovës apo autonomia për veriun.

Shef i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, kishte thënë duhet ndalur përpjekjet e presidentit, pasi sipas tij, presidenti Thaçi nuk është legjitim për të dialoguar me Serbinë.

Qëndrimi i partive në pushtet

Ndonëse presidenti Thaçi u paraqit në shumë konferenca, në të cilat foli për idenë e korrigjimit të kufijve, ai nuk tregoi asnjëherë se çka duhet të japë Kosova për ta bërë pjesë të saj Preshevën, thotë Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate.

“Nëse ai dëshiron të merret seriozisht nga partitë politike, qytetarët e vendit, ai duhet të dalë dhe të tregojë se çfarë po dëshiron të marrë, përkatësisht ai ka treguar se çka dëshiron të marrë, por të tregojë drejt çka duhet dhënë për atë. Pastaj populli vlerëson a është patriot ky apo nuk është patriot. Aktin e marrjes, bashkëngjitjes së Preshevës po e shet si patriotizëm, por nuk po tregon assesi se çka duhet dhënë për të”, thotë Sherifi.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, ish-partinë e presidentit Hashim Thaçi, thonë se pavarësisht se cilat mund të jenë rrethanat e bisedimeve në Bruksel, me Serbinë, nuk duhet të diskutohet asnjëherë për territorin e Kosovës. Megjithatë, Xhavit Haliti nga PDK-ja, thotë se deri tani nuk ka asgjë zyrtare përveç deklarimeve të presidentit Thaçi.

“Unë mendoj se Kosova është njohur ndërkombëtarësh sipas Pakos së Ahtisarit dhe GJND-së. Mendoj në këtë vendim duhet mbetur konsistent që së pari marrëdhëniet tona të ndërtohen mbi bazën e kësaj. Që do të thotë edhe Serbia ta njohë Kosovën e pavarur dhe të tjerat pastaj janë çështje terciare, për të cilat mund të merremi vesh. Për territorin e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, nuk mund të vendosë më Serbia dhe nuk duhet as të diskutohet sa i përket çështjes së Kosovës dhe çështjes së interesave të Serbisë në Kosovë”, deklaron Haliti.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj ideja për ndërrim të kufijve, ndarje ose shkëmbim të territoreve, do të thotë luftë.

Kundërshtimin më të fuqishëm idesë së ndryshimit të kufijve ia ka bërë kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka thënë se nuk mund të ketë lëvizje kufijsh në Ballkan, duke veçuar faktin se vendet e rajonit kanë të ardhme evropiane.

“Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe është i paprekshëm”, ka thënë Merkel këtë javë.

Edhe Ambasada Britanike në Kosovë e ka kundërshtuar lëvizjen e kufijve.
“Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në muajin shtator ku do t’i shpalosin idetë e tyre se si të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se marrëveshja përfundimtare do të arrihet deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG