Të nderuar lexues,
Radio Evropa e Lirë ju sjell të përmbledhur, përmes videos së mëposhtme, zhvillimet që ndodhën gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kosovës të hënën.
Me këtë përmbledhje, po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Kuvend.
Faleminderit që na ndoqët!
Kontestohet mënyra e shtyrjes së seancës konstituive
Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus dhe njohës i punës së Kuvendit, ka ngritur shqetësime për siç tha, ‘veprime arbitrare’ të udhëheqësit të seancës konstitutive, Avni Dehari, nga Vetëvendosje.
“Kryesuesi i seancës konstituive veproi në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me obligimet kushtetuese duke e ndërprerë seancën pa lejuar zhvillimin e votimit”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.
“Votimi i deputetëve nuk mund të paragjykohet mbi bazën e deklarimeve në media”, shkruan Krasniqi.
Mosvazhdimin e seancës Krasniqi e quajti përpjekje të ‘qëllimtë për të bllokuar konstituimin e Kuvendit’.
Kusari: Duket se zgjidhja më e pranueshme janë zgjedhjet e reja
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partia e saj nuk është duke e bllokuar konstituimin e Kuvendit.
Duke folur pas dështimit të pestë të seancës konstituive, Kusari tha se, duke e parë “qasjen” e partive të tjera, duhet të ketë marrëveshje për një temë tjetër: zgjedhje të reja.
“T’i thërrasim të gjitha grupet politike, ta konstituojmë Kuvendin dhe të pajtohemi që me 80 vota, ta shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë menjëherë në zgjedhje. Në rrethanat dhe deklarimet aktuale kjo duket zgjidhja më e afërt dhe më e pranueshme”, tha ajo.
Bajrami: Lëvizja Vetëvendosje është bllokuesi i vërtetë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mos propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit për ta hedhur në votim.
“Përgjegjësia është e partisë fituese. Nuk po flitet për kurrfarë marrëveshje, bllokuesit e vërtetë janë Lëvizja Vetëvendosje. Sikur të kishin qenë të interesuar për marrëveshje politike, do të ishin ulur për të folur se cili është emri i pranueshëm”, tha Bajrami.
Ajo shtoi se LDK-ja nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentarin, ashtu siç nuk e kishte votuar Haxhiun në seancën e ndërprerë të së shtunës.