Krasniqi: Haxhiu do të dështojë edhe në seancën e ardhshme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për partitë politike.
Krasniqi bëri thirrje që Vetëvendosje si parti e parë të heq dorë nga tentimet për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit dhe në vazhdimin e seancës të propozojë një kandidat tjetër.
“[Albulena Haxhiu] nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa krijimi i institucioneve”, deklaroi Krasniqi.
“Rrugëdalja është tashmë e qartë, LVV-ja duhet ta gjejë një kandidat tjetër”, deklaroi Krasniqi.
Murati: 'Nuk heqim dorë nga Haxhiu', të reflektojnë partitë tjera
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, mandatin e kaluar ministër i Financave, Hekuran Murati, arsyetoi ndërprerjen e seancës së Kuvendit në mungesë të pajtimit mes subjekteve politike për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Murati tha se për konstituimin e Kuvendit duhet reflektim i Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Mes tjerash, Murati konfirmoi se LVV-ja do të vazhdojë të mbështesë deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit edhe në vazhdimin e sancës, të mërkurën e 23 prillit.
Shtyhet seanca konstituive, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për herë të pestë të hënën, pasi fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi marrëveshje politike.
Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të aryeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.
Për këtë, ai kërkoi marrëveshje me partitë e tjera politike për çështjen e kryetarit të Kuvendit, si dhe kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë e dështimit të votimit të Haxhiut.
Pas kërkesës së Konjufcës, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve.
Nis seanca konstituive
Seanca konstitutive, e ndërprerë tri herë brenda më pak se një jave, ka filluar, me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës në rend dite.
Përveç zgjedhjes së kryetarit, në rend dite janë edhe emërimi i pesë nënkryetarëve.
Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut, i cili vdiq sot në moshën 88-vjeçare.