Ndërlidhjet

Çfarë do të thotë për ushtrinë ukrainase rënia e Vuhledarit?


Fotografi e realizuar nga ajri e qytetit të Vuhledarit më 2023.
Fotografi e realizuar nga ajri e qytetit të Vuhledarit më 2023.

Në fund të janarit të vitit 2023, një autokolonë ruse dhe qindra pjesëtarë të këmbësorisë u përballën me një mbrojtje të ashpër të ushtarëve ukrainas pranë qytetit Vuhledar në Donbas, një mposhtje poshtëruese që shfaqi si guximin e ukrainasve, por po ashtu edhe ofensivat e shpeshta e të paplanifikuara të Rusisë.

Por, kohët kanë ndryshuar.

Më 2 tetor, ushtria ukrainase konfirmoi tërheqjen e njësive nga Vuhledari pas ofensivës rraskapitëse disamujore të kryer nga forcat ruse në pjesë të mëdha të rajonin lindor ukrainas të Donbasit.

Nëse asgjë tjetër, ky është sinjal sesa e rëndë është situata për ushtrinë e Ukrainës.

Në këtë artikull mund të mësoni më shumë rreth rënies së Vuhledarit.

Po, me gjasë keni dëgjuar edhe më herët për Vuhledarin

I gjendur rreth 90 kilometra në jugperëndim të Donjeckut, qytetit më të madh në Donbas që kontrollohet nga Rusia, Vuhledari është një qytet i minierave të qymyrit me banesa të stilit sovjetik, të vendosura në një hapësirë të rrafshët. Para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Vuhledari kishte 14.000 banorë.

Qyteti gjendet në një lartësi relative, që e bën ideal për vendosjen e artilerisë dhe sistemeve raketore që mund të shënjestrojnë një autostradë të madhe, të njohur me emrin T-0509, por edhe një linjë të madhe hekurudhore që kalon aty pranë.

Në nëntor të vitit 2022, nëntë muaj pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë, forcat ruse të udhëhequra nga Brigada 155 e Këmbësorisë e Flotës të Paqësorit, avancuan në Pavlivka, një qytet më i vogël në jug të Vuhledarit. Ai avancim ishte i tmerrshëm për këtë brigadë, që humbi shumë ushtarë dhe pajisje. Më vonë, një grup oficerësh përmes një letre publike kritikuan komandantët e njësisë.

Pothuajse dy muaj më vonë, në fund të janarit njësitë e këmbësorisë të marinës ruse sulmuan Vuhledarin. Por, gjatë sulmit pësuan humbje të mëdha. Disa vlerësime flasin se Rusia humbi qindra ushtarë.

Për vëzhguesit e jashtëm, përpjekja e dështuar shfaqi probleme më të thella me të cilat përballej ushtria ruse, veçmas në nivel të komandës së njësive, ku komunikimi dhe koordinimi çalonin.

Çfarë po ndodh tani?

Që nga fillimi i vitit 2024, forcat ruse kanë rritur ngadalë vrullin në mbarë vijën e frontit prej 1.100 kilometrash, që shtrihet nga kufiri verilindor i Ukrainës pranë Harkivit në jug drejt Vuhledarit, më pas në perëndim-jugperëndim drejt rajonit të Hersonit, e deri në lumin Dnjepër.

Në të paktën tri lokacione, kryesisht në Donbas, trupat ruse – të përforcuara nga ushtarët vullnetarë – kanë bërë përparim dhe ngadalë po sfidojnë mbrojtjen ukrainase, kryesisht për shkak të numrit më të madh të ushtarëve, por edhe të raketave.

Në Çasiv Jar, forcat ruse kanë pushtuar qarkun lindor të qytetit, por kanë hasur në vështirësi që të kalojë një kanal për të marrë nën kontroll edhe pjesën tjetër të qytetit. Sikurse Vuhledari, Çasiv Jari gjendet në një lartësi të konsideroheshe dhe nëse merret nën kontroll, do t’i mundësonte forcave ruse të kërcënonin Konstantnivkën, një qytet dhe qendër hekurudhore në jugperëndim. Forcat ukrainase varen shumë nga linja hekurudhore dhe nga autostrada aty pranë për të dërguar ushtarë dhe furnizime nëpër Donbas.

Rreth 80 kilometra në jugperëndim të Konstantnivkës gjendet një tjetër bastion i madh për forcat ukrainase: Pokrovsku. Që nga vera e kaluar, forcat ruse vazhdimisht e kanë sulmuar qytetin nga ajri – përfshirë edhe me bombat e fuqishme rrëshqitëse – përderisa në terren, forcat ruse kanë sulmuar nga lindja, duke marrë nën kontroll një sërë fshatrash.

Forcat ruse tani janë më pak se 5 kilometra larg nga autostrada N32, që kalon nga Pokrovsku për në Konstantnivka. Nëse merret kjo autostradë, atëherë Ukraina nuk do të kishte më një linjë të rëndësishme për furnizimin e trupave.

Por, komandantët ushtarakë – që janë kritikuar për mosprioritizim të ndërtimit të mbrojtjeve dhe për mospërshpejtim të përpjekjeve rekrutuese – gjatë dy muajve të fundit kanë arritur të forcojnë vijat në lindje të Pokrovskut dhe të ngadalësojnë avancimin e Rusisë drejt qytetit.

Në gusht, komandantët ukrainas po ashtu nisën një inkursion përtej kufirit në rajonin Kursk të Rusisë. Ky është inkursioni më i madh në territorin rus i kryer nga trupat e huaja që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kjo ofensivë e zuri Rusinë – por edhe të gjithë aleatët perëndimorë të Ukrainës – në befasi, duke i dhënë edhe një goditje të madhe forcave të armatosura të Rusisë dhe komandës ushtarake.

Ofensiva në Kursk, që ende po vazhdon, pjesërisht synon tërheqjen e trupave nga zona të tjera në Donbas, për të dobësuar ofensivën ruse në Donbas dhe për të lehtësuar presionin ndaj forcave ukrainase.

Kjo nuk ka ndodhur.

Ndërkaq, Rusia duket se e ka bërë Vuhledarin – që në Rusi njihet me emrin Ugledar – prioritet, ndoshta si një mënyrë për të rrethuar ushtrinë ukrainase në Pokrovsk.

Më 1 tetor, disa analistë, përfshirë një që ka lidhje me ushtrinë ukrainase, thanë se forcat ruse kanë hyrë në Vuhledar. Një ditë më vonë, grupi strategjik Khortytsia njoftoi se komandantët kishin urdhëruar njësitet që të tërhiqeshin.

Blogerët e njohur rusë të luftës kanë publikuar video që thanë se shfaqin ushtarët rusë duke vendosur flamuj jashtë ndërtesave të qytetit dhe kanë pretenduar se “operacionet e pastrimit” po vazhdojnë. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në informacionet e publikuara për luftën mëngjesin e 2 tetorit nuk e përmendi Vuledarin.

Shtabi, megjithatë, raportoi se Brigada e 72-të e Mekanizuar – e cila e ka mbrojtur qytetin në dy vjetët e fundit – ishte rrethuar dhe ishte në rrezik që të mposhtej.

“Nuk dua të them që ata u dorëzuan, por situata është e vështirë dhe tërheqja është sfiduese. Kjo është forma më e mirë se si do ta përshkruaja këtë situatë”, tha për Current Time analisti ushtarak ukrainas, Denys Popovych.

Por, sa lajm i keq është për Ukrainën rënia e Vuhledarit?

Humbja e qytetit do të rrisë presionin ndaj mbrojtjes ukrainase në Pokrovsk, megjithëse forcat ruse do të duhet të luftojnë për të marrë kontrollin e një rezervuari jashtë Kurakovës, i cili gjendet në veri të Vuhledarit dhe në jug të Pokrovskut.

Disa analistë, përfshirë Institutin për Studim të Luftës me bazë në Uashington, kanë minimizuar rëndësinë e marrjes së qytetit nga Rusia. Por, të tjerët kanë thënë se tërheqja do ta privojë Ukrainën nga aftësia për të kërcënuar pozicionet ruse në lindje dhe jug.

“Në parim, çdo tërheqje përkeqëson çdo situatë”, tha për Shërbimin Ukrainas të Radios Evropa e Lirë, David Handelman, analist për ushtrinë izraelite. “Konkretisht, nëse e shikoni hartën se ku ndodhet vija e frontit, Vuhledari, sikurse edhe Pokrovsku, ky qytet paraqet kërcënim për pozicionet ruse. Për një kohë të gjatë Vuhledari ka qenë çizme në fytin e ushtrisë ruse në këtë front”.

“Nëse rusët arrijnë ta largojnë këtë çizme nga qafa e tyre, kjo do t’ua lehtësojë situatën”, tha ai.

Pavlo Lakiychuk, analist ushtarak ukrainas, tha se është pikëpyetje nëse forcat ruse do të jenë në gjendje të vazhdojnë vrullin e tyre, veçmas duke pasur parasysh se motit të mirë të verës po i vjen fundi dhe shpejt vjen sezoni i shirave që i shndërron fushat ukrainase në pengesa të pakalueshme nga balta.

“Vjeshta po vjen, situata do të jetë e vështirë si për armikun, ashtu edhe për ne”, tha ai për Shërbimin Ukrainas të Radios Evropa e Lirë. “Nëse ata arrijnë ta zgjerojnë avantazhin, pas suksesit të tyre në marrjen e kontrollit të Vuhledarit,dhe ta hapin fushëbetejën e tyre, ka gjasa që ata të bëjnë përparime të mëtejme në veriperëndim”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG