Murati konfirmon se LVV-ja do ta propozojë Haxhiun përsëri për kryetare të Kuvendit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka konfirmuar se partia fituese e zgjedhjeve do ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
“Ne tashmë e kemi propozimin, pra është deputetja.. Albulena Haxhiu, e cila është propozuar dhe sapo ta kemi dakordimin dhe konfirmimin se ka vullnet për zhbllokim të procesit nga subjektet opozitare, do të ecim tutje”, tha ai.
Haxhiu kishte dështuar t’i fitonte votat e nevojshme prej 61 në dy tentime në seancën e 19 prillit.
AAK-ja me thirrje për ndërrim të kandidatit për kryetar të Kuvendit
Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se AAK-ja nuk do të votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Ai tha se nëse vazhohet si në seancën e kaluar, AAK-ja do të votojë kundër.
Haradinaj tha se AAK-ja do të mbështeste Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin për kryetare të Kuvendit. Të dyja, si Bogujevci ashtu edhe Selimi janë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Limaj: Kosova do t’i fitojë institucionet e saj
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se Kosova do “t’i fitojë institucionet e saj”, teksa hyri në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive.
Limaj, i cili ka qenë i hapur për koalicion me partinë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk tregoi nëse do ta votojë kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ai me dy deputetët e tjerë të Nismës nuk e kishin votuan Haxhiun në seancën e së shtunës.
Krasniqi: Është përgjegjësi e Vetëvendosjes t’i sigurojë votat për kryetarin e Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, la të kuptohej se partia e tij nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, as në seancën e sotme.
“Jemi këtu për të ecur përpara, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është përgjegjësia e atij që i ka fituar zgjedhjet, dhe atyre u takon t’i bëjnë votat. Nëse ata dështojnë, atëherë duhet të mendohet për opsione të tjera që parashihen me Kushtetutë”, tha Krasniqi.
I pyetur nëse shkuarja në zgjedhje të reja është opsion, Krasniqi tha: “gjithmonë”.