Ndërlidhjet

Kuvendi nuk konstituohet, me gjithë afrimin e afatit të Kushtetueses


Deputetët e Kuvendit të Kosovës në njërën nga vazhdimet e seancës konstituive.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në njërën nga vazhdimet e seancës konstituive.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur të premten për vazhdimin e 52-të të seancës konstituive, një ditë para skadimit të afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese javë më parë.

Ata kanë dështuar sërish ta bëjnë Kuvendin, duke mos lëvizur nga pozicionet e tyre. Të shtunën do të mblidhen për përpjekjen e fundit.

Pas kësaj, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kështu u tha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të publikuar në orët e vona të 24 korrikut, përmes së cilës u vendos ex officio masë e përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat "mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës".

Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

PDK, më 3 korrik, i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor, dhe vazhdimeve të saj, më 1 dhe 3 korrik.

Në kërkesën e saj, PDK-ja konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; dhe, ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

PDK-ja beson se këto veprime janë ndërmarrë “në kundërshtim të hapur” me Kushtetutën e Kosovës, dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Kjo parti kërkon nga Kushtetuesja ta shpallë “antikushtetues” vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, dhe ta shpallë “antikushtetues” vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive, si dhe ta urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur.

Ndërkaq, LDK-ja, më 4 korrik, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të Rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit nga gjykata më e lartë e vendit.

LDK-ja beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.

Pse Kuvendi nuk është konstituuar deri më tani?

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja.

Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.

Duke pasur parasysh që të premten është mundësia e fundit për konstituimin e Kuvendit, në bazë të afatit të vendosur nga Kushtetuesja më 26 qershor, Ambasada gjermane njoftoi të enjten se ambasadori Jorn Rohde, së bashku me ambasadorë të tjerë të akredituar në Kosovë, do të marrin pjesë në vazhdimin e 52-të të seancës konstituive.

Kërkesa e Osmanit

Përveç duke argumentuar se kompromisi nuk duket se është afër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.

Ajo ka kërkuar, po ashtu, të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas afatit të 26 korrikut.

"Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme", tha e para e shtetit.

PDK-ja dhe AAK-ja thanë se kërkesa e Osmanit për Kushtetuesen i jep kohë LVV-së, ndërkaq Limaj tha se sqarimet e kërkuara nga presidentja hapin rrugë për zgjidhje.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Osmanit për masë të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme për Kushtetuesen.

“Çështja lëviz vetëm atëherë kur të ketë një qartësi nga Gjykata Kushtetuese sa u përket pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit, dhe të drejtës së partisë së parë për të propozuar”, tha ai.


Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.

Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t'i formojnë institucionet e reja.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG